Politika e inkriminuar varrosi shpresën e rinisë - Lajme - Kosova Sot
Politika e inkriminuar varrosi shpresën e rinisë

Politika e inkriminuar varrosi shpresën e rinisë

PASOJAT E KEQQEVERISJEVE TË NJËPASNJËSHME NË KOSOVË

Analistët: Është për keqardhje se si po i mbledhin plaçkat rinia kosovare dhe po ikin, derisa politikanët e Kosovës vazhdojnë të shëtisin nëpër jahte të mafio-oligarkëve

"Klasa politike bëri që sot rinia jonë të kenë diploma, por jo përgatitje për tregun e punës dhe si rezultat po këta të rinj të diplomuar t'i hedhin diplomat dhe të marrin rrugën për mërgim, duke shkatërruar të ardhmen e vet, por edhe të Kosovës si shtet. Kjo klasë politike aq shumë e ka dëmtuar perspektivën e Kosovës, saqë sot secili i ri tenton ta lëshojë vendin vetëm pse nuk ka perspektivë të punësimit dhe të integrimit në institucionet vendore", theksoi analisti Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot"

Klasa politike e inkriminuar që kanë qenë në skenën e pasluftës në Kosovë , me veprimet e tyre e kanë shkatërruar rininë kosovare. Ndonëse vlerësohet të jetë pasuria më e madhe e vendit, pushteti e ka përdorur brezin e ri vetëm për interesa të tyre, duke e mashtruar në çdo aspekt. Si rrjedhojë, mijëra të rinj, të pashpresë, edhe pse i shtohen tregut të punës çdo vit, nuk kanë ku të gjejnë një mundësi për të punuar me diplomat pa ndonjë vlerë që i marrin në universitete apo kolegje private. Ndërsa politikanët e inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët vrapojnë pas tenderëve, keqpërdorimit të qindra milionave të tatimpaguesve dhe në bashkëkoordinim me nëntokën kriminale jetojnë si "sulltanë". Në dekadën e parë të shtetësisë sonë, nuk ka perspektivë për të rinjtë kosovarë. Analistët thonë se është për keqardhje se si po i mbledhin plaçkat rinia kosovare dhe po ikin, derisa politikanët e Kosovës vazhdojnë të shëtisin nëpër jahte të mafio-oligarkëve, të jetojnë në lukse milionëshe të parave të zhvatura nga buxheti i po këtij populli.

Asgjë nuk funksionon në këtë shtet!

Analisti Skënder Mulliqi, për gazetën "Kosova Sot", tha se në vend të prosperitetit të gjithmbarshëm, Kosova ka mbetur shumë mbrapa në procese, po stërzgjatët faza e tranzicionit, proceset demokratike kanë stagnuar, varfëria po rritet, shkalla e papunësisë është enorme në krahasim me numrin e popullsisë, ikja nga vendi e të rinjve tanë nuk po ka të ndalur. "Të gjitha këto po ndodhin se pushtetet e pasluftës nuk punuan mirë dhe ndershmërisht. Nuk i realizuan premtimet e dhëna gjatë fushatave elektorale. Këto pushtete punuan për vete, për grupe të caktuara klienteliste, për militantë partiakë dhe familjarë. Është instaluar logjikë e mbrapshtë e përfitimeve në të gjitha nivelet, nga ato lokale deri te niveli qendror, logjika e pasurimit në mënyrë joligjore, e në kurriz të taksapaguesve. Krimi dhe korrupsioni nuk po zbresin nga grafikoni, se nuk po luftohen sa duhet. Asnjë sistem nuk është duke funksionuar si duhet, sepse po ndikohen nga politika ditore", potencoi ai. Analisti Mulliqi thotë se pa funksionimin e organeve të drejtësisë ashtu si duhet nuk mund të krenohemi se po ndërtojmë shtet ligjor dhe funksional. "Arsimi është duke prodhuar analfabetë potencialë dhe kjo është tragjedia e radhës për ne si popull. Aq më keq, kur shumë profesorë universitarë kanë ardhur në krye të dekanateve me doktorata shkel e shko. Nuk po kemi stabilitet të duhur politik, nuk kemi as stabilitet ekonomik, pa të cilat nuk ka mundësi të arrihet mirëqenia dhe zhvillimi i përgjithshëm i vendit", vijoi më tutje Mulliqi.

