Pazari për Specialen mund ta ndajë Kosovën

  • 17 February 2018 - 07:31
Pazari për Specialen mund ta ndajë Kosovën

ZBARDHEN PRAPASKENAT E POLITIKANËVE KOSOVARË

Kadriaj: Zhytja e lidershipit kosovar në aferat korruptive si dhe presioni i Gjykatës Speciale do ta futin si çështje temën e ndarjes së Kosovës

"Për këtë situatë të ndarjes ekziston një rrezik i madh, për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale liderët tanë, të prirë nga z. Thaçi, të bëjnë pazare në ndarjen e Kosovës edhe zyrtarisht me Republikën e Serbisë. Kjo tentativë e z. Thaçi është personale, pasi më parë dështuan në zhbërjen e Gjykatës Speciale, tani po provojnë të gjejnë një arsye tjetër, për të cilën gjë kanë gjetur aleatë në Serbi, përmes ndihmës së madhe, që po bën Baton Haxhiu, njeriu i UDB-së dhe i Edi Ramës", potencoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

Analistët politikë po e përcjellin me shumë shqetësim debatin e hapur ditëve të fundit, rreth opsionit të ndarjes së Kosovës, i cili qysh nga fillimi ishte kundërshtuar nga përkrahësit e shtetit tonë, e që tani po rrezikon seriozisht të sillet sërish në tavolinë bisedimesh, 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Me këtë fakt mbetet të nënkuptohet se ky është një sinjal që flet se ende nuk ka përfunduar vizatimi i kufijve të shteteve në Ballkan dhe në këtë rrafsh kanë ndikuar edhe dështimet e klasës politike në udhëheqjen e shtetit, sidomos në këto 10 vitet e fundit, ku shteti gjatë tërë kësaj dekade u bë fole e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku nuk funksionojnë rendi dhe ligji, por sundojnë pushtetarët e inkriminuar dhe mafiooligarkët e nëntokës kriminale. Akoma më shqetësues mbetet ky fakt, ky opsion i rrezikshëm për shtetin e Kosovës, derisa heshtazi duket që po përkrahet edhe nga liderë shtetërorë të Kosovës, natyrisht në prapaskenë, epër pazare personale. Analistët theksojnë se pranimi i një zgjidhje të tillë në dëm të Kosovës është rrezik serioz, sepse mund të përdoret si karrem që këta liderë ta pranojnë për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, duke qenë të prirë me Hashim Thaçin dhe të tjerët, që do ta bëjnë PAZAR ndarjen e Kosovës edhe zyrtarisht me Republikën e Serbisë. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara, Baton Haxhiu nuk i ka kthyer përgjigje gazetarit.

Për interesa personale, këta falin edhe territor

Në këtë plan të ndarjes së Kosovës, sipas Badallajt, është i angazhuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. "I njëjti soj është edhe miku i tij (Batonit), Edvin Kristaq Rama, narkoman, për të bërë pazare, por ky është më dinak, që di të dredhë dhe të zhdredhë", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot" 

