Kupola e drejtësisë, avokate e krimit

  • 20 February 2018 - 07:33
Kupola e drejtësisë, avokate e krimit

PA SUNDIM TË LIGJIT, NUK KA SHPRESË NË KOSOVË

Miftari: Në Kosovë ligji është selektiv dhe i manipuluar nga zyrtarët e shtetit dhe zyrtarët e drejtësisë, si prokurorë, gjyqtarë, hetues "Në këtë sistem të kalbur të drejtësisë nuk ka prokurorë dhe gjyqtarë të guximshëm që të godasin 'peshqit e mëdhenj' të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale. Pa rrënimin e kupolës kriminale në sistemin e drejtësisë nuk mund të luftohen 'peshqit e mëdhenj' të politikës dhe as që mund të bëhet fjalë për kthim të shpresës tek qytetarët", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

E dhe në pritjen shtetërore të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, për zyrtarët e lartë të vendeve mike shqetësimi i miqve ndërkombëtarë, i shfaqur para krerëve të shtetit, ishte mungesa e vullnetit institucional për instalimin njëherë e përgjithmonë të shtetit ligjor. Në këtë pikë ishte edhe ndihmëssekretari i Mbrojtjes i ShBA-së për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Robert S. Karem, i cili deklaroi qartë se Kosova po ngec në këtë rrafsh."Tani duhet të zgjidhni rrugën e së ardhmes, të luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të zbatohet sundimi i ligjit", ka theksuar ai.

Analistët shtrojnë një varg pyetjesh pse në Kosovë, ku nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve të inkriminuar në të dyja nivelet e pushtetit kontrollojnë komplet sistemin e drejtësisë, akoma nuk ka kush të implementojë kërkesat e SHBA-së për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe sjelljes para drejtësisë të të gjithë të inkriminuarve? A është problemi më i madh që ka sot Kosova sistemi i kalbur i drejtësisë!? Pse në këtë sistem nuk doli një herë një prokuror i guximshëm apo një gjyqtar që të godasë 'peshqit e mëdhenj' të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale, për të kthyer shpresën tek qytetarët se në këtë vend ka mundësi të ketë sundim të ligjit dhe ka njerëz që guxojnë të marrin të çojnë prapa grilave kriminelët që po e zhvatin e shkatërrojnë Kosovën pandalshëm çdo ditë?! Njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se aq thellë është kapur sistemi i drejtësisë në Kosovë saqë zyrtarët e lartë të shtetit nuk ia dinë dhe nuk duan t'i marrin seriozisht asnjë nga vërejtjet apo mesazhet e ndërkombëtarëve, sepse po vepruan sipas porosisë së tyre, ata do të ishin viktimat e para që do të binin para ligjit.

Sistemi i kalbur

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu tha për "Kosova Sot" se në këtë fushë Kosova do të vendnumërojë përderisa nuk pavarë- sohen plotësisht institucionet e drejtë- sisë dhe drejtuesit e tyre nga telekomandat e politikës."Problemi përse nuk kemi gjyqtar dhe prokuror hero është fakti se ne nuk kemi traditë të gjyqë- sisë, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta krijojmë këtë traditë. Është problem i vetëdijes sonë qytetare e patriotike. Ne jemi mësuar t'i shohim gjyqtarët e prokurorët në funksion të pushtuesit, por jo edhe në shërbim të atdheut. Gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët, duhet të jenë patriotët më të mëdhenj të vendit. Faj për këtë gjendje në gjyqësi kanë edhe mediet, për shkak se shumë pak i afirmojnë rastet pozitive dhe aq më pak i denoncojnë rastet negative", tha Spahiu për "Kosova Sot". 

Degradim alarmant shtetëror

Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë për gazetën "Kosova Sot" se "nuk i dëgjojnë këshillat këta, asnjëherë nuk janë shqetësuar për interesin publik, këta janë të shantazhuar dhe veprojnë vetëm nëse u rrezikohen "liria dhe financat" e tyre. Kosova shtet i bëri 10 vjet, u gëzuan qytetarët, u gëzuan të gjithë ata që kontribuuan për këtë. T'i analizojmë kokëftohur, i gjithë organizimi shtetëror ishte shumë për të dëshiruar, kjo kastë as nuk di se si funksionon shteti e as si feston shteti. I gjithë protokolli katastrofë, ulëset në Kuvend para deputetëve, si në kanagjeq, parada e keqe, ushtarë-policë të papërgatitur, regres... më mirë ishte në paradën e kaluar. Kjo kastë politike nuk dinë dhe nuk e dinë se nuk dinë, kombinimi më i keq. Kjo është qasja ndaj shtetit. Personalja, familjarja, klanorja, fisnorja e në fund shtetërorja", u shpreh ai. "Publikimi i aktakuzave ndërkombëtare, vetëm kjo do t'i largojë, për të tjerat këta nuk frikësohen", tha Preteni për "Kosova Sot".