Pushteti e thelloi analfabetizmin

Analisti Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot", tha se politika e pandërgjegjshme përbën pengesën thelbë- sore pse shoqërinë tonë e kanë kapluar një sërë defektesh kolektive. "Kosova përfundimisht me këtë gjeneratë politikanësh assesi nuk mund të zhvillojë perspektive të përgjithshme, madje për dukuritë e fenomenet negative që kanë instaluar Kosova e ka të zbehtë edhe të ardhmen e saj të mëtejshme", potencoi ai. "Këtu në mënyrë specifike ndërlidhem me prodhimin e pandalshëm të analfabetizmit aktiv që e kanë bërë përmes instalimit të klasës politike brenda universiteteve publike e private. Këtë dështim në lidhje me arsimin e tregoi edhe vlerësimi ndërkombëtar që i ishte bërë shkollave nëpër Kosovë", vijoi më tej Haziri. "Niveli dhe logjika e kësaj politike është kundër fuqizimit të ekonomisë, shëndetësisë, sundimit të ligjit, kundër integrimeve, madje edhe kundër gjithçkaje çka mund të jetë dobiprurëse për trupin publik ", potencoi ai. Kurse, analisti Mustafë Kadrijaj, për "Kosova Sot", tha se sjelljet e klasës politike me veprimet e tyre kanë bërë dëme të pariparueshme në të gjitha sferat, duke e rrënuar perspektivën e Kosovës në të gjitha sferat e jetës e sidomos në pasurinë më premtuese që Kosova ka pasur si përparësi krahasuese në nivel rajonal dhe më gjerë. "Klasa politike bëri që sot rinia jonë të kenë diploma, por jo përgatitje për tregun e punës dhe si rezultat po këta të rinj të diplomuar t'i hedhin diplomat dhe të marrin rrugën për mërgim, duke shkatërruar të ardhmen e vet, por edhe të Kosovës si shtet", u shpreh ai."Kjo klasë politike aq shumë e ka dëmtuar perspektivën e Kosovës, saqë secili i ri tenton ta lëshojë vendin vetëm pse sot nuk ka perspektivë të punësimit dhe të integrimit në institucionet vendore", theksoi Kadrijaj.

Të rinjtë duan punë, e jo politikë

Eksperti i fushës së drejtësisë Blerim Burjani, për 'Kosova Sot", tha se rinia është pasuria më e madhe e Kosovës, por problemi më i madh është trajnimi dhe përgatitja e të rinjve për të hyrë në tregun e punës. "E vërteta është se shteti deri më tash shumë pak ka bërë për të përgatitur profesionalisht si duhet të rinjtë. Perspektiva e zymtë e të rinjve ka bërë që dëshpërimi të jetë më i madh dhe largimi i të rinjve të shumtë nga shteti po ndodh sepse të rinjtë e Kosovës kanë nevojë për punë e jo për politikë", u shpreh ai. "Politizimi i skajshëm i të rinjve, marrja me politikë qysh në moshën e re, është tipar karakteristik i një shteti në krizë, politika duket të jetë alternativa dhe perspektiva e tyre në një vend të varfër, ende pa kryer studimet, apo kryen studime me vonesë të madhe, shkollimi nuk është më atraktiv sesa marrja e diplomave, kjo është brenga më e madhe e cilësisë me një edukim të tillë", ka vlerësuar Burjani. Sipas tij, kjo klasë politike është përgjegjëse për mosveprim për të ofruar zhvillim profesional, për të nxitur zhvillimin ekonomik të shtetit. "I tërë kapaciteti i shtetit duhet të orientohen në tri drejtime; zhvillimin ekonomik, mbrojtje shëndetësore dhe mbrojtje sociale, ngase prej këtyre tri shtyllave kryesore varet mirëqenia sociale e të rinjve", ka vlerësuar analisti Blerim Burjani.

(Kosova Sot)

9 orë e 41 minuta më parë
16/08/18