Analisti politik Reshat Badallaj ka pohuar se është fakt që Ballkani është barot që kohë pas kohe ndizet."Kufijtë në Ballkan janë nëpër kancelaritë botërore që u konvenon atyre. Dhe, këta për interesa të tyre i kanë në duar gërshërët e hartave, t´i presin kufijtë si iu konvenon atyre, por ata gjithmonë ndër shqiptarë kanë gjetur mjerisht tradhtarë për të shitur tokat tona, si soji i Esat Toptanit, Ceno Bej Kryeziut, Ahmet Zogollit e deri te kasta jonë politike, si rasti i këtyre që nënshkruan për shitjen e tokave, pjesëve të Dukagjinit me qindra mijëra hektarë tokë dhe vunë "imza" Hashimi i Brojës dhe Isa Mustafa, Hashimi", u shpreh ai. "Kjo qeveri kuislinge, kuvendi i faqes së zezë, që u bënë gaz i botës me lloj-lloj mangupësh e vagabondësh, merrnin vendime pa e pyetur fare popullin, po dikush mendon, po këta janë të zgjedhurit e popullit... Jo. Gabim... Këta janë të dalë me anë të pazareve dhe të kanaleve të nëntokës kriminale, dhanë tokën si të ishte toka e babës së tyre. Por, këta matrapazë i bënë këto tradhti vetëm për interesa të tyre personale kur e panë se po i digjet bishti dhe kush mendon se kjo u bë sërish temë diskutimi pas dhjetë vjetësh në tavolinë", vijoi më tej Badallaj. "Këta mundohen të bëjnë çmos sa janë në pushtet tradhtarët e vendit, e kanë nuhatur mirë se këta janë në gjendje të japin çdo gjë për interesa personale dhe mbajeni mend që edhe Ramush Haradinaj do vjen dita t'i hajë fjalët e tij, të lëpijë atë që e ka pështirë, sepse ka interes personal", theksoi ai për 'Kosova Sot'. Sipas tij, këta matrapazë kanë hyrë moti në pazar për ndarjen e Kosovës, për të shpëtuar lëkurën e tyre. Badallaj e nxjerr të dyshuar nxitjen e këtij opsioni të zgjidhjes së problemit me Serbinë edhe gazetarin Baton Haxhiu."Mos mendoni se kjo ide i këtij matrapazi ka qenë e rastë- sishme. Kjo ka një prapavijë djallë- zore. Qarqet shoviniste serbiane i kanë elementet e tyre turbulluese në Kosovë e Shqipëri. E kanë spiunin e tyre të besueshëm, më i besueshëm se serbët,Baton Haxhiun, se ky spiun për këtë punë paguhet dhe ky argatë po i hynë në punë Serbisë", u shpreh ai.

Ide e akademikëve serbë

"Ideja e ndarjes, sikur të mosekzistonin institucionet kompetente (Qeveria, Kuvendi, Gjykata…etj.), do të konsiderohej ide racionale, e qëlluar dhe e mirëseardhur, për ta paqësuar rajonin e trazuar. Por, ajo tani, jam shumë i bindur në këtë, nuk e ka më as peshën, as argumentin, as kompetencën e duhur ekzekutive, e as nevojën aktuale demografike, e as gjeografike, pra as vizionin e duhur pragmatik!", tha Fadil Maloku për "Kosova Sot" 

