Meta flet për negociatat Shqipëri – Greqi, ku qëndron “vija e kuqe”

  • 20 February 2018 - 14:22
Meta flet për negociatat Shqipëri – Greqi, ku qëndron “vija e kuqe”

Në një dalje për mediat në lidhje me letrën dërguar ministrit Bushati për marrëveshjen shqiptaro – greke, Presidenti Ilir Meta u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe.

Sipas Metës edhe qëndrimi i opozitës është një formë, përmes gjykatës ndërkombëtare, por synimi ka qenë mes negociatave dypalëshe.

 “U detyrova sot jashtë dëshirës sime të bëj publike përgjigjen për MPJ lidhur me kërkesën e saj për autorizim negociatash për palën greke me qëllim qartësimin e opinionit brenda dhe jashtë vendit për këtë çështje mjaft të rëndësishme dhe më e debatueshmja gjatë dekadës së fundit.

Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që i kushtoj forcimit të marrëdhënieve dhe rritjes së frymës së mirëbesimit me të gjithë fqinjët.

Duhet të theksoi mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare për këtë çështje. Duhet të ketë një angazhim të plotë nga të gjithë. Me këtë rast, dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit ndaj kësaj çështje do të jetë i bazuar vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, është vija e kuqe”, u shpreh Meta.

Qëndrimi i opozitës ose përfaqësuesit të saj ka qenë që kjo çështje duhet të zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare me mirëkuptim mes palëve. Sigurisht që është një mundësi. Qeveria ka synuar dhe synon që kjo çështje të zgjidhet përsëri përmes negociatave. 

Duke respektuar qëndrimin e opozitës, ka të drejtën e saj, njëkohësisht respektoj qëndrimin e qeverisë për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje përmes negociatave të reja, por duhet të theksoj se për këtë çështje ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një vijë e kuqe për të gjithë, duke filluar nga Presidenti i Republikës. Këtë drejtim është detyra e presidentit të respektojë këtë vendim, sepse presidenti është betuar për mbrojtjen e Kushtetutës”, tha Meta.