Kapja e shtetit nga mafio - oligarkët tremb investitorët e huaj

  • 19 February 2018 - 07:48
Kapja e shtetit nga mafio - oligarkët tremb investitorët e huaj

Kapitali i huaj po derdhet në vendet e rajonit, por jo edhe në Kosovë

Maloku: Pa një garanci të fortë se do të ketë sundim të ligjit nuk ka investime

"Është për keqardhje se si të gjitha këto vende janë bërë atraktive për bizneset e huaja, kurse Kosova ka degraduar si shtet i nëntokës kriminale, ku vetëm mafiooligarkët e nëntokës kriminale, të lidhur me parapolitikën dhe pushtetarët e inkriminuar të të dyja niveleve vazhdojnë të bëjnë ilegalisht dhe në mënyrë kriminale qindra miliona, përmes monopoleve dhe tenderëve kriminalë, të cilat para i fshehin në parajsa fiskale, për t'i pastruar dhe për t'i sjellë sërish në Kosovë, ku po vazhdojnë zhvatjen, por tani edhe në emra të kompanive fantome e në parajsa fiskale", është shprehur eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci

Janë shumë indikatorë që shërbejnë si arsye se përse po e shmangin Kosovën investitorët e huaj dhe po shkojnë në vendet e rajonit, si në Serbi, Maqedoni, Mali të Zi, por edhe Shqipëri. Analistët thonë se të gjitha këto vende janë bërë atraktive për bizneset e huaja, kurse Kosova ka degraduar si shtet i nëntokës kriminale, ku vetëm mafio-oligarkët të lidhur me parapolitikën dhe pushtetarët e inkriminuar të të dyjave niveleve vazhdojnë të bëjnë ilegalisht qindra miliona përmes monopoleve dhe tenderëve kriminalë, të cilat para i fshehin në parajsa fiskale, për t'i pastruar dhe për t'i sjellë serish në Kosovë, ku po vazhdojnë zhvatjen, por tani edhe në emra te kompanive fantome në parajsa fiskale? Ata thonë se një grup i vogël kriminal, por e kontrollon çdo gjë në këtë shtet. Ekspertë të çështjeve ekonomike, ndërkaq konsiderojnë se një ndër dështimet më të mëdha të qeverive të Kosovës gjatë 10 viteve të fundit, është rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

"Janë disa probleme thelbësore që po i trembin investitorët e huaj që të investojnë në Republikën e Kosovës, lufta e pakompromis e Serbisë për krijimin e imazhit negativ e ka bërë të veten. Siç dihet, investitori në kompleksin 'Brezovica' u largua nga investimi i tij si shenjë e kërcënimit të Qeverisë serbe, pastaj kriza politike në vend, gazi lotsjellës në shtëpinë e demokracisë, korrupsioni, ryshfeti, mossundimi i ligjit, ngecja e gjykatave në trajtimin e lëndëve ekonomike kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale, janë disa prej pengesave që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi ose të mos vijnë fare", vlerëson analisti Lulzim Beqiri për gazetën "Kosova Sot"

Imazhi negativ Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, theksoi për "Kosova Sot" se Kosova vazhdon të ketë parametra jo të favorshëm ekonomikë. "Ambienti i përgjithshëm ekonomik nuk shihet mundësi për investitorët e huaj. Imazhit të keq të Kosovës sa i përket korrupsionit, sundimit të ligjit, të bërit biznes, iu ka shtuar edhe kriza politike dhe vendimet çoroditëse te Qeverisë aktuale, rritja e pagave vetvetes,falja e borxheve, mbështetja për ata që mbajnë armë, loja me Demarkacionin", është shprehur ai. Ai thotë se investimet e huaja direkte janë shumë pozitive, sepse krijojnë mundësinë për rritjen e punësimit dhe rritjen e brutoprodhimit vendor në ekonominë e Kosovës.

