Zeqa:Politika paraprakisht i zgjedh dhe i cakton prokurorët dhe gjyqtarët e dëgjueshëm

  • 12 February 2018 - 12:59
Zeqa:Politika paraprakisht i zgjedh dhe i cakton prokurorët dhe gjyqtarët e dëgjueshëm

Analisti politik Florim Zeqa thotë se përderisa në secilin vend të zhvilluar dhe demokratik politikanët u frikësohen organeve të drejtësisë, tek ne paradoksalisht ndodh e kundërta e saj, prokurorët dhe gjyqtarët i frikësohen dhe nënshtrohen politikës, prandaj edhe Kosova po vazhdon të jetë me këtë nivel dhe gjendje në drejtësi edhe 10 vjet pas pavarësisë së shtetë- sisë së shpallur shtet i pavarur. "Ndodh pikërisht kështu për faktin e kapjes së sistemit të drejtësisë nga politika, gjegjësisht të nënshtrimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe tej inkriminuar, ndaj të cilëve kjo garniturë që udhëheq drejtësinë është treguar e pa fuqishme për t'u përballur me politikanët mafio-oligarkë të korruptuar e sundues të klaneve kriminale, që sundojnë dhe qëndrojnë mbi ligjin e kushtetutën e vendit. Politika paraprakisht i zgjedh dhe i cakton prokurorët dhe gjyqtarët e dëgjueshëm, i josh me para të pista dhe i shantazhon në forma tjera për t'ua diktuar më pas marrjen e vendimeve ashtu siç i konvenon pushtetit dhe grupeve kriminale, për ta shitur dhe kontrabanduar bashkërisht të drejtën e qytetarëve në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Në këtë mënyrë korporatat mafioze janë fuqizuar aq shumë saqë e kanë paralizuar shtetin, ligjin dhe funksionimin e shoqërisë kosovare në përgjithësi. Mafio-oligarkët e bashkuar rreth krimit të organizuar bënë kërdinë me paranë publike, pasuritë e pronat shtetërore dhe kombëtare, me evazionin fiskal, me kontrabandën dhe me korrupsionin pa i pasur fare frikën drejtësisë. Kësisoj, mund të kalojnë edhe 10 vjet të tjerë dhe për aq kohë sa të jetë në pushtet kjo klasë kusarësh politik, prokurorët dhe gjyqtarët do t'u shërbejnë atyre nga të cilët morën pozita në sistemin e drejtësisë falë mbështetjes politike të partive në pushtet dhe opozitë, të cilave tashmë detyrohen dhe po u shërbejnë verbërisht në kundërshtim me ligjin", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)