"Për këto 'suksese' duhet mburrur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, dhe të gjithë ishkryeministrat, ministrat dhe zyrtarë të tjerë me përgjegjësi shtetërore që ishin deri më sot. Dhe për sukseset e shtetit tonë duhen të mburren edhe kryeprokurorët, 'lodrat e politikës nga Teatri i Kukullave', si Ismet Kabashi, Syl Hoxha, Reshat Millaku etj.", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

Eksperti i fushës së të drejtës dhe sigurisë, Naim Miftari, thotë se deklarata e ndihmëssekretarit të Mbrojtjes së ShBA-së për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, Robert S. Karem, tregon qartë se amerikanët e dinë mirë se në Kosovë ligji është selektiv dhe i manipuluar nga zyrtarët e shtetit dhe sidomos zyrtarët e drejtësisë, si prokurorë, gjyqtarë, hetues."Sistemi i shtetit, sidomos i drejtësisë dhe ndjekjes, deri sot nuk arritën ta sjellin para ligjit pothuajse asnjë zyrtar lart të korruptuar apo i lidhur me krimin e organizuar dhe kjo tregon frikën dhe rolin e dyshimtë të organeve gjegjëse se në vend se t'i ndjekin e gjykojnë ata, i paralajmërojnë rregullisht dhe i mbrojnë rregullisht, kur duket ndonjë afër sheshit. Prandaj, edhe sot Kosova llogaritet si shtet karikaturë, shtet pa ardhmëri, shtet pa shpresë dhe shtet ku shumica e qytetarëve tanë duan të ikin jashtë shtetit, nëse do t'u jepet mundësia", theksoi Miftari për "Kosova Sot".Madje ai thotë se për këtë tentativë qytetare të ikjes së rinisë nga një vend nuk ka rend e ligj, meritorë janë të gjitha kokat në pushtet.

"Derisa sistemin e drejtësisë e kanë në dorë parapolitika, pushtetarët e nivelit të lartë dhe të inkriminuar e mafiooligarkët e nëntokës kriminale, edhe për një kohë Kosova do ta ketë të vështirë ta plotësojë edhe këtë standard në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot" 

Edhe analisti politik Naim Kelmendi thotë se deklarata e mikut amerikan flet më së miri për gjendjen që e kemi në sundimin e ligjit, që mund të thuhet se është duke vendnumëruar. "Faktikisht me vite të tëra sistemi i drejtësisë ka degraduar nga kontrolli dhe ndikimi politik që e ka kapur atë dhe aktualisht vazhdon të jetë i kapur dhe i kontrolluar nga mafio-politika dhe mafio-oligarkia e nëntokës, prandaj de-fakto me këta prokurorë e me këta gjyqtarë nuk ka shanse që të luftohen korrupsioni dhe krimi i organizuar", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo luftë ndaj krimit e korrupsionit po kërkohet edhe nga SHBA-ja edhe nga BE-ja, ndërsa është një standard apo detyrë shtëpie që Kosova duhet ta plotësojë me çdo kusht. 

ZEQA:NË KËTË SISTEM TË KALBUR TË DREJTËSISË NUK KA PROKUROR DHE GJYQTAR TË GUXIMSHËM QË TË GODASË 'PESHQIT E MËDHENJ' !

Sipas analistit Florim Zeqa, kërkesat e vazhdueshme të SHBA-ve për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe për sjelljen para drejtësisë të të gjithë të inkriminuarve po hasin në vesh të shurdhër të politikanëve të korruptuar, nëntokës kriminale dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar. "Në këtë sistem të kalbur të drejtësisë nuk ka prokuror dhe gjyqtar të guximshëm që të godasë 'peshqit e mëdhenj' të politikës dhe mafiooligarkisë kriminale. Pa rrënimin e kupolës kriminale në sistemin e drejtësisë nuk mund të luftohen 'peshqit e mëdhenj' të politikës, si dhe as që mund të bëhet fjalë për kthim të shpresës tek qytetarët. Përmes nismave individuale të prokurorëve e gjykatësve me etikë profesionale me mbështetjen e pjesës së pastër të Policisë së Kosovës dhe të qytetarëve është e mundur të bëhen përmirësime në sundimin e ligjit.", tha Zeqa për "Kosova Sot".

KAPITI: KRIMI I ORGANIZUAR, KORRUPSIONI DHE HAJNIA POLITIKE E DREJTËSISË DHE E ADMINISTRATËS, IA KANË ZËNË FRYMËMARRJEN SHTETIT 

Analisti politik Skënder Kapiti konsideron se deklarata e ndihmëssekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së për Çështjen e Sigurisë Ndërkombëtare është konstatimi dhe porosia më e saktë dhe më e duhura me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës."Krimi i organizuar, korrupsioni dhe hajnia politike e drejtësisë dhe e administratës, papërgjegjshmëria, paaftësia dhe nepotizmi i këtij sistemi regjimi mafiozo-oligarkik ia kanë zënë frymëmarrjen shoqërisë, shtetit dhe kombit. Por, një gjë duhet ta kenë parasysh SHBA-të, se po nuk u miratua me ndihmën dhe me këmbënguljen e tyre edhe në Kosovë një ligj VETTING-u, ashtu si në Shqipëri, kurrë nuk do ta kryejnë dhe as nuk do ta zbatojnë këtë këshillë të vyer të dhënë vazhdimisht prej SHBA-së", tha Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)