"Ato krijojnë mundësinë që ta zvogëlojnë importin dhe ta rrisin eksportin, gjë që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës", është shprehur ai. Beqiri thekson se aprovimi i Ligjit për investime strategjike është një shpresë se do të kemi investitorë të rinj në Kosovë, por sundimi i ligjit mbetet sfida kryesore."Janë disa probleme thelbësore që po i trembin investitorët e huaj që të investojnë në Republikën e Kosovës, lufta e pakompromis e Serbisë për krijimin e imazhit negativ e ka bërë të veten. Siç dihet, investitori në kompleksin 'Brezovica' u largua nga investimi i tij si shenjë e kërcënimit të qeverisë serbe, pastaj kriza politike në vend, gazi lotsjellës në shtëpinë e demokracisë, korrupsioni, ryshfeti, mossundimi i ligjit, ngecja e gjykatave në trajtimin e lëndëve ekonomike, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale, janë disa prej pengesave që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi, ose të mos vijnë fare", vlerëson analisti Beqiri.

Ai thotë se çdo kompani e huaj, e cila dëshiron të investojë në Kosovë, së pari hulumton procedurat për regjistrim, taksat, ambientin politik dhe juridik, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe në bazë të kësaj vendos se a do të investojë apo jo. "Fatkeqësisht Kosova ka ngecje në të gjitha kriteret e lartcekura dhe rrjedhimisht ka rënie të investimeve". Është shprehur ai. Beqiri thotë se Kosova ka bërë disa hapa për të përmirësuar klimën e të bërit biznes, mirëpo hapa konkretë nuk ka ndërmarrë. "Kosova qëndron mirë me ligje, mirëpo në terren ende ka probleme serioze, andaj nëse Kosova dëshiron të thithë investime të huaja duhet ndërruar mentalitetin e politikanëve", është shprehur Beqiri për gazetën "Kosova Sot".

Maloku: Kosova, një "El Dorado" e krimit dhe korrupsionit

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, theksoi për "Kosova Sot" se deri me ardhjen e Qeverisë së Ramush Haradinajt në këtë post, pra që nga paslufta e deri më sot, në Kosovë të bësh biznes ka qenë shumë e vështirë."Ka qenë një grup i vogël kriminal që po e kontrollon çdo gjë në këtë shtet. Dhe, për fatin e keq, kjo heshtje e institucioneve të drejtë- sisë dhe policisë së krimeve ekonomike bëri që Kosova të bëhet një "El Dorado" e krimit dhe korrupsionit, me informalitet mbi 40 për qind, kontrabandë dhe krim ekonomik, monopole kriminale që janë në duart e mafio-oligarkëve të lidhur me pushtetin, të cilit ia mbushin rregullisht "gushën" e kontot e tyre", është shprehur ai. 

Maloku shpreson se Qeveria 'Haradinaj' nuk do të lejojë diç të tillë dhe do të ofrojnë kushtet shumë më të mira të bërjes së biznesit, qoftë për bizneset vendore apo investitorët e huaj që duan të investojnë tek ne. "Mirëpo, kushti kryesorë është që të ketë sundim të ligjit që është baza e krijimit të barazisë para ligjit për të gjitha bizneset, qofshin vendore apo të huaja. Andaj, pa një garanci të fortë nga ana e kryeministrit se do të ketë sundim të ligjit nuk ka investime as vendore e aq më pak investime të huaja", është shprehur ai. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, theksoi për "Kosova Sot" se vetëm investimet e huaja direkte janë të domosdoshme për realizimin e dinamikës së projektuar të zhvillimit të hovshëm ekonomik në Republikën e Kosovës.

"Por, për tërheqjen e këtyre investimeve, përveç infrastrukturës ekonomike, siç është Ligji për investime strategjike dhe ligje të tjera, vendi ynë duhet që në mënyrë urgjente të garantojë se do të kemi sundim të rendit dhe ligjit, siguri të plotë për investitorët e huaj dhe garanci nga ana e qeverisë për fitimet e realizuara", është shprehur ai. Neziraj thekson se deri më tani kjo i ka munguar Kosovës, sepse nuk kemi pasur ofertë të qartë dhe kredibile për investitorët e huaj.