Sipas profesorit universitar Fadil Maloku, ideja e ndarjes së Kosovës sjell luftë të re në Ballkan."Liqeni i Ujmanit (gjatësi afër 32 km) është një burim i rrallë natyror, prej nga përmes hidrosistemit Ibër-Lepenc bëhet ujitja e një pjese të Kosovës. Pa ujët e këtij liqeni nuk mund të vihen në lëvizje termocentralet në Obiliq. Kjo pjesë është shumë e pasur me mineralet e plumbit, zinkut, argjendit, etj., dhe përmban edhe shkritoren e Zveçanit, që si asete dhe vlera të rralla do të mund ta nxitnin inicimin e zhvillimit ekonomik të industrisë dhe bujqësisë kosovare, në situata krize! Tani, të "këmbesh" këto dy resurse të dhuruara nga Zoti, në favor të një lloj paqeje kinse afatgjate dhe dosido të pasigurt, duket që është jo edhe aq mençuri e zgjuar politike e pjekuri e shquar sociale! Them kështu edhe për shkakun se Serbia s'do të ndalej sërish të krijojë dhe të rikrijojë pretekste të reja (i) reale, si p.sh. sosh religjioze (manastiret dhe kishat politike), apo demografike (zbrazjen sistematike që veç është duke e testuar në Luginë) dhe tjera deri në pakufi!", u shpreh ai, duke përmendur disa argumente."Pra, përse është e gabuar ideja e transaksioneve territoriale? 1. Do thënë që në fillim se si ide e edhe si koncept, kjo iniciativë dosido bie ndesh me konceptin e multikulturalizmit dhe multietnicitetit të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. 2. Si projekt është johuman, për shkak se në mënyrë perfide inicion dhe insiston një lloj tjetër "transferimi human" të popullsisë serboshqiptare. 3. Si manovër, ambientet e pastra etnike mund të thuhet që janë dhe mbesin akoma tendenca e ambicie të ca lidershipëve rajonalë, por assesi edhe synime e vlera civilizuese. Ngase teza e ambienteve puro etnike është e rrezikshme dhe absurde në shekullin tonë. 4. Ideja e "këmbimit", si përvojë e re ballkanike do të "testohej" pastaj si "recetë" edhe midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni; serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë! Që natyrisht do të ishte një tronditje e re ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë…! 5. Përmes projektit të "këmbimit" të veriut të Mitrovicës me Luginën, shtetin serb definitivisht do e privonte nga "e drejta historike" e cilësimit të Kosovës, si djep i civilizimit serb"! Që realisht nënkupton vetëm një "time aut" të përkohshëm serb për ta lansuar alibinë e re aneksuese! 6. Kjo ide është diskutabile, shkaku se akoma nuk e dimë tipin e skalpelit që duhet përdorur në këtë iniciativë "këmbyese"(në fakt ndarjes) territoresh, ndërkaq, kalkulojmë lehtësisht sikur të kemi të bëjmë me një transaksion ditor, apo ndonjë bartje rutinore territoresh!7. Ideja e "këmbimi"… pa dyshim që do kërkonte një dalje tejet problematike të palës kosovare, nga obligimet e negociuara të Brukselit! 8. Kjo iniciativë gjithsesi do të bartte reperkusione dhe refleksione edhe në Preambulën e Kushtetutës; serbe (ku Kosova, akoma figuron si pjesë integrale e Serbisë!) dhe asaj të Shqipërisë (ku obligimi ndaj përkujdesjes…kosovare është obligim kushtetues!), të cilat detyrimisht do të merrnin kohë dhe energji për rideklarime pro dhe kundër këtij "këmbimi" territorial! 9. Ideja e "këmbimit" ka edhe një defekt tjetër civilizues! Është kundër logjikës aktuale (por jo edhe në perspektivë!) të proceseve integruese evropiane. 10. Projekti i këmbimit të territoreve me Serbinë ishte ide e akademikut serb Dobrica Qosiqit, e jo e R. Qosjes! Andaj, logjikisht i bie që çdo ide, propozim apo edhe "peshqesh" nga Serbia, përherë do ta ketë prapavijën e vet me pasoja të mëvonshme: ekonomike, historike, sociale, demografike e kulturore!", u shpreh Maloku për "Kosova Sot"

Shteti u bë fole e krimit

"Ky problem i ndarjes së Kosovës paraqet një rrezik të madh dhe për këtë kërkohet një syçeltësi e madhe, duke kundërshtuar gjithmonë se Kosova është unike dhe asnjëherë nuk do të ndahet, as sot, as nesër dhe as kurrë', tha Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

