Krimi i organizuar kontrollon TË GJITHË SEKTORËT E SHTETIT

  • 20 February 2018 - 07:42
Krimi i organizuar kontrollon TË GJITHË SEKTORËT E SHTETIT

DOSJE KRIMINALE TË TIPIT "TAHIRI -HABILAJ" FSHIHEN NË SIRTARËT E PROKURORISË

 

Analistët alarmojnë se që nga pas lufta e deri në ditët e sotme në Zyrat e Prokurorive të Kosovës, prokurorët vazhdojnë të flenë mbi dosjet e krimit të organizuar. Dyshohet se janë me mijëra dosje të " fshehura" me nga afro 2 mijë faqe lëndë të tipit të dosjeve " Tahiri - Habilaj" si ato të Shqipërisë, që gjenden në sirtarët e Prokurorisë në Kosovë dhe të njëjtat dosje datojnë qysh prej kohës së UNMIK-ut, EULEX-it dhe Prokurorive Themelore dhe asaj Speciale të Kosovës. Ndërkaq, sipas analistëve, mbetet një mister i madh se sa po përdoren dosje të tilla në Kosovë, që po shërbejnë si shantazhe në mes të figurave të larta politike dhe institucionale në Kosovë, duke mos u zbardhur kësisoj asnjëherë e vërteta, duke mos vënë para drejtësisë figurat e larta politike dhe ato të nëntokës si dhe dosje të mafio-oligarkisë kriminale, por duke u shantazhuar në mes njëri- tjetrit për përfitime tepër kriminale.

Duhen ndryshime radikale

Fetahu: Prokuroritë dhe gjykatat janë në një nivel më të keq, sepse krimi e korrupsioni te ne e bëjnë ligjin, ngase është më i fortë sesa shtet

Analisti politik Ilir Fetahu, për gazetën " Kosova Sot", tha se edhe prokuroritë e gjykatat tona nuk bëjnë përjashtim nga institucionet e tjera në Kosovë, sepse edhe ato çalojnë. "Prokuroritë dhe gjykatat janë në një nivel më të keq, sepse krimi e korrupsioni te ne e bëjnë ligjin, ngase është më i fortë sesa shteti", u shpreh ai.

Sipas Fetahut, gjykatat dhe prokuroritë nuk janë funksionale. "Eventualisht, edhe kur ka pasur akuza, edhe ato kanë qenë si shantazhe ndaj individëve të caktuar, gjë që e tregon se sistemi i drejtësisë te ne është me defekte shumë serioze dhe duhet që të zhvillohet", vijoi më tutje ai. "Kosova duhet që ta zhvillojë sistemin e drejtësisë kompatibile me sistemin e drejtësisë në Evropë, atje ku po pretendojmë që të shkojmë e jo që të kemi gjykata sa për sy e faqe dhe që shërbejnë si shantazhe ndaj individëve të caktuar. Kjo duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë dhe duhet krijuar një sistem drejtësie ku do të jemi të gjithë të barabartë para ligjit ", ka theksuar Ilir Fetahu

"Përderisa në skenën politike të qëndrojnë njerëzit e zhytur në krime, njerëzit e korruptuar dhe të fuqishëm, derisa janë shndërruar në multimilionerë, nuk do të ketë zbardhje të rasteve, ngase këta po arrijnë që t'i korruptojnë këta prokurorë e gjyqtarë të sistemit të drejtësisë, qoftë vendorë qoftë ndërkombëtarë", ka theksuar Jeton Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"

