“Ari i zi” nuk po i pasuron shqiptarët! Industria e naftës në krizë totale prej tre vitesh

  • 20 February 2018 - 16:29
“Ari i zi” nuk po i pasuron shqiptarët! Industria e naftës në krizë totale prej tre vitesh

Industria vendase e naftës po përjeton një periudhë të vështirë për shkak të rënies së çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Të dhënat zyrtare nga agjencia e burimeve natyrore tregojnë se në dy vitet e fundit prodhimi vendas i naftës ka rënë me mbi 30 për qind, nga 1.2 milionë tonë që ishte në vitin 2015 në vetëm 835 mijë tonë vitin e kaluar.

Ulja e fortë e prodhimit të naftës dhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka patur pasoja të ndjeshme për financat e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga ministria e financave, të ardhurat nga renta e naftës në buxhet kanë rënë me 3 herë brenda tre viteve. Nëse në vitin 2014, qeveria arkëtoi 60 milionë dollarë nga renta, vitin e kaluar shifra ishte vetëm 20 milionë dollarë.

Pritshmëritë janë që prodhimi i naftës të ulet më tej këtë vit, pasi kompanitë kanë ulur investimet. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet në prodhimin e naftës kanë rënë me ritme dramatike, nga 300 milionë euro që ishin në 2014-ën, më vetëm 60 milionë euro vitin e kaluar, pra 5 herë më pak.

Përtej konjukturës së pafavorshme në tregjet ndërkombëtare, një tjetër faktor që ka ndikuar ecurinë e industrisë së naftës është edhe konflikti mes qeverisë dhe “Banker Petroleum” prodhuesit kryesor të naftës në Shqipëri.

Javën e kaluar gjykata e arbitrazhit në Parisi dënoi qeverinë shqiptare ti paguajë kompanisë “Bankers” 57 milionë dollarë, të cilat sipas gjykatës qeveria ja ka marrë pa të drejtë në formën e taksave.

(Kosova Sot)