Grapci: "Vetë kryeministri Haradinaj ka gisht në këto rrjete të organizuara kriminale"

  • 21 February 2018 - 13:31
Grapci:

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se Prokuroria Speciale (PSRK) duhet që të fillojë urgjentisht me hetimet kundër zyrtarëve të Doganës, të cilët po i fikin kamerat nëpër Doganat e Kosovës, pasi që një veprim i tillë lë mundësi të mëdha që kamionët e mëdhenj dhe maunat të hyjnë ilegalisht dhe pa asnjë pengesë në territorin e Kosovës. Ai e shtron pyetjen se përse deri me sot asnjë president apo kryeministër i Kosovës nuk e ka marrë ndonjë vendim për ndalimin e këtyre kontrabandave ilegale në Kosovë."Përse askush nga këta politikanë të inkriminuar nuk po marrin masa për mbrojtjen e produkteve vendore, por po i shkatërrojnë ato duke i sjellë produktet nga vendet fqinje?", u shpreh ai. "Kryeministri Haradinaj me siguri është në dijeni për të gjitha këto probleme dhe skandale që po ndodhin në Doganat e Kosovës, por arsyeja nuk po dihet se përse ai nuk po bën diçka për ta parandaluar këtë fenomen 19-vjeçar që po ndodh në Kosovë", theksoi Grapci. "Andaj koha është që edhe zyrtarët e lartë të përballen me ligjin e jo të ketë më vonesa, sepse sa më shumë që këto raste presin për hetim dhe ndriçim, për fat të keq aq më shumë ekziston mundësia që këto raste të anashkalohen komplet nga qeveria dhe drejtësia e Prokuroria e Kosovës", tha ai. 

b