Gjyqtarët përmes shitjes së lëndëve avancohen në pozita

  • 13 February 2018 - 07:53
Gjyqtarët përmes shitjes së lëndëve avancohen në pozita

AVANCIMET NË GJYQËSOR, ME DIREKTIVA TË MAFIO-OLIGARKËVE

Miftari: "Sa i përket KGJK-së, kjo është vetëm filial, kukulla e krimit të organizuar parapolitik dhe pushtetarëve të korruptuar, që me anë të avancimeve vetëm tentojnë ta mbrojnë veten e tyre nga ligji"

"KGJK-ja është vetëm një trup 'kukull e marionetë' e shefave të politikës, parapolitikës dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve ekonomikë, të cilët vendosin se cilët gjyqtarë duhet avancuar në pozita, duke bërë PAZAR me lëndët që gjyqtarët i kanë në tavolinë e nëpër sirtarët e tyre, duke shkelur kështu ligjet në fuqi... Një sjellje e tillë në shtetet demokratike është vepër penale dhe dënueshme me ligjet në fuqi, ndërsa në vendin tonë ndodh e kundërta, gjyqtarët avancohen në gjyqësor nga Gjykata e Apelit në atë të Supreme, si dhe prej Themelores në Apel nga nëntoka kriminale, mafio-oligarkët, parapolitika dhe pushtetarët e nivelit të lartë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Duke parë funksionimin e tejpolitizuar të drejtësisë kosovare, analistët fajësojnë pikërisht KGJK-në, pasi, sipas tyre, aty kryesisht po bëjnë pazar me avancimet në gjyqësor nga Gjykata e Apelit në atë Supreme, si dhe prej Themelores në Apel, të dirigjuar nga nëntoka kriminale, mafio-oligarkët, parapolitika dhe pushtetarët e nivelit të lartë, duke ua kushtëzuar se si të vendosin për lëndët që i kanë në shqyrtim! Analistët politikë po ashtu theksojnë se paraprakisht ndodh që të njoftohen gjyqtarët se janë avancuar në pozita ende pa marrë asnjë vendim dhe pa e diskutuar as KGJK-ja edhe ashtu trafikante. Kjo situatë kaq e kriminalizuar me veprime të kundërligjshme, sipas analistëve politikë, vazhdon të jetë e tillë pasi që janë shumë eksponentë nga politika që po i kushtëzojnë dhe shantazhojnë vetë gjyqtarët dhe prokurorët, eksponentë nga nëntoka kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar, që ndikojnë te gjyqtarët, për të vendosur në kundërshtim me ligjin lëndët që i kanë në procedurë, vetëm e vetëm për t`ua dhuruar postin e gjyqtarit në një shkallë më të lartë, pra në Gjykatën Supreme apo atë të Apelit. Kjo sipas analistëve dhe ekspertëve të kësaj fushe flet se KGJK-ja është vetëm një trup "kukull e marionete" dhe se shefat e politikës, parapolitikës dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve vendosin se cilët gjyqtarë duhet avancuar në pozita, duke bërë pazar me lëndët që gjyqtarët i kanë në tavolinë e nëpër sirtarët e tyre, duke shkelur kështu ligjet në fuqi, edhe duke bërë vepra penale të dënueshme, pasi që ata nuk ka kush i ndjek për vepra të tilla. Ndërkaq, KGJK-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

Avancohen "kukullat" 

Një situatë të tillë e konstaton edhe eksperti Naim Miftari. "Avancimet e sotme në gjyqësi dhe gjykata të ndryshme bëhen vetëm si ri pozicionimi dhe rifreskimi i atyre 'kukullave' brenda drejtësisë në vend të ligjit, që t'u shërbejnë parasistemeve politike dhe klaneve kriminale në pushtet dhe krimit të organizuar. Kjo i bie se mafia politike vetëm po e forcon rrethin e tyre në të njëjtën kohë me avancime dhe rokada të ndryshme, dhe kështu vetëm tentojnë ta japin mesazhin publik kinse këtu punohet, pra fshehin dështimin dhe gjurmët e krimeve të tyre dhe korrupsionit të tyre", u shpreh ai."Sa i përket KGJK-së, kjo është vetëm filiale, kukulla e krimit të organizuar parapolitik dhe pushtetarëve të korruptuar që me anë të avancimeve vetëm tentojnë ta mbrojnë veten e tyre nga ligji", tha njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Naim Miftari. Ndërsa, analisti politik Florim Zeqa vlerëson se është fakt që drejtësia kosovare është pozicionuar krejtësisht në shërbim të politikës, si një segment i institucioneve kukulla të politikës së tejinkriminuar, prandaj ndodhin emërime dhe avancime të kundërligjshme po nga kjo politikë që kontrollon drejtësinë. "KGJK-ja është vetëm një trup 'kukull e marionetë' e shefave të politikës, parapolitikës dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve ekonomikë, të cilët vendosin se cilët gjyqtarë duhet avancuar në pozita, duke bërë PAZAR me lëndët që gjyqtarët i kanë në tavolinë e nëpër sirtarët e tyre, duke shkelur kështu ligjet në fuqi", theksoi ai. "Një sjellje e tillë në shtetet demokratike është vepër penale dhe e dënueshme me ligjet në fuqi, ndërsa në vendin tonë ndodh e kundërta, gjyqtarët avancohen në gjyqësor nga Gjykata e Apelit në atë të Supreme, si dhe prej Themelores në Apel nga nëntoka kriminale, mafio-oligarkët, parapolitika dhe pushtetarët e nivelit të lartë", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Njerëzit e drejtësisë i frikësohen politikës

