Policia gjen te i dyshuari armën e fshehur në frigorifer

  • 20 February 2018 - 23:59
Policia gjen te i dyshuari armën e fshehur në frigorifer

Policia e Rajonit të Prizrenit në dy raste të ndryshme ka konfiskuar dy armë.

Në rastin e parë pak pas mesnatës një patrullë e Policisë ka ndalur një automjet në fshatin Korishë të Prizrenit.

Në njoftimin e Policisë thuhet se në automjet ndodheshin dy persona, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me pesë fishekë.

I dyshuari është intervistuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në rastin e dytë, sot rreth orës 13:00, në rrugën “Shaban Binaku”, një armë është sekuestruar në një frigorifer.

Sipas raportit të Policisë, një i mitur ka rrahur me shkop një të mitur tjetër.

Gjatë intervistës me viktimën, hetuesit e policisë kanë siguruar informacion se i dyshuari posedon një armë ilegale.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së të miturit të dyshuar në frigorifer është gjetur dhe konfiskuar një armë.

Policia nuk ka treguar nëse i mituri është arrestuar ndërsa ka theksuar se për të dyja rastet janë hapur procedurat për vepra penale.

(Kosova Sot)