Një dekadë krim shtetëror i pandëshkuar

  • 17 February 2018 - 07:45
Një dekadë krim shtetëror i pandëshkuar

PËRVJETORI I PAVARËSISË E GJEN ZBATIMIN E LIGJIT NË NIVELE ALARMANTE

Krimi i organizuar i shtrirë në 4 nivele: krimi dhe korrupsioni qeveritar, ai i gjyqësorit (prokurorë, gjykatës), ai i pushtetit komunal dhe ai ordiner

"Sistemi i drejtësisë në vend që t'u shërbejë qytetarëve të vendit është vënë krejtësisht në shërbim të krimit qeveritar (në të dyja nivelet), abuzimit me ligjin dhe me pushtetin, si dhe në shërbim të krimit dhe të korrupsionit brenda vetë gjyqësorit", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Derisa Kosova po sot shënon përvjetorin e saj të 10-të të funksionimit si shtet i pavarur, analistët politikë dhe ekspertët e sundimit të ligjit vazhdojnë të vlerësojnë negativisht fushën kryesore të identifikimit të shtetit, sundimin e ligjit, mungesën e një shteti të mirëfilltë ligjor të bazuar në drejtësi profesionale, në ligje dhe Kushtetutë që sigurojnë barazi të njëjtë për të gjithë qytetarët para ligjit. Sipas analistëve kosovarë, problemi më i madh që ka sot shoqëria kosovare është mungesa e sundimit të ligjit, tematike kjo që trajtohet tani e përmbi 13 vjet me radhë vetëm në gazetën "Kosova Sot". Analistët theksojnë se për fat të keq krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shtrirë në 4 nivele: krimi dhe korrupsioni qeverisës apo qeveritar e kryeministror, ai i gjyqësorit (prokuror, gjykatë), ai i pushtetit vendor (rangu komunal) dhe ai ordiner. Pra, sipas analistëve, shtetit dhe shoqërisë së Kosovës e keqja më e rëndë i vjen prej tërë këtij sistemi funksional dhe bashkëveprues të këtyre 4 niveleve, rangjeve apo shtrirjeve të krimit dhe të korrupsionit, të cilët kanë bërë të mundur instalimin e këtij sistemi kriminalo-korruptiv, ku më kryesori është korruptimi, kriminalizimi dhe degradimi i sistemit të drejtësisë. Kjo gjendje është e tillë, pasi që sistemi i drejtësisë është vërë në shërbim të krimit qeveritar, abuzimit me ligjin dhe me pushtetin, në shërbim të krimit dhe të korrupsionit të vetë gjyqësorit, në shërbim të korrupsionit komunal dhe në shërbim të krimit ordiner. Sipas analistëve dhe ekspertëve të së drejtës, i vetmi ilaç që e shëron këtë fushë të tejinfektuar nga krimi e korrupsioni është një ligj VETTING-u.

Sistemi në shërbim të oligarkëve

"Përmes një ligji të VETTING-ut, nën udhëheqjen e FBI-së, nuk do të kenë më shanse që të mbrojnë veten politikisht as politika, as pushteti, as gjyqtarët dhe prokurorët e inkriminuar, si dhe as krimi ordiner i shtrirë gjithandej vendit", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar se në 10-vjetorin e "pavarë- sisë" Kosova përveçse vendi më i varur në rajon, është edhe vendi më antidemokratik, më i korruptuar dhe më i kriminalizuar, shkaku i mungesës së sundimit të ligjit, është bërë tematikë ditore që trajtohet si krye problem për mbi 13 vjet me radhë vetëm në gazetën "Kosova Sot. "Ku shtrirja e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka përfshirë 4 nivele: krimi dhe korrupsioni qeverisës apo qeveritar e kryeministror, ai i gjyqë- sorit( prokuror, gjykatë), ai i pushtetit vendor (rangu komunal) dhe ai ordiner! Të këqija këto tepër të rënda që po e rrënojnë shtetin dhe rëndojnë jetën e qytetarëve si pasojë e instalimit të sistemit kriminalo-korruptiv në sistemin e drejtësisë, kësaj shtylle bazike të mirëmbajtjes dhe funksionalitetit të institucioneve shtetërore", theksoi ai."Sistemi i drejtësisë në vend që t'u shërbejë qytetarëve të vendit është vënë krejtësisht në shërbim të krimit qeveritar (në të dyja nivelet), abuzimit me ligjin dhe me pushtetin, si dhe në shërbim të krimit dhe të korrupsionit brenda vetë gjyqësorit. Sistemi i degraduar i drejtësisë është rezultat i kriminalizimit të klasës politike (pushtet dhe opozitë) në çdo aspekt dhe qelizë të saj siç e vlerësojnë analistet e gazetës 'KOSOVA SOT', të cilët me urgjencë kërkojnë rrugëdalje nga kjo situatë kaotike në drejtësinë kosovare", vijoi më tutje Zeqa."Nga opinionet e analistëve dhe gazetarëve të gazetës 'KOSOVA SOT' rrjedh konstatimi i përbashkët se shpëtim i vetëm, gjegjësisht lirimi nga uzurpatorët e shtetit mund të vjen vetëm nga miratimi dhe zbatimi i një VETTING-u ngjashëm si në Shqipëri, i cili do ta çmontonte dhe e dekriminalizonte politikën, administratën, qeverinë qendrore dhe atë lokale", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Degradimi i shtetit

