Kocijançiç garanton se me ratifikimin e demarkacionit, kosovarët udhëtojnë pa viza

  • 13 February 2018 - 21:06
Kocijançiç garanton se me ratifikimin e demarkacionit, kosovarët udhëtojnë pa viza

Strategjia e publikuar nga Bashkimi Evropian në të cilën ka paraqitur perspektivën e shteteve në Ballkani Perëndimor, nuk ka anashkaluar Kosovën aspak në rrugën e saj të integrimeve.

Maja Kocijançiç zëdhënëse për Politikat e Jashtme të BE-së dhe Politikën e Sigurisë, ka konfirmuar për Indeksonline se institucionet e BE-së, janë në pritje të ratifikimit të demarkacionit për t’i dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Strategjia është në dispozicion të publikut dhe nëse e lexoni atë, do të shihni se Kosova nuk është anashkaluar – përkundrazi, është shumë pjesë e strategjisë”, ka thënë Kocijançiç.

Ndërkaq sa i përket kriterit tjetër atij të luftimit të krimit të organizuar i cili është cilësuar të jetë një proces i vazhdueshëm, Kocijançiç ka thënë se Komisioni mirëpret përmbushjen e kritereve të pazgjidhura në lidhje me historikun e dënimeve në rastet e nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke mos harruar kriterin bazë atë të demarkacionit.

“Në liberalizimin e vizave: Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Komisioni mirëpret përmbushjen e kritereve të pazgjidhura në lidhje me një histori të dënimeve në rastet e nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Kjo duhet të jetë një proces i vazhdueshëm”, ka thënë Kocijançiç.

(Kosova Sot)