Mafio-oligarkët festojnë miliardat, Kosova vuan në përvjetorin e dhjetë!

  • 18 February 2018 - 07:47
Mafio-oligarkët festojnë miliardat, Kosova vuan në përvjetorin e dhjetë!

EKONOMIA KOSOVARE, BURIM PASURIMI PËR PUSHTETARËT E KORRUPTUAR DHE TË INKRIMINUAR ME NËNTOKËN KRIMINALE

Beqiri: 20.250 biznese kosovare, si pasojë e kushteve të vështira për të bërë biznes, e kanë shuar aktivitetin e tyre ekonomik

 

Në dekadën e parë të shtetësisë doemos se duhet shtruar pyetjen se ku është ekonomia e Kosovës, 10 vjet pas pavarësisë së saj. Bazuar në vlerësimet e njohësve dhe specialistëve të kësaj fushe vlerësojnë se gjate këtyre dhjetë vjetëve shtetësi, ekonomia e Kosovës u fut në kolaps, në monopole kriminale dhe në informalitet. Analistët vlerësojnë se ekonomia e vendit tonë është e okupuar me monopole kriminale dhe si e tillë ajo po kontrollohet nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, nga Devollët, klani " Pronto", klani " Coca-Cola Zero", vëllezërit e Hashim Thaçit dhe vëllezërit dhe politikanët shefa të shefave në nivel qendror dhe atë komunal, në Prishtinë me Shpend Jahtin në krye. Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar, Muhamet Mustafa tha për " Kosova Sot", se ekonomia e Kosovës është në një situatë kur duhet të realizojë rritje më të madhe ekonomike dhe të luftojë kundër konkurrencës joreale, kundër monopoleve të çfarëdo forme qofshin ato. "Veç saj, Kosova edhe duhet që të fuqizojë rritjen e ofertës vendore, sepse modeli i deritashëm i rritjes ekonomike e ka harxhuar forcën e vet dhe nuk do të realizojnë rritje më të madhe ekonomike", vlerësoi ai. Vëllezërit Devolli, si zakonisht, nuk i kanë kthyer përgjigje gazetarit.

Duhen së paku 700 milionë euro investime

"Kosova duhet ta luftojë edhe informalitetin,që është pjesë e konkurrencës fer dhe reale,që po pengohet nga informaliteti që te ne është 30 - 38 për qind, gjë që është një shifër e ngjashme në rajon,por që duhet bërë çmos në mënyrë që ta zvogëlojmë informalitetin", ka thënë Muhamet Mustafa për "Kosova Sot"

Mustafa theksoi se në qoftë se Kosova nuk bëhet më atraktive edhe për investime vendore, edhe ato të jashtme, ekonomia do të pësojë. "Kjo, ngase Kosova duhet që të investojë gjatë një viti në sektorin privat së paku 700 milionë euro në mënyrë që të realizojë një rritje ekonomike prej 7 për qind për të zgjidhur problemin" , u shpreh më tutje ai. "Që të bëhet më atraktive për investitorët e huaj dhe vendorë, Kosova duhet që të luftojë korrupsionin, që të sigurojë konkurrencën reale e të lirë dhe që të financohen bizneset prodhuese vendore", theksoi ai. "Kosova duhet ta luftojë edhe informalitetin, që është pjesë e konkurrencës fer dhe reale, që po pengohet nga informaliteti që te ne është 30 - 38 për qind, gjë që është një shifër e ngjashme në rajon, por që duhet bërë çmos në mënyrë që ta zvogëlojmë informalitetin", ka shtuar Mustafa. Ndërkaq, duke dhënë përgjigje në pyetjen se a ka mundur që të bëhet më shumë për ekonominë e Kosovës, eksperti Mustafa tha se kanë qenë të gjitha kushtet po të kishin qenë politikat e mira ekonomike, sikur të ishte luftuar më shumë korrupsioni.