"Në momentin kur të arrihet kjo dhe kur të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në funksion të mbrojtjes së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik dhe kundër bizneseve monopoliste, vetëm atëherë do të kemi investitorë të interesuar që do të vijnë në vendin tonë", është shprehur ai. Neziraj thekson se Qeveria e z. Haradinaj këtë e ka të qartë dhe do të detyrojë të gjitha mekanizmat e shtetit që të ofrojë një ambiente të favorshëm për investitorët e jashtëm, që janë e vetmja shpresë për zhvillim ekonomik dhe zvogëlim të papunësisë së madhe që ka vendi ynë.

Grapci: Rënia e investimeve të huaja, për shkak të dështimeve qeveritare

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë se për gazetën "Kosova Sot" se fqinjët tanë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Shqipëria, si shtete të rajonit tonë, kanë qenë shumë më "agresive" në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare. Ai shton se ajo çka i karakterizon këto shtete kanë krijuar lehtësira në të bërit biznes, një qasje më agresive karshi brendeve, bazuar në Ligjin për Investime Strategjike dhe mbi të gjitha kanë përmirësuar imazhin politik.

Sipas Grapcit, kjo qeveri e tashme e Kosovës duhet që të mësojë nga vendet e rajonit dhe nuk i bëhet nder që Maqedonia të jetë edhe absorbues i investimeve të huaja, por edhe eksportues shumë më i madh sesa Kosova. "Në të njëjtin rang është edhe Mali i Zi,e mos të flasim për Serbinë", është shprehur ai. Sipas Grapcit, është për keqardhje se si të gjitha këto vende janë bërë atraktive për bizneset e huaja, kurse Kosova ka degraduar si shtet i nëntokës kriminale, ku vetëm mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe të lidhur me parapolitikën dhe pushtetarët e inkriminuar të të dyja niveleve, vazhdojnë të bëjnë ilegalisht dhe në mënyrë kriminale qindra miliona, përmes monopoleve dhe tenderëve kriminalë, të cilat para i fshehin në parajsa fiskale, për t'i pastruar dhe për t'i sjellë sërish në Kosovë, ku po vazhdojnë zhvatjen, por tani edhe në emra të kompanive fantome e në parajsa fiskale.

"Për të huajt duhet që të garantojmë se kushtet për të investuar në Kosovë janë të mira dhe investimet janë të sigurta. Dhe që ata do të jenë subjekt i një trajtimi të barabartë si të gjithë investitorët e tjerë dhe do të mund të marrin përfitime nga operimi në Kosovë. Ndryshe edhe situata politike është shkaktar i rënies së nivelit të investimeve të huaja", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Florim Rrudhani 

Ndërsa, analisti Florim Rrudhani thotë për gazetën "Kosova Sot" se Qeveria "Haradinaj" duhet që të krijojnë ambient më të përshtatshëm për investitorët."Kjo ngase arsyet përse investitorët po hezitojnë të vijnë në Kosovë lidhen me mosfunksionim të mirë të gjykatave, moszbatim të kontratave, që rrit riskun e operimit në Kosovë. Dhe, për pasojë i frikëson investitorët të vijnë dhe të investojnë në Kosovë", është shprehur ai. Rudhani thotë se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë politika ekonomike për tërheqjen e investuesve të huaj në të gjithë sektorët, konkretisht në ata që gjenerojnë zhvillim ekonomik."Sepse për të huajt duhet që të garantojmë se kushtet për të investuar në Kosovë janë të mira dhe investimet janë të sigurta. Dhe që ata do të jenë subjekt i një trajtimi të barabartë si të gjithë investitorët e tjerë dhe do të mund të marrin përfitime nga operimi në Kosovë. Ndryshe edhe situata politike është shkaktar i rënies së nivelit të investimeve të huaja", është shprehur ai.

(Kosova Sot)