Hipermarketet po mashtrojnë konsumatorët

  • 20 February 2018 - 07:53
Hipermarketet po mashtrojnë konsumatorët

Qytetarët të pambrojtur dhe të mashtruar

Grapci: Ky mashtrim ka nisur në fillim tek 'ETC'-ja, ku pronar është ish-zv.kryeministri Ramiz Kelmendi

Në Kosovën e pasluftës është shpeshtuar dukuria e mashtrimit të hipermarketeve ndaj konsumatorëve, të cilëve nëpër rafte të produkteve u ekspozohet një tjetër çmim, por kur shkojnë te arka paguajnë tjetër çmim. Për shkak të mungesës së transparencës mbetet një mister i madh se sa dënime për këto lloje të keqpërdorimeve kanë dhënë Inspektorati i Tregut. Ndërkaq, një gjë që dihet është se kompani të mëdha, si "Elkos", që është pronë e ish - zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi apo "Viva Fresh Store" pronë e Xhevdet Rexhepit dhe "Super- Viva", janë raportuar nga qytetarët për mashtrime të tilla. Me gjithë përpjekjet e gazetës dhe pyetjet e dërguara në adresë të tyre se çka thonë në MTI, Inspektorati i tyre, si dhe çka thonë në kompanitë " ETC", " SuperViva" dhe " Viva Fresh-Store", gazeta nuk ka marrë përgjigje ditën e hënë.

Shkelja e të drejtave të klientëve

"Me reklamim duhet të synohet veprimtaria e ndërmarrjes, e cila ka si qëllim reklamimin e produkteve dhe shërbimeve të veta, me qëllimin kryesor, shitjen e tyre. Ekonomistët reklamën e kanë definuar si 'një formë e ndikimit të qëllimshëm dhe të vetëdijshëm, por të padetyrueshëm', një proces komunikativ ndikues me ndihmën e mjeteve të ndryshme të komunikimit", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Eksperti i fushës së ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot", tha se ditëve të fundit ka një trend të rritjes së mashtrimeve nga ana e marketeve të mëdha në Republikën e Kosovës. "Shumë qytetarë kanë mbushur rrjetet sociale me dëshmi faktike të mashtrimeve nga ana e marketeve dhe kompanive kosovare. Mirëpo, institucionet përgjegjëse janë duke heshtur, duhet dy javë e më shumë që Inspektorati të dalë në inspektim edhe atë duke lajmëruar kompanitë se 'mos mendoni se sot do t'ju vizitojmë'", u shpreh ai.

Beqiri thotë se mashtrimet e bëra nga marketet e mëdha janë shkelje e të drejtave të klientëve. "Mos harroni: humbja e një klienti ka kosto jashtëzakonisht të rëndë, ju menaxherë të këtyre marketeve. Sipas një analize të thjeshtë, nëse një konsumator blen këto produkte të paktën dhjetë herë në muaj, kjo do të thotë se ai konsumator për periudhën e mashtrimit do të humbasë rreth 100 euro në vit. Marketet kosovare duhet të kenë parasysh se konsumatorët e sotshëm është vështirë të kënaqen, janë më të mençur, më të vetëdijshëm për cilësinë, çmimin, kërkojnë më shumë, harrojnë më vështirë dhe u ofrohen shumë alternativa nga konkurrentë të tjerë me oferta të njëjta apo edhe më të mira", u shpreh më tutje analisti Beqiri.

"Një pozicionim negativ i shitësit ka një efekt të dëmshëm në bindjen që konsumatori ka me rastin e blerjes së produktit të kompanisë suaj, që njëherësh është edhe detyrë e juaja që të bindni klientin t'i blejë produktet tuaj, që jeni duke i reklamuar, thjesht reklamuesi duhet të jetë shumë fleksibil dhe shumë durimtar. Mirëpo, ne mendojmë që t'i këshillojmë kompanitë tona kosovare, sepse disa kompani mendojnë se janë duke marrë një sens të kënaqjes së konsumatorëve duke grupuar ankesat e tyre", shpjegoi ai. "Sipas disa hulumtimeve del se 96 për qind e konsumatorëve nuk ankohen fare, një pjesë nga ata thjesht nuk blejnë më fare, kurse 54-70 për qind do të bëjnë biznes me kompaninë nëse ankesat e tyre merren parasysh shpejt. Konsumatorët e trajtuar mirë pas ankesës u tregojnë mesatarisht pesë personave për trajtimin që e kanë marrë nga kompania", ka thënë Beqiri.

Të hetohen korporatat mashtruese

"Ky mashtrim ka nisur në fillim te 'ETC'-ja, ku pronar është Ramiz Kelmendi, pastaj kur janë hapur edhe hipermarketet e tjera kanë filluar për ta imituar mashtrimin e 'ETC'-së tek konsumatorët", u shpreh eksperti i ekonomisë Dardan Grapci për "Kosova Sot"

Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci thotë për "Kosova Sot", se nuk është hera e parë që hipermarketet po i mashtrojnë konsumatorët me ndërrimin e çmimit, ose datës së skadencës. "Ky mashtrim ka nisur në fillim tek 'ETC'-ja, ku pronar është Ramiz Kelmendi, pastaj kur janë hapur edhe hipermarketet e tjera kanë filluar me imituar mashtrimin e 'ETC'-së tek konsumatorët", u shpreh ai. "Është e vërtetë që qytetarët shumë herë janë ankuar edhe drejtpërdrejt, por edhe përmes rrjeteve sociale, siç janë 'Facebook' dhe 'Twitter' apo përmes fotografive, por vitin që e lamë pas (2017) , gjate sezonit veror, qytetarët janë ankuar që te sektori i mishit brenda fluturonin mizat, dhe për habi askush nuk merrte masa për largimin e atyre mizave nga frigoriferët e mishit. Sepse, është rreziku që nëpërmes mizave të përhapet ndonjë virus i rrezikshëm për njeriun, sidomos për fëmijët", ka theksuar ai. Sipas Grapcit, MTI- ja duhet sa më parë ta gjejë një zgjidhje për këtë problem 18 -vjeçar që po ndodh në Kosovë te hipermarketet e biznesmenëve, siç janë, Ramiz Kelmendi dhe Xhevdet Rexhepi. "Duhet që të hetohen këto dy superfuqi biznesore në Kosovë dhe të marrin masa derisa nuk është infektuar dikush nga produktet me afat të skaduar dhe të infektuar nga insektet", potencoi ai.

Hulumtimet japin të dhëna alarmante

"Nga bisedat me qytetarë të shumë komunave, në një hulumtim mbi cilësinë e produkteve dhe sa janë çmimet reale, kam mësuar se një gjë që ka dalë në shesh në këtë temë është fakti se kompania 'Elkos'-i, që është pronë e ishzëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, si dhe kompanitë e tjera, " Viva Fresh Store",pronë e Xhevdet Rexhepit, por edhe kompania tjetër "Super- Viva" po prijnë në mashtrimin e qytetarëve tanë. Kjo, ngase çmimet e prezantuara afër produkteve që janë të vendosura në hipermarketet e mëdha kosovare po dalin të jenë jo të vërteta", potencoi Florim Rudhani për "Kosova Sot"

Analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot', se ka shumë mashtrime nga kompanitë e ndryshme. "Nga bisedat me qytetarë të shumë komunave, në një hulumtim mbi cilësinë e produkteve dhe sa janë çmimet reale, kam mësuar se një gjë që ka dalë në shesh në këtë temë është fakti se kompania 'Elkos'-i, që është pronë e ish-zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi, si dhe kompanitë e tjera ' Viva Fresh Store',pronë e Xhevdet Rexhepit, por edhe kompania tjetër "Super- Viva", po prijnë në mashtrimin e qytetarëve tanë. Kjo ngase çmimet e prezantuara afër produkteve që janë të vendosura në hipermarketet e mëdha kosovare po dalin të jenë jo të vërteta", potencoi ai. "Janë këto tri kompani, ku përveç mashtrimit me çmime, këto hipermarkete nga qytetarët tanë po akuzohen se produkteve po ua ndryshojnë datën e skadencës së produktit", vijoi më tej Rudhani. "Qytetarët me të drejtë edhe po i akuzojnë këto hipermarkete se po mashtrojnë me çmimet e artikujve edhe me datën e skadencës së produktit .Veç saj, qytetarët po ankohen se përse po heshtin institucionet dhe inspektorët e MTIsë", potencoi ai. 

"Me këto gjoba të dënimeve, vetëm me nga 1,000 euro, për këto hipermarkete janë vërtet qesharake krahasuar për mashtrimet dhe rrezikimin e shëndetit të konsumatorëve. Me ndriçimin e këtyre rasteve duhet të merret sa më shumë AUVK-u (Agjencia kombëtare për kontrollimin e cilësisë së ushqimit)", u shpreh Ramadan Maloku për "Kosova Sot"

Ndërsa, afaristi dhe anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën "Kosova Sot", tha se këto vërejtje që po i jep në adresë të institucioneve tona po i jep si qytetar e jo si afarist. "Me këto veprime të këtyre hipermarketeve të mëdha që po e ndërrojnë afatin e skadencës së produkteve po rrezikohet shëndeti i konsumatorëve tanë, duke ua ndryshuar dhe falsifikuar datën e skadimit të përdorimit", tha ai.

Konsumatorët të jenë vigjilentë

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për " Kosova Sot", tha se konsumatorët në vendin tonë duhet të jenë shumë syhapur me rastin se çfarë produkte janë duke blerë,e sidomos duhet të kenë kujdes në produktet ushqimore që i konsumojnë dhe që këto produkte janë në supermarketet e vendit. "Jo rrallë ndodhin gjërat që u skadon afati ose ndodh që ta përmirësojnë afatin në ambalazhet e produkteve dhe për këtë shumë pak u intereson tregtarëve, sepse atyre u intereson vetëm fitimi i tyre dhe sa ma pak produkte të hedhen, pasi u kalon afati", vlerësoi ai. "Për këtë, konsumatori duhet që të jetë i vëmendshëm, për arsye se rrallë ndodh që inspektorët të dalin në këto supermarkete që t'i verifikojnë, sepse edhe nëse vërtetojnë diçka ose nuk ndërmarrin fare masa ose i dënojnë me dënime të vogla që për këta tregtarë nuk është asgjë", potencoi Neziraj. Sipas tij, deri më tani të gjitha mekanizmat institucionalë, që duhen të jenë në mbrojtje të konsumatorit, janë jofunksionalë dhe nuk janë duke e kryer detyrën e vet që e kanë të përshkruar me ligj.

(Kosova Sot)