Pavarësia rritet bashkë me pavarësinë (FOTO)

  • 18 February 2018 - 10:48
Pavarësia rritet bashkë me pavarësinë (FOTO)

VAJZA NGA SLLOVIA E LIPJANIT FESTON BASHKË ME QYTETARËT NË DEKADËN E PARË TË MËVETËSISË SË KOSOVËS

E lindur më 17 shkurt 2008, në çastet kur në Parlamentin e Kosovës po lexohej deklarata e Pavarësisë së Kosovës, s'kishte se si të emërohej ndryshme, përveçse Pavarësi, duke u bërë njëkohësisht një nga fëmijët më fatlum të shtetit më të ri

Poezi mjaft emocionuese për bashkëmoshatarët e saj

Ditëlindjet janë ngjarje mjaft të rëndësishme në jetën e çdo fëmije. Sjellin kënaqësi dhe kujtime mjaft jetëgjatë për të vegjlit. Sidomos ato që shënojnë një dekadë. Por, për Pavarësie Sopa, nga Sllovia e Lipjanit, ditëlindja e saj shënon një moment të rëndë- sishëm. Pasi ditëlindjen do ta festojë e pandarë me shtetin e saj. E lindur më 17 shkurt 2008, në çastet kur në Parlamentin e Kosovës po lexohej deklarata e Pavarësisë së Kosovës, s'kishte se si të emërohej ndryshme, përveçse Pavarësi, duke u bërë njëkohësisht një nga fëmijët më fatlum të shtetit më të ri. Për çdo përvjetor, Pavarësia do të bëhej një nga personat më të famshëm në vend, por këtë vit përvjetori i saj i 10-të do të mbetet tejet i veçantë. 

Pavarësia ndihet mjaft e relaksuar

Shumë fëmijë dhe prindër ishin mbledhur gjatë ditës së djeshme (e premte, 16 shkurt 2018) në shkollën fillore "Hasan Zyko Kamberi" të Sllovisë së Lipjanit, për të shënuar dy dhjetëvjetorë të rëndësishëm, njërin për nxënësen e kësaj shkolle dhe fëmijën më të famshëm në vend, Pavarësie Sopa. E rrethuar nga shokët e klasës, Pavarësia ndihet mjaft e relaksuar dhe e gatshme të mos refuzojë interesimin e medieve për të, për foto, dhe për të pyetje, shumëçka dhe marrë mendim sikur nga një person me famë. Por, në fakt Pavarësia është si çdo fëmijë tjetër i moshës së saj, një nxënëse e përkushtuar dhe e sjellshme, duke e bërë atë një shembull për të gjithë. Ndërsa ishte edhe vetë pjesë e programit që nxënësit e shkollës së saj kishin përgatitur për dy përvjetorët më të rëndësishëm të shkollës së tyre. Ajo recitoi edhe një poezi mjaft emocionuese për "bashkëmoshatarët' e saj. Ajo ndihet shumë mirë në këtë festë dhe shumë e lumtur që tashmë po feston ditëlindjen me Kosovën. Ndihem mjaft me fat, ka thënë Pavarësia për "Kosova Sot", kur në ato moment të rëndësishëm të Kosovës ka ardhur në jetë dhe që sot bashkë me Kosovën feston dhjetëvjetorin, siç ka thënë ajo ditëlindjet tona."Po kalojmë shumë mirë së bashku me shokët tanë, kemi përgatitur një program të veçantë që këtë festë ta kalojmë shumë më mirë dhe prindërve tanë t'u pëlqejë sa më shumë", ka potencuar nxënësja Pavarësie Sopa për "Kosova Sot".

Një nxënëse që duhet marrë shembull

Edhe për mësuesen e saj, Mimoza Kryeziu, Pavarësia është një nxënëse që duhet marrë shembull, një fëmijë i kujdesshëm dhe shumë i përkushtuar ndaj detyrave të saj. Ajo ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se Pavarësia është bërë dhjetëvjeçare, e kupton shumë mirë emrin që e ka dhe e mban më shumë krenari. Si mësuese e saj, ajo thotë vetëm fjalë të mira, duke filluar prej edukatës që e karakterizon, suksesit të shkëlqyeshëm në mësime, çka siç ka thënë ajo e bën mjaft të kënaqur si mësuese të saj. Pavarësia është një shembull për bashkëmoshatarët e saj. Shpresoj që një ditë edhe Kosova jonë do të shndritë sikurse pavarësia jonë. Urime të gjithëve për këtë përvjetor", ka thënë mësuesja Mimoza Kryeziu. 

Image
Image
Image

 

(Kosova Sot)