Nuk ka zhvillim ekonomik me KLANE, MONOPOLE E HARAÇ

  • 12 February 2018 - 12:07
Nuk ka zhvillim ekonomik me KLANE, MONOPOLE E HARAÇ

NË PRAG TË 10-VJETORIT TË PAVARËSISË, KOSOVA MBETET NJË "OAZË" E KRIMIT TË ORGANIZUAR

Rrudhani: Fajtorë për moszhvillim ekonomik janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale në bashkëkoordinim me pushtetarët në të dyja nivelet

"Është formula qeverisëse e sundimit të nëntokës kosovare dhe bashkërendimi i këtyre punëve të pista me politikanët e inkriminuar të ndihmuar nga mafiobizneset, që janë fajtorët pse Kosova nuk ka zhvillim të qëndrueshëm e të barabartë ekonomik. E kemi një situatë të tillë në veçanti në dekadën e fundit, ku asnjë nga bizneset e vogla që nuk i paguan haraç nëntokës dhe politikës së lidhur me mafiobizneset nuk ka mundësi të zhvillojë veprimtarinë afariste dhe shumë shpejt mund të falimentojë", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Dardan Grapci

Ndonëse na ndan më pak se një javë nga dita e festimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shteti ynë po vazhdon të mbetet një "oazë" e krimit të organizuar, pa sundim ligji dhe pa zhvillim ekonomik. Analistët thonë se asnjë qeveri nuk mori mundimin që të merret me zhvillimin ekonomik të shtetit të Kosovës, sepse sipas tyre çdo qeveri, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, zhvatën qytetarët deri në asht, u pasuruan dhe i bënë milionat, ndërkaq Kosova pësoi regres ekonomik dhe jo vetëm kaq. Sipas tyre, fajtorë për gjendjen e tanishme janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale në bashkëkoordinim me pushtetarët në të dyja nivelet që janë fajtorë, se përse e kemi këtë shkallë të lartë të papunë- sisë, të varfërisë, monopolet kriminale të mafio-oligarkëve që ua 'lajnë fytin' pushtetarëve, kontrabandën, mosdhënia e lejeve të ndërtimit për projekte zhvillimore ekonomike në Prishtinë, po qe se nuk jepet haraç, e të gjitha këto janë indikatorë së bashku që tregojnë se përse kemi një mungesë të zhvillimit ekonomik etj. Në këto 10 vite shtet, Kosova e pësoi një regres ekonomik dhe realisht të bërit biznes në Kosovë vazhdon të mos ekzistojë, pasi që të gjithë sektorët më fitimprurës të ekonomisë po vazhdojnë të udhëhiqen ekskluzivisht nga nëntoka dhe mafio-oligarkët, prapa të cilëve po shihet qartë se po qëndrojnë figura të larta politike

Maloku: Kosova tash ose kurrë ka nevojë për një qeverisje me duar të pastra

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Mustafa, në një prononcim për "Kosova Sot", theksoi se problemet e zhvillimit ekonomik të vendit tonë kanë ngecur gjatë kësaj kohe dhe ende nuk është krijuar një masë kritike e kundërshtimit të qeverisjes së keqe kundër korrupsionit dhe mos-llogaridhënies për qeverisje të keqe."Mendoj se kjo masë kritike e opinionit e njerëzve e qytetarëve, mediave dhe shoqërisë civile te ne ka filluar më me sukses. Por derisa nuk krijohet një masë e tillë kritike do të jemi këtu ku jemi. Kjo sidomos 10 vjet pas pavarësisë, por edhe tash në kohën e sotme madje edhe më tepër". Ndërsa anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për "Kosova Sot" theksoi se e kemi një situatë të tillë ekonomike, ngase të gjitha qeveritë e pasluftës deri tek kjo e fundit synim parësor si po duket e kanë pasur veten e tyre, andaj edhe kemi një vendnumërim ekonomik."E meta më e madhe e këtyre qeverive deri më tash ka qenë puna e tyre pa asnjë strategji zhvillimore dhe veprimet në baza afatshkurtra", është shprehur ai. Sipas Malokut, vërejtjet më të mëdha ndaj qeverive të deritashme mbeten ato të mungesës së sundimit të ligjit."Sepse pa sundim të ligjit dhe pa një gjyqësor të depolitizuar nuk ka shtet të mirëfilltë e demokratik dhe nuk ka shoqëri të zhvilluar dhe zhvillim ekonomik të vendit. Nuk ka zhvillim ekonomik me klane dhe me monopole në shumë fusha të ekonomisë dhe duke ua 'lagur fytin' pushtetarëve dhe duke paguar haraç", është shprehur ai. Andaj, sipas Malokut, detyrë parësore por shumë e vështirë e Qeverisë 'Haradinaj' mbetet qeverisja me duar të pastra, sepse pa një qeverisje me duar të pastra nuk do të ketë zhvillim ekonomik të vendit dhe zbutje të papunësisë. Ndryshe, sipas Malokut, të rinjve tanë nuk u mbetet tjetër veç të mësyjnë rrugët e Evropës dhe migrimit.