Legjislacioni, demotivues për investitorët

Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot' se Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008, duke trashëguar një ekonomi të brishtë nga një sistem kolonizues dhe i cili qëllimin primar e kishte që të rrënojë këtë ekonomi që i mbante gjallë shqiptarët e Kosovës. "Si dihet, Kosova si një vend i dalë nga një luftë e gjatë, u ballafaqua me sfida të jashtëzakonshme, duke bartur në supet e veta edhe zhvillimin ekonomik, politik, kulturor e social. Siç dihet, në këtë jubile të 10- vjetorit të Pavarësisë së vendit, Kosova ende qëndron dobët sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ka përmirësime të dukshme, rangimi i Kosovës në raportet ndërkombëtare dita- ditës ka marrë mesazhe pozitive, sidomos në hartimin dhe harmonizimin e ligjeve në sferën ekonomike, pra Kosova ka ligje standarde si të BEsë, mirëpo zbatueshmëria po e zbeh këtë standard ndërkombëtar", u shpreh ai. Sipas tij, ekonomia e vendit është e varur nga importi me një papunësi rekorde dhe të vazhdueshme, me një arsim të degraduar, me një shëndetësi që punëson dajë e nipa, me një kulturë të lënë në dorën e këngëtarëve tallava, me një sistem financiar të lënë në dorën e bankave, që fitimet marramendëse tregojnë për një grup për mendimin tim kriminal."Investitorët kanë perceptim negativ për Kosovën, janë shumë faktorë që kanë ndikuar te ky perceptim. Ligji aktual për investime nuk është i favorshëm për investitorë të huaj, andaj institucionet relevante duhet që shumë shpejt të hartojnë politika të përshtatshme për investime, pastaj mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e mbështetjes institucionale, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale janë disa nga këto pengesa që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi, ose të mos vijnë fare", ka vlerësuar Beqiri.

Mungojnë platformat zhvillimore

Sipas analistit Beqiri, mungesa e platformave për zhvillim ekonomik, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, e kanë sjellë vendin në këtë situatë të vështirë ekonomike. "Që nga pas lufta niveli i papunësisë është pothuajse i njëjtë diku 35 për qind deri në 45 për qind. Pra, nuk ka zhvillim ekonomik pavarë- sisht premtimeve për vende të reja pune, në zgjedhjet e kaluara kemi pasur shumë premtime, dikush nga partitë kishte premtuar 200 mijë vende pune, të tjerët 150 mijë, por realiteti ka dëshmuar se kryesisht ka pasur punësime të vogla dhe atë janë punësuar kryesisht militantë të partive qeverisëse", ka thënë ai. "Pas vitit 1999, me vendosjen e Administratës së Përkohshme Ndërkombëtare në Kosovë, u mundësua regjistrimi i përkohshëm i bizneseve, deri në mars të vitit 2003. Pas këtij viti, regjistrimi i bizneseve mori një kah pozitiv dhe u shndërrua nga regjistrimi i përkohshëm në regjistrim të përhershëm. Hapja e ndërmarrjeve dhe regjistrimi i tyre u zhvillua me një hov të madh, nga viti 2000 deri në fund të vitit 2014 janë regjistruar rreth 134.868 biznese, dhe mund të konstatojmë se nga gjithsej 160.176 biznese ( duke përfshirë edhe bizneset nga viti 2015 TM3/2017) aktivitetin e tyre e kanë shuar 12.38 për qind e bizneseve. Nga viti 2015 deri në 2017 janë regjistrua hiç më pak se 27. 229 biznese në gjithë territorin e Republikës. Mirëpo, që nga viti 2001 deri në vitin 2017 aktivitetin e tyre ekonomik e kanë shuar 20. 250 biznese kosovare, si pasojë e kushteve të vështira për të bërë biznes, dhe ky trend i mbylljes ka vazhduar edhe në vitet në vijim", shpjegoi më tutje ai. "Qendra Turistike e skijimit në Brezovicë ende vazhdon të menaxhohet nga strukturat e shtetit të Serbisë,që do të thotë se të gjitha të hyrat që i bën kjo ndërmarrje shoqërore nga vizitorët, në përjashtim të parkimit të veturave, derdhen në fonde të Serbisë. Si pasojë e ndikimit direkt të Serbisë, drejtoria e kësaj qendre nuk jep llogaridhënie tek autoritetet komunale të Shtërpcës si biznes që zhvillohet brenda territorit të kësaj komune. Serbia vazhdon ende pushtetin e saj në shumë vende në Kosove, duke përfshirë edhe kompleksin turistik Brezovica, buxheti i tëri derdhet në buxhetin e Serbisë, duke përfshirë edhe të hyrat nga parkingu dhe shërbimet tjera. Këto ndërmarrje nuk paguan asnjë taksë për shtetin e Kosovës, fakt ky që e dëmton buxhetin e vendit. Vetëm borxhi ndaj Administratës Tatimore të Kosovës deri më tani është 4.5 milionë euro. Ndërkaq, ligjet për menaxhimin e tatimeve janë të njëjta për të gjitha komunat, por që në Komunën e Shtërpcës shef po del të jetë Serbia dhe llogaridhënia i bëhet asaj", ka theksuar analisti Lulzim Beqiri. "Këta politikanë duhet urgjentisht të hartojnë strategji efektive për ta luftuar këtë dukuri që njëherësh është edhe njëri nga obligimet që duhet të përmbushen në rrugëtimin drejt BE-së. Korrupsioni mund të jetë i lidhur shumë me tendenca materialiste, i cili mund të jetë si shkak i nevojave të vërteta të shkaktuara nga të ardhurat e vogla apo lakmia, mund të jetë edhe dëshira për të jetuar edhe përtej mundësive në kurriz të dikujt tjetër", thotë ai.