Sipas analistit politik, Naim Kelmendi, loja për interesa kriminale të politikës me drejtësinë ka bërë që edhe 10 vjet të pavarësisë Kosova të mos ketë shtet të mirëfilltë të së drejtës."Edhe pas dhjetë vjetësh Kosova si shtet i pavarur dhe 19 vjet në liri nuk ka rritur të ketë një sistem drejtësie të përafërt me standardin evropian, të pavarur nga politika e nga mafio-oligarkët e krimit dhe me integritet profesional. Në sistemin e drejtësisë në Kosovë drejtësia vazhdon të trafikohet si në treg, për fatin e keq të drejtësisë kjo garniturë që udhëheq sot drejtësinë është në të vërtetë e pafuqishme për t'u përballur me politikanët mafio- oligarkë të korruptuar e sundues, që fatkeqësisht ende vazhdojnë të qëndrojnë mbi ligjin, sikur ishin dhe janë klani 'Pronto'", u shpreh ai. "Në Kosovë gjyqtarët dhe prokurorët frikësohen nga politika dhe i nënshtrohen asaj e që faktikisht do të duhej të ishte e kundërta, që politikanët të jenë të kujdesshëm e t'i frikësohen drejtësisë. Ky fakt tregon se sa larg standardeve të drejtësisë evropiane qëndrojnë shteti ligjor dhe drejtësia në Kosovë", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Ai është skeptik në pritjen për ndryshime të shpejta pozitive. Sipas tij, derisa në Kosovë ndodh që gjyqtarët e prokurorët i cakton politika, atëherë ata duhet të jenë besnik të politikës dhe të marrin edhe vendimet ashtu sikur i dikton politika.

PRETENI: PROKURORËT DHE GJYQTARËT E KOSOVËS JANË TË SHANTAZHUAR

Sipas ish-kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës në dy mandate, Hasan Preteni, prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës janë të shantazhuar, punojnë në shumë vende pune, janë pjesë e grupeve joformale, i kanë shkolluar madje edhe fëmijët jashtë Kosovës, duke qenë fuqishëm të lidhur me politikën dhe mbështetjen që u ofron ajo për interesat e saja, i kanë punësuar edhe familjarët e tyre nëpër ndërmarrjet publike, janë të lidhur me politikën këmbë e krye dhe kështu janë krejtësisht të pamoralshëm. "E kanë shkatërruar shtetin, kulturën dhe moralin kombëtar, duke mos i kontrolluar ndjenjat e tyre, prandaj tani janë të shantazhuar. I shantazhon politika, i shantazhon morali i tyre, i shantazhon klientela. Ata janë tmerri i dynjasë. Nuk ka shtet me ta, i publikojnë edhe emrat e informatorëve, gjë që është e ndaluar me ligj, nuk fillojnë hetimet kundër personave në pozita të larta. Caku i tyre është vetëm "fukaraja". Definitivisht nuk ka shtet me këta degjenerues. Duhet të ndodhë hetim i thellë i pasurisë së tyre, hetim i thellë i punësimeve të familjarëve të tyre, hetim i thellë i lidhjeve të tyre me bizneset, hetim i thellë i amoralitetit të tyre, hetim i thellë i diplomave të tyre", theksoi Preteni."Kosova është në krizë të thellë, kriza është nga politika, por kriza më e madhe është tek 'sundimi i ligjit'. Hetuesit policorë, gjyqtarët dhe prokurorët janë pasuruar në aspektin material. Një filozof thotë "Dëshmia kryesore se kam punuar drejt është pasuria ime". Po kush e thotë këtë, e thonë, por nuk është e vërtetë. Hetuesit policorë, gjyqtarët, prokurorët, janë pasuruar, nuk kanë punuar drejt, nuk ka shtet me ta. Pra, duhet një reformë e thellë, sepse këtyre nuk u beson askush, më shumë i besojnë Kanunit, nuk i besojnë KGJK-së dhe KPK-së. Janë bërë tmerri i dynjasë dhe tani askush nuk u beson. Më shumë u besojnë Kanunit dhe Këshillit të Pajtimit, njerëzve të mirë, por nuk i besojnë shtetit", potencoi ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)