Apeli refuzon ankesën e Prokurorisë lidhur me policët e tastit Ivanoviq

  • 21 February 2018 - 17:00
Apeli refuzon ankesën e Prokurorisë lidhur me policët e tastit Ivanoviq

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 12.02.2018, sipas të cilit ishte refuzuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër të dyshuarve Zharko .J. dhe Dragisha M.

I pari dyshohet për veprat penale  “Manipulim me prova” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“, ndërsa i dyti për veprën penale “Manipulim më prova”.

Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit gjeti se ankesa e Prokurorisë kundër vendimit të shkallës së parë është e pabazuar, pasi që Gjykata Themelore ka vepruar drejt kur ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase nuk ka ofruar prova bindëse që do të arsyetonin pretendimin se pse është i nevojshëm paraburgimi në këtë fazë të procedurës.

Gjithashtu, kjo Gjykatë vlerëson se në rastin konkret nuk janë plotësuar kushtet ligjore të  parapara në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Zharko J. dhe Dragisha M., ishin liruar në seancën e 12 shkurt.

Dy policët ishin arrestuar nën dyshimin se kanë zhdukur prova nga vendi i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

(Kosova Sot)