"Shikoni pushtetin shtetëror! Shikoni të mirat materiale dhe financiare që i ka siguruar vetë presidenti, ministrat, kuvendarët etj. Shikoni pra pasurinë e tyre dhe bindeni në kriminalitet të nivelit të tillë", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot" 

Profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi ka pohuar se çështja aktuale nuk është rezultat vetëm i sotëm, sepse ky sistem juridik, politik dhe ekonomiko-shoqëror, i shkapërderdhur dhe i rrënuar nga korrupsioni dhe krimi, ka filluar të ndërtohet menjëherë pas vendosjes së UNMIK-ut."Mbi këtë bazë më të dëgjueshme për UNMIK-un ishin ish-bashkëpunëtorët e regjimit apo njerëzit që vinin nga struktura e ish sistemit titisto-milosheviqian. Për të arritur që të ndërtohet një sistem i nënshtruar, natyrisht se veç këtyre njerëzve u punua edhe në degjenerimin e klasës politike, duke i ushqyer politikanët e kohës, para gjatë dhe pas luftës me korrupsion dhe me krime të ndryshme, nga krijohej pasuria", tha Kelmendi për "Kosova Sot". "UNMIK-u nuk lejonte forca të shëndosha. Nuk i përkrahte patriotet dhe profesionalistët, por mbështetej kryesisht në kategorinë e të dëgjueshmëve dhe që kontrolloheshin lehtë nga ai. Këndej u vendos pushteti shtetëror i dëgjueshëm dhe shumë ekzekutiv. Jo në kuptimin pozitiv dhe të ndërtimit të shtetit, por të korrupsionit dhe të krimit. Janë me dhjetëra raste të krimit dhe të veprave penale që u kryen nga njerëzit e UNMIK-ut në bashkëpunim me ata të pushtetit në vend. Ekonomia u vu në duar të mafiozëve. Privatizimi u bë pa kritere dhe u la në duar të një grupi të ishregjimit ekonomiko-mafioze serbomadh. Tërësisht u bë privatizimi, ndërsa në firmat publike u vendosën njerëzit e dëgjueshëm dhe korruptive. Edhe sot kemi të tillë në postë, në KEK, në Hekurudhat e Kosovës etj. Në administratë u vendosën të dëgjuarit. Madje thjesht ata që vinin nga ish-sistemi. Policia u vu nën kontrollin e strukturës së veçantë, ndërsa shërbim të tjera të mbrojtjes së shtetit ligjor nëpërmjet njerëzve të pushtetit u kriminalizuan. Shikoni për këtë SHIK-un, tërë udhëheqja akuzohet për vepra penale, dhe Prokurorinë e Kosovës. Vetë kryeprokurori akuzohet për vepër penale. Shikoni gjykatat dhe policinë. Kudo çrregullim. Ky sistem u vendos me ndihmën e pushtetit", shpjegoi më tutje Kelmendi. "Politikanët arritën të fusin nën kontroll tërë strukturat e pushtetit shtetëror. Vjedhjet e pasurisë u bënë të përditshme. Tërësisht nëpërmjet privatizimit dhe tenderomanisë si mjete dhe formë e vjedhjes së parasë publike të Kosovës", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas prof. Kelmendit, ky pushtet e bëri shtetin që të mos funksionojë.

Patriotizmi mungon

"Patriotët më të mëdhenj të një vendi duhet me qenë në sistemin e sundimit të ligjit, prokurorët, gjykatësit dhe pastaj policët e ushtarakët", tha Spahiu për "Kosova Sot" 

Prof. Nexhmedin Spahiu thekson se gjendja e tillë e mosfunksionimit të shtetit të së drejtës mund të interpretohet fillimisht si mungesë e patriotizmit, sepse po të kishte kuadro të përkushtuara dhe shumë të vendosura për fuqizimin e shtyllës kryesore të shtetit, sistemit të drejtësisë, atëherë shumë më shpejtë edhe Kosova si shtet i ri do të qante rrugën drejt proceseve integruese në BE."Problemet më të mëdha shoqërisë dhe shtetit të Kosovës i vijnë nga mungesa e patriotizmit real të përkushtuar për ndërtimin e shtetit dhe rreziku tjetër i vjen nga sasia e tepërt e patriotizmit të rrejshëm. Këto janë dy problemet kryesore të shoqërisë kosovare, sepse ky fenomen pastaj më së shumti reflektohet në fushën e drejtësisë, sepse pikërisht aty duhet me qenë edhe prokurorët edhe gjykatësit patriotët më të mëdhenj që duhet t'i ketë një vend, një shtet, mirëpo Kosova nuk e ka akoma një trashëgimi të tillë", vlerësoi ai."Kosova nuk ka qenë më parë shtet, tek sa është bërë shtet dhe tani gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë gjithmonë kanë një traditë për të qenë në shërbim të armikut, në shërbim të pushtuesit jo në shërbim të atdheut dhe kjo traditë po duket që po vazhdon tani edhe 10 vjet pas pavarësisë që akoma ky patriotizëm për shtetin nuk po arrin të krijohet, akoma nuk po arrin të vetëdijesohet shoqëria", ka potencuar Spahiu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)