Çfarë përmban akuza e ngritur për ndërhyrjen e Rusisë?

  • 18 February 2018 - 00:04
Çfarë përmban akuza e ngritur për ndërhyrjen e Rusisë?

Një juri e madhe federale ka paditur 13 qytetarë rusë dhe tre entitete ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Aktakuza pohon se Agjencia e Kërkimeve në Internet, një kompani e medias sociale në Shën Petersburg me lidhje me Kremlinin, 12 punonjësit dhe mbështetësi i saj financiar, orkestruan një përpjekje për të ndikuar në fushatën zgjedhore të vitit 2016 në favor të Presidentit Donald Trump.

Prokurorët akuzuan Yevgeniy Prigozhin, një biznesmen me lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, për financimin e operacionit nëpërmjet kompanive që ai kontrollon, Concord Management dhe Consulting LLC, Concord Catering dhe një numër filialesh të tyre.
Sipas aktakuzës, Prigozhin dhe bizneset e tij thuhet se siguruan "fonde të konsiderueshme" për operacionet e Agjencisë së Kërkimeve të Internetit për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
Në një rast të lidhur me çështjen, një burrë në Kaliforni u gjet fajtor më parë këtë muaj pasi u shiti me dashje, të dhëna bankare rusëve të përfshirë në operacion, njoftoi zyra e Këshilltarit Special të premten.
Sipas një njoftimi gjyqësor të 12 shkurtit që u publikua të premten, Richard Pinedo deklaroi fajësinë për përdorimin e identiteteve të vjedhura për të krijuar llogari bankare që më pas janë përdorur nga rusët.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein tha se komplotistët rusë u përpoqën "të nxisin mosmarrëveshjet sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të minonin besimin e publikut në demokraci".
"Ne nuk duhet t'u lejojmë atyre të kenë sukses", tha Rosenstein në një konferencë shtypi në Uashington.
Komploti ishte pjesë e një projekti më të madh të koduar me emrin Projekti Lakhta, tha zoti Rosenstein.
"Projekti Lakta përfshinte disa komponentë - disa prej të cilave përfshinë audiencën vendase brenda Federatës Ruse dhe të tjerë që vunë në shënjestër audiencat e huaja në shumë vende," tha zoti Rosenstein.
Mueller, i cili nuk ka bërë deklarata publike për hetimin e Rusisë që nga emërimi i tij në maj, nuk ka folur deri tani në një konferencë shtypi.
Dokumenti prej 37-të faqesh tregon se duke filluar që në vitin 2014, Rusia përdori postime të rreme në mediat sociale, si dhe reklama, për të ndikuar opionin publik në favor të kandidatit Donald Trump.
“Të akuzuarit zhvilluan luftë informative ndaj Shteteve të Bashkuara, siç e quajtën vetë, me objektiv të deklaruar mbjelljen e mosbesimit ndaj kandidatëve dhe sistemit politik në përgjithësi”, deklaroi Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein.
Dymbëdhjetë nga të akuzuarit punonin për Agjensinë Kërkimore të Internetit, një kompani me seli në Rusi që zhvillon operacione influence në emër të Moskës.
Të akuzuarit përballen me tetë akuza penale, përfshirë përpjekjet për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, konspiracion për mashtrim, si dhe vjedhje identiteti.
Megjithatë, nuk akuzohen zyrtarë të fushatës Trump për pjesëmarrje në këtë skemë.
“Nuk ka asnjë akuzë për amerikanë që mund të kenë marrë pjesë me vetëdije në këtë aktivitet të paligjshëm. Nuk ka asnjë akuzë se këto veprime të paligjshme mund të kenë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016”, saktësoi zoti Rosenstein.
Presidenti Donald Trump e ka quajtur hetimin ndaj Rusisë një “rreng” dhe një “gjueti shtrigash”, të drejtuar nga kundërshtarët e tij politikë. Gjithashtu, ai ka refuzuar në mënyrë të përsëritur akuzat se Rusia ndërhyri në zgjedhje.

(Kosova Sot)