Ndërsa, eksperti i Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi tha për "Kosova Sot', se është më se i saktë vlerësimi se prokuroritë dhe prokurorët tanë po vazhdojnë që disa vjet të flenë mbi dosjet e krimit. "Përderisa në skenën politike të qëndrojnë njerëzit e zhytur në krime, njerëzit e korruptuar dhe të fuqishëm, derisa janë shndërruar në multimilionerë, nuk do të ketë zbardhje të rasteve, ngase këta po arrijnë që t'i korruptojnë këta prokurorë e gjyqtarë të sistemit të drejtësisë, qoftë vendorë qoftë ndërkombëtarë, prandaj po ndodh kjo", ka theksuar ai. "Pa largimin e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt nga skena politike dhe pushteti nuk ka funksionim të sistemit të drejtësisë. Së pari, këta duhet të bien nga pushteti, e vetëm më pas duhet që të ndërrohet e tërë struktura e stafit menaxherial të Prokurorisë", ka shpjeguar ai. Sipas Kelmendit, nuk ka funksionim të sistemit të drejtësisë me Aleksandër Lumezin, "njeriun që e ka diplomën e jurisprudencës fals dhe të tillë si ai kemi gjithë andej Kosovës" .

Në vallen e krimit edhe ndërkombëtarët

"Shteti ligjor nuk vjen në Kosovë pa ndryshimin e qeverisjes në vend, andaj është në duart e klasës intelektuale kjo temë për t'u organizuar, për të themeluar parti politike", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

Eksperti tjetër Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot", tha se pas luftës është zhvilluar një krim ekonomik, një zhvatje e buxhetit, janë krijuar sisteme funksionale kriminale, rrjete të shumta ku janë involvuar edhe njerëz me të kaluar kriminale që janë ndërlidhur me politikanë, pastaj janë prodhuar kriminelë nga politika përmes lidhjes së rrjeteve kriminale. "Në ditët e sotme kjo i përngjan një krimi të organizuar që kontrollon të gjithë sektorët e shtetit, prej sektorit privat e deri te sektori publik, dhe tash ky mekanizëm është i fuqishëm dhe po zhvillohet vetëm", u shpreh ai. "Vetëm ndërrimi i pushtetit dhe qeverisjes korruptive e shpëton vendin në të kundërtën, nëse nuk ka ndalje apo shkatërrim të këtij sistemi, Kosova mbetet shtet i kapur nga kriminaliteti i udhëhequr politik, edhe pas shkatërrimit të sistemit Kosova do të ballafaqohet edhe 20 vjet me procese gjyqësore ndaj këtyre njerëzve", thekson Burjani. 

GURAZIU: DOSJET KRIMINALE NË KOSOVË PO PËRDOREN SI SHANTAZH NË MES TË FIGURAVE TË LARTA POLITIKE

Analisti Ragip Guraziu, për "Kosova Sot", tha se që nga pas lufta, e sidomos 10 vjet pas pavarësisë së Kosovës, prokurorët tanë po vazhdojnë që të flenë mbi dosjet e krimit të organizuar dhe dështimet e tyre janë evidente. "Një numër i madh i dosjeve të 'fshehura' me nga afro 2 mijë faqe të tipit të dosjes 'Tahiri-Habilaj' të këtyre lëndëve ka edhe në sirtarët e Prokurorisë në Kosovë,qysh prej kohës së UNMIK-ut,EULEX-it dhe Prokurorive Themelore dhe asaj Speciale", potencoi ai. Sipas tij, është për keqardhje që po përdoren të tilla dosje në Kosovë si shantazh në mes të figurave të larta politike dhe institucionale në Kosovë, duke mos u zbardhur asnjëherë e vërteta, duke mos vënë para drejtësisë figurat e larta politike dhe të nëntokës, si dhe të mafio-oligarkisë kriminale, por duke u shantazhuar mes njëri- tjetrit për përfitime tepër kriminale. "E tëra kjo punë e pistë po ndodh, ngase janë figura të larta politike ata që i kanë ngulfatur dosjet e fshehura dhe dyshohet se edhe këto dy misione ndërkombëtare, që ishin këtu për sundimin e ligjit,si dhe Prokuroria e prokurorët e Kosovës , janë në valle me vendorët dhe vartësit e tyre", ka thënë Guraziu.

(Kosova Sot)