BE-ja, kritikë e ashpër ndaj rrjeteve sociale

  • 17 February 2018 - 20:06
BE-ja, kritikë e ashpër ndaj rrjeteve sociale

NUK I RESPEKTOJNË SA DUHET LIGJET PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE TË KONSUMATORËVE

BE-ja i ka kritikuar ashpër rrjetet sociale 'Facebook' dhe 'Twitter'. Sipas Komisionit të BE-së, ato nuk i respektojnë sa duhet ligjet për mbrojtjen e të dhënave të konsumatorëve në Evropë. Në një kohë kur 'Google' i ka përshtatur rregullat e platformës së saj 'Google plus' në një masë të konsiderueshme me kërkesat e Komisionit, 'Facebook' dhe veçanërisht 'Twitter' nuk kanë vepruar kështu. Pika shumë të rëndësishme ata i kanë marrë parasysh vetëm pjesërisht, bëri të ditur Komisioni Evropian. Veçanërisht janë procedurat për bllokimin e përmbajtjeve dhe të llogarive të përdoruesve ku ndeshen problemet më të mëdha.

'Twitter'-i vazhdon t'i ndryshojë kushtet e përgjithshme tregtare pa i informuar për to përdoruesit

Komisarja për Drejtësinë e BE-së, Vera Jourova deklaroi se propozimet e paraqitura deri tani nga këto sipërmarrje janë të pamjaftueshme. "Mbrojtja e konsumatorëve në BE duhet respektuar," tha Jourova. "Nëse sipërmarrjet nuk i përmbahen kësaj, ato duhet të mbulohen me gjoba". Këtyre sipërmarrjeve u qe kërkuar që në nëntor 2016 që ta përshtatin mbrojtjen e tyre për konsumatorët me rregullat e BE. Sipas vlerësimit të Komisionit, 'Twitter'-i vazhdon t'i ndryshojë kushtet e përgjithshme tregtare pa i informuar për to përdoruesit. Përdoruesit e 'Twitter'-it dhe të 'Facebook'-ut veç kësaj nuk informohen në kohën e duhur dhe jo mjaftueshëm për fshirjet që i kërcënojnë të përmbajtjeve të dyshuara si ilegale, kritikoi Komisioni.

Blerjet në internet

Edhe për mundësinë që të paraqitet ankesë kundër fshirjeve që priten ose që kanë ndodhur nuk jepet informacion i mjaftueshëm. Një zëdhënëse e 'Facebook'-ut deklaroi në lidhje me kritikat se këtë vit janë parashikuar ndryshime. Këtu bën pjesë p.sh. mundësia për t'i informuar përdoruesit më mirë për fshirjen e përmbajtjeve. Jourova tha më tej se rrjetet sociale i përdorin si platforma publicitare dhe tregtare dhe ato duhet t'u përmbahen nga ky shkak rregullave të mbrojtjes së konsumatorëve. Kërkesa qendrore të Komisionit të BE ishin p.sh. një e drejtë tërheqjeje në blerjet në internet dhe kompetenca e gjykatave evropiane, që të ngrenë padi mbi bazën e së drejtës nacionale. Më parë, 'Google', 'Facebook' dhe 'Twitter' parashikonin që në rast konflikti, ai të zgjidhej mbi bazën e ligjeve të Kalifornisë, sepse atje e kanë qendrën këto firma.

(Kosova Sot)