Kelmendi: Klasa politike dëshmoi se nuk di, por edhe nuk do të qeverisë mirë

  • 19 February 2018 - 12:59
Kelmendi: Klasa politike dëshmoi se nuk di, por edhe nuk do të qeverisë mirë

Eksperti i Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se kasta politike në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, e deri më sot sigurisht se ka dëshmuar se nuk do e ndoshta nuk di, por edhe nuk do ta mirëqeverisë vendin, duke filluar nga kreu i shtetit e deri tek ai shërbëtori i institucionit qeveritar e ka mendjen se si të përfitojë në mënyrë të paligjshme, duke filluar nga tenderët nga paratë e investuara gabimisht nga investitorët e huaj apo në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.

"Të gjitha qeveritë e deritashme e kanë keqpërdorur pozitën në mënyrë të qëllimshme dhe e tëra kjo nuk u bë rastësisht, se kemi të bëjmë me njerëz të pangopshëm, që janë pronarë të shumë milionëve dhe dita ditës ata i rritën apetitet e tyre duke synuar që të kalojnë në miliarderë", është shprehur ai. Kelmendi theksoi se ka rënë optimizmi në opinion dhe tek qytetarët shumica e të cilëve e shohin perspektivën e tyre duke lëshuar Kosovën dhe duke shkuar në Perëndim.

"Kjo gjendje nuk ndryshon derisa në pushtet të qëndrojnë këta persona: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa, sepse këta janë njerëzit që e kanë dërguar Kosovën para humnerës", është shprehur ai. Shton se "burgu për të apostrofuarit do të ishte gjëja më e mirë që do t'u ndodhte qytetarëve." 

(Kosova Sot)