Rrudhani: Qeveritë e dekadës së fundit në Kosovë vepruan "ad-hock"

Analisti Florim Rrudhani për "Kosova Sot" theksoi se është për keqardhje që në prag të festimit të 10-vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë të ri Kosova po vazhdon që të mbetet një "oazë"e krimit të organizuar, pa një sundim të rendit dhe të ligjit dhe pa një zhvillim ekonomik të mirëfilltë."E kemi këtë situatë, ngase asnjë qeveri deri më sot nuk mori mundimin që të merret me zhvillimin ekonomik të shtetit të Kosovës. Ato vepruan pa ndonjë strategji zhvillimore dhe program qeverisës duke vepruar 'adhock' dhe në baza ditore. Veç që nga paslufta e deri më sot e në veçanti që nga pavarësia e vendit tonë çdo qeveri si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, i ka zhvatur qytetarët tanë deri në asht dhe për veten e tyre ata u pasuruan dhe i bënë milionat, ndërkaq Kosova pësoi regres ekonomik", ka theksuar ai. Rrudhani vlerëson se fajtorë për gjendjen e tanishme janë krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale në bashkëkoordinim me pushtetarët në të dyja nivelet që janë fajtorë se përse e kemi këtë shkallë të lartë të papunësisë, të varfërisë, monopolet kriminale të mafio-oligarkëve që ua 'lajnë fytin' pushtetarëve, kontrabandën, mosdhënia e lejeve të ndërtimit për projekte zhvillimore ekonomike në Prishtinë po qe se nuk jepet haraç, që të gjitha këto janë indikatorë së bashku që tregojnë se përse kemi një mungesë të zhvillimit ekonomik etj."Me këtë formë të qeverisjes që ishte në dekadën e fundit dhe me pushtetarët e tashëm aktualë edhe mbetet e paqartë se cila mund të jetë e ardhmja ekonomike e Kosovës, aq më tepër kur dihet se për 10 vite ekzistencë si shtet i pavarur, në vend që të ketë avancim ekonomik, për fatin e keq, Kosova e pësoi një regres ekonomik", ka theksuar Rrudhani.

Grapci: Bizneset që nuk i paguajnë haraç nëntokës kriminale do të falimentojnë

Analisti Dardan Grapci për"Kosova Sot" theksoi se a është për keqardhje në çfarë situate ekonomike ndodhemi edhe një dekadë pas pavarësisë, pasi që në Kosovë çdo sektor fitimprurës kontrollohet dhe udhëhiqet në plotëni nga nëntoka politike dhe bizneset e inkriminuara, ku një grup i vogël i oligarkëve politikë dhe atyre ekonomikë dhe ata prej pavarësimit të vendit e këndej kanë krijuar pasuri prej disa qindra miliona euro, gjë e cila, siç tha, është e pamundur të ndodhë edhe në shtetet më të zhvilluara të botës, ku shumica e bizneseve tjera mezi mbijetojnë."Është formula qeverisëse e sundimit të nëntokës kosovare dhe bashkërendimi i këtyre punëve të pista me politikanët e inkriminuar të ndihmuar nga mafio-bizneset, që janë fajtorët se përse Kosova nuk ka zhvillim të qëndrueshëm e të barabartë ekonomik", është shprehur ai, teksa ka shtuar se kemi një situatë të tillë në veçanti në dekadën e fundit, ku asnjë nga bizneset e vogla që nuk i paguajnë haraç nëntokës dhe politikës së lidhur me mafio-bizneset nuk kanë mundësinë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre afariste dhe shumë shpejt mund të falimentojnë. Ai theksoi se një situatë e ngjashme është që nga pushteti lokal deri te pushteti qendror.Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, theksoi për "Kosova Sot" se pyetja që shtrohet shpesh para nesh është se pas përpjekjesh dhe sfidash që patën gjenerata të tëra për liri dhe pavarësi a jemi duke ndërtuar shtet si ky që kemi sot, a thua shumë breza kanë sakrifikuar që të kemi një shtet ku nga të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare e theksojnë se nuk ka perspektivë ekonomike aty ku ka krim të organizuar dhe korrupsion dhe ku qytetari jeton në ankthe për të ardhmen e fëmijëve të tij."Të gjithë e kemi ditur se do të duhej kohë për një zhvillim ekonomik, por nuk kemi pritur që pas një dekade pavarësi qytetari ynë të ballafaqohet me mirëqenie elementare, ku ndershmëria dhe dija nuk shpaguhen, ku ligji shkelet pamëshirshëm nga ata që e kanë fuqinë. Ne jemi duke pritur rezultate të Qeverisë 'Haradinaj', e cila në ditët më të vështira i ka dalë në ndihmë vendit dhe nga ai presim që të bëhen ndryshime rrënjë- sore, sidomos në ekonomi dhe sundim të ligjit për një jetë më të mirë për qytetarët e vendit tonë", është shprehur ai.

(Kosova Sot)