Me këtë kastë politike, degradimi ekonomik nuk ndalet

"Ekonomia me monopole kriminale është e okupuar dhe kontrollohet nga mafiooligarkët e nëntokës kriminale, siç janë Devollët, klani " Pronto", klani" Coca-Cola Zero", vëllezërit e presidentit aktual Hashim Thaçit, por edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët janë bërë shefa të shefave pa pasur asnjë diplomë të shkollës së kryer", ka potencuar Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot", tha se shpreson që ekonomia e Kosovës pas 10 vjetëve të jetë shumë më e mirë sesa që është sot. "Por, kam frikën se me këtë kastë politike në pushtet, të njëjtën gjendje ka për ta pasur Kosova edhe pas 10 vjetësh të tjera, ndoshta edhe më keq se tani", vlerësoi ai. "Ekonomia me monopole kriminale është e okupuar dhe kontrollohet nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, siç janë: Devollët, klani " Pronto", klani" CocaCola Zero", vëllezërit e presidentit aktual Hashim Thaçit, por edhe shumë politikanë të tjerë, të cilët janë bërë shefa të shefave pa pasur asnjë diplomë të shkollës së kryer", ka potencuar Grapci.

"Kjo Qeveri duhet të bëjë ndryshime rrënjësore në ekonomi, të luftojë kundër monopoleve dhe krimit të organizuar në ekonomi, si dhe të krijojë një mjedis institucional dhe biznesor,i cili do të mundësojë mobilizim maksimal të potencialit financiar të Republikës së Kosovës dhe të nxisë investimet e jashtme në funksion të zhvillimit ekonomik", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot"

Ndërsa, ishdeputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën" Kosova Sot " tha se askush prej nesh nuk kemi pritur se do të jetojmë në varfëri, edhe pas 10 vjetëve pavarësie. "Sot, Republika e Kosovës është shteti i vetmi në Evropë pa liberalizim të vizave, pra vendi më i izoluar, mbi 50 për qind e qytetarëve të vendit janë të papunë, vendi ynë në sytë e vendeve perëndimore shihet si vend ku nuk sundon ligji, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar është mjaft prezent", tha ai. "Edhe pas një dekade pavarësie, ekonomia e vendit është një ekonomi pa strategji, ku norma e zhvillimit ekonomik janë pompat e karburanteve,vilat që ushtrojnë prostitucion, niveli i investimeve të huaja janë të pakta, informaliteti në ekonomi është i lartë dhe këtu në këtë vend vetëm disa kompani, që janë monopoliste, kanë përfitime dhe askush tjetër. Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës, që ka qenë ëndërr e shumë brezave, ka kuptim vetëm atëherë kur qytetari i vendit jeton me dinjitet dhe perspektivë. Kjo Qeveri tani duhet të veprojë me hapa konkretë që të bëjë ndryshime rrënjësore dhe të merret më shumë me zhvillimin ekonomik të vendit", u shpreh ai. "Qeveria 'Haradinaj' nuk guxon që të jetë një qeveri rutinore, sikur kanë qenë qeveritë deri më tani, ajo duhet të jetë dinamike dhe zhvillimore dhe të jetë kundër çdo të keqe që e ka kapluar këtë vend. Ne presim nga Qeveria 'Haradinaj' që të kemi zhvillim të hovshëm ekonomik, i mbështetur në potencialin njerëzor dhe pasuritë natyrore të vendit tonë", ka theksuar analisti Neziraj.

(Kosova Sot)