Neziraj:Vendi ynë në sytë e vendeve perëndimore shihet si vend ku nuk sundon ligji

  • 18 February 2018 - 23:06
Neziraj:Vendi ynë në sytë e vendeve perëndimore shihet si vend ku nuk sundon ligji

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për gazetën" Kosova Sot " tha se askush prej nesh nuk kemi pritur se do të jetojmë në varfëri, edhe pas 10 vjetëve pavarësie. "Sot, Republika e Kosovës është shteti i vetmi në Evropë pa liberalizim të vizave, pra vendi më i izoluar, mbi 50 për qind e qytetarëve të vendit janë të papunë, vendi ynë në sytë e vendeve perëndimore shihet si vend ku nuk sundon ligji, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar është mjaft prezent", tha ai. "Edhe pas një dekade pavarësie, ekonomia e vendit është një ekonomi pa strategji, ku norma e zhvillimit ekonomik janë pompat e karburanteve,vilat që ushtrojnë prostitucion, niveli i investimeve të huaja janë të pakta, informaliteti në ekonomi është i lartë dhe këtu në këtë vend vetëm disa kompani, që janë monopoliste, kanë përfitime dhe askush tjetër. Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës, që ka qenë ëndërr e shumë brezave, ka kuptim vetëm atëherë kur qytetari i vendit jeton me dinjitet dhe perspektivë. Kjo Qeveri tani duhet të veprojë me hapa konkretë që të bëjë ndryshime rrënjësore dhe të merret më shumë me zhvillimin ekonomik të vendit", u shpreh ai. "Qeveria 'Haradinaj' nuk guxon që të jetë një qeveri rutinore, sikur kanë qenë qeveritë deri më tani, ajo duhet të jetë dinamike dhe zhvillimore dhe të jetë kundër çdo të keqe që e ka kapluar këtë vend. Ne presim nga Qeveria 'Haradinaj' që të kemi zhvillim të hovshëm ekonomik, i mbështetur në potencialin njerëzor dhe pasuritë natyrore të vendit tonë", ka theksuar analisti Neziraj.

(Kosova Sot)