Analisti tjetër, Bislim Aliu, thotë se është e vërtetë që opsioni i ndarjes së Kosovës ka një histori të gjatë, më se 20-vjeçare, por që nga fillimi është kundërshtuar nga përkrahësit e shtetit, e tani po sillet sërish në tavolinë, edhe pas 10 vjetësh të shpalljes së Pavarësisë. Sipas tij, kjo tregon qartë se ende nuk ka përfunduar caktimi i kufijve të shtetit të Ballkanit."Për këtë, sigurisht ka ndikuar me të madhe në këto 10 vitet e fundit dështimi katastrofal i klasës sonë politike, ku shteti ynë gjatë kësaj dekade u bë fole e krimit të organizuar dhe e korrupsionit, ku fare nuk funksionojnë rendi dhe ligji, kur ka humbur totalisht demokracia, duke sunduar pushtetarët tanë mafiozë dhe oligarkët tejet të inkriminuar. Andaj, në prapaskenë dhe fare tinëzisht po përkrahet edhe nga liderët tanë shtetërorë të Kosovës, natyrisht për pazare personale, kur liderëve tanë ua ka zënë 'rrota bishtin'", theksoi ai. "Për këtë situatë të ndarjes ekziston një rrezik i madh për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, liderët tanë, të prirë nga z. Thaçi, të bëjnë pazare në ndarjen e Kosovës edhe zyrtarisht me Republikën e Serbisë. Kjo tentativë e z. Thaçi është personale, pasi që më parë dështuan në zhbërjen e Gjykatës Speciale, tani po provojnë të gjejnë një arsye tjetër, për të cilën gjë kanë gjetur aleatë në Serbi, përmes ndihmës së madhe që po u bën Baton Haxhiu, njeriu i UDB-së dhe i Edi Ramës", potencoi Aliu për "Kosova Sot".

Veriu nuk u administrua kurrë nga shteti kosovar

"Nëse do të hynte Kosova në bisedime me Serbinë për ndërrim të territoreve duhet të bëhet, themelohet edhe një këshill kombëtar dhe këtë këshill ta udhëheqë Akademia e Shkencave të Kosovës, pra të vendosë shtresa më e lartë kombëtare, gjithashtu në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe në koordinim me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe", tha Mustafë Kadrijaj

Të pafavorshëm e sheh për Kosovën një pazar të tillë kriminal edhe analisti Mustafë Kadrijaj, por thotë se ky edhe mund të jetë opsion real, madje i përkrahur tani edhe nga ndërkombëtarët. "Parimisht ndërrimi i territoreve për ne është humbje, por duke i marrë dy faktorë që e kanë sjellë lidershipin kosovar para kësaj teme, duke u bazuar që veriu i Mitrovicës me komunat e tjera nuk është çliruar nga forcat e UÇK-së, pra këmba e ushtarit të UÇK-së nuk ka shkelur atje asnjëherë dhe kjo është njëherësh edhe teori e disiplinave të sigurisë që deri ku shkel këmba e ushtarit aq është jotja dhe njëherësh që nga paslufta nuk është administruar nga institucionet e Kosovës, pra kemi pasur një anarki totale, po ashtu edhe zhytja e lidershipit kosovar në aferat korruptive ndoshta edhe presioni i Gjykatës Speciale do ta futin si çështje në bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi Evropian dhe si asnjëherë më parë edhe përkrahësit e Pavarësisë së Kosovës këtë herë nuk e kanë kundërshtuar temën e ndarjes së Kosovës, si SHBA-ja, BE-ja dhe shteti shqiptar", u shpreh ai. "Nëse do të ishte imponimi ndërkombëtar që të bëhet ndërrim i territoreve së paku që ndërrimi i territoreve të jetë në proporcion të njëjtë veriu i Kosovës me Preshevë e Bujanovc. Ne si popull dhe vend nuk jemi që orientojmë gjeopolitikën, por ndoshta kjo do t'iu hapte rrugë shqiptarëve që të krijohet shteti komb, po ashtu edhe Kosova më nuk do të varet nga vota e minoritetit serb në Parlament për çështje me interes kombëtar, pasi që koha dëshmoi që refuzimi i miqve ndërkombëtarë është i pamundur në një temë siç është ndërrimi i territoreve. SHBA-ja duhet të jetë garantuesi i marrëveshjes, sepse siç e dimë Serbia e ka strategji kombëtare gënjeshtrën dhe ndërrimin e fjalëve dhe njëherësh tema e ndarjes është diskutuar edhe nga ish-presidenti Rugova, por edhe nga akademik Rexhep Qosja, që më mirë të zgjedhim njëherë e përgjithmonë problemin me Serbinë, sepse edhe ashtu në bisedat e deritanishme Kosova vetëm ka humbur", tha Kadrijaj për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)