Kthesat 20-vjeçare të Hashim Thaçit

  • 19 February 2018 - 10:49
Kthesat 20-vjeçare të Hashim Thaçit

Dy vjet i uniformuar në UÇK në role ushtarake e politike, dy mandate jashtë pushtetit, tri mandate të papërfunduara në pushtet, derisa përfundimisht erdhi në krye të shtetit në rolin e pretenduar të "unifikuesit", pozitë të cilën vazhdon ta mbajë edhe sot

Këto janë 20 vjetët e njeriut që, i njohur me nofkën e luftës “Gjarpri”, tashmë është politikani më jetëgjatë në skenën kosovare, me lëvizje që shpesh e bënë kundërthënës dhe nxitën debatesh brenda dhe jashtë Kosovës.

Por, cila ishte figura e studentit të historisë përgjatë dy dekadave?

I lindur më 24 prill 1968 në Burojë të Skenderajt, Hashim Thaçi, aktivitetin e tij politik e kishte nisur si pjesëtar i një grupacioni ushtarak. Ai në vitet 1998-99 ishte drejtor politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Por, Thaçi do të bëhej gjerësisht i njohur për publikun, vetëm kur i zgjedhur si përfaqësues politik i UÇK-së do të udhëhiqte delegacionin shqiptar në bisedimet e Rambujesë.

Këtu për herë të parë, shpërfaqet hapur mosdurimi mes tij dhe Ibrahim Rugovës, rivalitet ky që do të zgjaste deri në vdekjen e këtij të fundit, e që do t’i hapte rrugën për pushtetin që nuk e lëshoi më kurrë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Thaçi drejtoi procesin për çarmatosjen e UÇK-së dhe transformimit të saj në TMK, por nuk arriti ende që FSK-në ta transformojë në Forcë të Armatosur, ani pse këtë e kishte premtuar dhjetëra herë.

Në tetor të vitit 1999 ai themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës, ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilës ia ndërroi emrin dhe vazhdoi ta drejtonte deri në zgjedhjen president.

Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga marsi i vitit 1999 deri në janar të vitit 2000, kur ai i humbi zgjedhjet lokale. Një vit më pas, PDK-ja e drejtuar nga ai humbi edhe në zgjedhjet nacionale.

Dalëngadalë, fuqia e subjekteve politike në vend mori formë, me LDK-në në dominim total në të dyja nivelet e qeverisjes ndërsa padurimi i PDK-së së Hashim Thaçit për të hipur në pushtet po rritej.

Njeriu që kishte qenë në krye të UÇK-së, nuk mori besimin qytetar, për çfarë ai u detyrua që për 8 vjet rresht, të qëndronte në opozitë. Për ato dy mandate ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2005, Thaçi formoi dhe drejtoi të ashtuquajturin Kabinet për Qeverisje të Mirë, apo siç njihej ndryshe Qeveria në Hije.
Ndërkohë ai ishte pjesë e Ekipit të Unitetit gjatë bisedimeve në Vjenë, për zgjedhjen e statusit final të Kosovës.

Pas vdekjes së Rugovës në janar të vitit 2006, rivali politik më i madh i tij, Thaçi, do të ndryshonte krejtësisht qasjen ndaj figurës së tij.

Edhe pse dikur e kishte akuzuar Rugovën, sidomos pas takimit të tij me Millosheviqin, tani ai shpreh ngushëllime për të, i përkulet para varrit dhe viziton familjen e tij në shtëpinë të cilën kur Rugova po përpëlitej me sëmundjen vdekjeprurëse, e kishte quajtur “shtëpi të krimit”.

Çarja e LDK-së të cilës i parapriu vdekja e liderit historik të saj, Ibrahim Rugova, ia shtroi rrugën Thaçit drejt pushtetit.

Në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2007, PDK doli e para, dhe si kandidat i koalicionit PDK – LDK, Hashim Thaçi u bë kryeministër për herë të parë.
Pas fiks 2 muajsh që mori postin e kryeministrit, Thaçi lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Rrethanat që çuan deri te përcaktimi që Thaçi si Kryeministër ta lexojë këtë deklaratë mbeten ende të paqarta.

Por, gati tri vjet më pas, në tetor 2010, koalicioni PDK – LDK u prish pasi që Gjykata Kushtetuese e gjeti Presidentin Fatmir Sejdiu në shkelje të Kushtetutës duke mbajtur në të njëjtën kohë postine Presidentit dhe atë të kryetarit të LDK-së. Sado që postin e dytë e kishte shpallur të ngrirë kohë më parë.

Dorëheqja e Sejdiut nga Presidenca e ktheu atë në seli të partisë nga e cila, pak ditë më pas, u vendos që ministrat e LDK-së të tërhiqen nga qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi.

Në zgjedhjet pasuese, Thaçi e gjeti një partner tjetër qeverisës, AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilin fillimisht e bëri President por pas një vendimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese që e shtyri të dorëhiqej, e ktheu në kabinetin qeveritar në posrin e Zëvendës Kryeministrit.

Në qershor të vitit 2014, në zgjedhjet e parakohshme të nxitura nga Thaçi, partia e tij sërish doli e para.
Në dhjetorin e atij viti, Thaçi pozitën e shefit të ekzekutivit ia ‘dhuroi’ Isa Mustafës, ndërsa për vete mori postin e zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, si fazë kalimtare e ngritjes së tij në krye të shtetit në prill të vitit 2016, atëherë kur Atifete Jahjagës t’i përfundonte mandati. 

Por, pas 16 viteve në politikë, përfundimisht ai u ‘zhvesh’ nga petku i politikanit partiak, për t’u zgjedhur kështu president i vendit, ani pse zgjedhja e tij në krye të shtetit u shoqërua me protesta e gaz lotsjellës. Sot ai numëron plot dy dekada në skenën politike raporton Kallxo.com

Gjatë gjithë kësaj kohe, ai kishte dhënë shumë premtime, të cilat jo rrallë herë nuk i kishte mbajtur.
Pas dështimit të votimit të Speciales në qershor të vitit 2015, Thaçi i u bëri presion deputetëve të tij t’i votonin të njëjtat amandamente më 3 gusht të atij viti. Por, javën e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar ai mbështeti idenë e shfuqizimit të kësaj gjykate. Më pas u tërhoq, por vetëm pas presionit ndërkombëtar.

Kjo nuk ishte hera e vetme që Thaçi nuk u ndejti pas fjalëve të thëna.
Premtimi i tij për transformimi i FSK-së në ushtri u shty nga viti në vit, për të mos u bërë ende realitet.

Me Thaçin kryeministër, ministër të punëve të jashtme e tash president, Kosova mbeti një vend i izoluar, pa liberalizim të vizave, ani pse edhe këtë e premtoi disa herë.
Hashim Thaçi premtoi edhe që do ta padiste Dirk Martin, autorin e një raporti të Këshillit të Europës i cili e futi Kosovën në ballinat e mediave ndërkombëtare me lajme negative, por ai nuk e bëri kurrë.

Në rolin e presidentit ai ka marrë përsipër që ta udhëheqë dialogun politik me Serbinë, proces që e kishte nisur sa ishte kryeministër. Madje marrëveshjen e ashtuquajtur ‘historike’ synon ta nënshkruajë vetë.
Transformimin e tij nëpër vite nga një ‘nacionalist idealist’ në ‘pragmatist materialist’, analisti Behlul Beqaj e kishte përmbledhur në një fjali
“Nga Hashimi që e pata njoftuar në takimin parë, nuk ka mbetur as H- prej tij”, thoshte Beqaj.

(Kosova Sot)