Demarkacioni, edhe një blof tjetër i radhës

  • 21 February 2018 - 07:56
Demarkacioni, edhe një blof tjetër i radhës

PAS GATI TRE VJETËSH, DREJT RATIFIKIMIT E NJËJTA MARRËVESHJE

Të enjten vuloset fati i marrëveshjes së demarkacionit

Analistë politikë dhe specialistë të kësaj fushe janë të mendimit se Qeveria 'Haradinaj' po mundohet që ta kamuflojnë marrëveshjen "e re" të Demarkacionit me Malin e Zi, kur në fakt është e njëjta marrëveshje e vitit 2015, të cilën e ka nënshkruar Hashim Thaçi, me të vetmin ndryshim se ajo përmban edhe një aneks se nëse ka gabime do të korrigjohet. Andaj me të drejtë shtrohet pyetja se si mund të jenë dy marrëveshje të ndryshme, njëra të cilën e ka miratuar Parlamenti malazias e që është e njëjta të cilën e ka nënshkruar Hashim Thaçi dhe që është miratuar nga Parlamenti malazias e tjetra marrëveshje të jetë me aneks. Analistët pyesin përse është dashur të kalohen tri vite kot për të miratuar pothuajse të njëjtën marrëveshje, e cila nuk prodhon nga ana juridike diçka të re. Pse Ramush Haradinaj dhe të tjerët derisa ishin në opozitë gjuajtën gaz lotsjellës, organizuan protesta e shumëçka tjetër, kurse tani të njëjtën marrëveshje po e dërgojnë vetë në Kuvend, duke kërkuar votën e deputetëve? Përse kjo klasë politike e inkriminuar i dënuan qytetarët dhe ua humbën mbi 3 vjet, vetëm e vetëm për ta përdorur Demarkacionin si kartë për marrjen e kapjen e pushtetit. Analistët gjithashtu pyesin se përse po heshtin tash krahu i Shpend Ahmetit dhe Dardan Molliqajt për sjelljen e Demarkacionit në Kuvend tani, kurse para 3 vjetësh gati e kallën Kosovën dhe institucionet.

Pretekst për pushtet

Analisti Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se Mali i Zi tashmë shumë herë na ka bërë me dije se temën e Demarkacionit e konsideron si kaptinë të mbyllur."Kjo aneks marrëveshje e firmosur midis dy presidenteve nuk është obligative juridikisht dhe sigurisht që zor të pritet që pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës, pala malazeze do t'i hy sërish kësaj pune. Që proceset të nisen nga e para nuk janë të gatshme as faktori ndërkombëtar, i cili ka arritur bukur më vështirësi ta shkëputë të shprehem ashtu Malin e Zi nga kthetrat ruse, duke e inkuadruar në NATO", u shpreh ai."Duket së vështirë do të arrihet ndonjë konsensus midis pozitës dhe opozitës edhe kësaj radhe, edhe pse situata politike pas formimit të koalicionit PAN ka ndryshuar", vlerëson Mulliqi. 

 Ndërsa Arsim Haziri, analist politik tha për "Kosova Sot" se çështja e demarkimit ka qenë vetëm si pretekst."Përderisa shteti fqinj një marrëveshje të tillë e ka ratifikuar brenda Parlamentit të vet, atëherë nënkupton se tentim ndryshimi me atë aneks të marrëveshjes së nënshkruar më shumë është një përpjekje e qeverisë sonë për të mbuluar një mashtrim dhe ndalim të ndonjë proteste të mundshme sesa që është parë aq e rëndësishme prej kësaj qeverisje të zgjidhet", theksoi ai."Si qeverisja e kaluar, në të cilën Haradinaj hidhte akuza e kritika, po ashtu edhe kjo e tanishmja, që menaxhohet prej njërit nga më të zëshmit atë botë, nuk e kanë pasur hallin e shoqërisë, por ardhjen sa më të shpejtë në pushtet", potencoi Haziri.

Prapë, mbetëm te versioni i Mehës

" Demarkimi i kufirit me Malin e Zi është vetëm një dhe ai është versioni i z. Meha, andaj çdo përpjekje tjetër ishte sa për të humbur kohë dhe për të kthyer poenë politikë për opozitën e asaj kohe. Aneksi i kësaj marrëveshje, i arritur ditët e fundit, është në përputhje të plotë me versionin e z. Meha, por ky aneks u bë për të arritur votat pro të AAK-së në Kuvend, por edhe të Nismës", thotë analisti Ridvan Emini për "Kosova Sot"

Analisti Ridvan Emini për "Kosova Sot" tha se Demarkacioni me Malin e Zi u bë temë nga opozita e atëhershme (VV, AAK dhe Nisma) dhe si e tillë u bë çështje e pazgjidhur për pozitën (LDK dhe PDK)."Kjo temë mendoj se është ngritur pa ndonjë bazë të mirëfilltë dhe u shndërrua në kauzë nacionale për opozitën e asaj kohe. Madje kjo çështje shkoi aq larg sa u dëmtuan shumë procese të shtetit, si në raport me Malin e Zi ashtu edhe në raport me BE-në dhe SHBA-në, por edhe në politikën kosovare degradoi diskursi në mes opozitës dhe pozitës", theksoi ai. Demarkimi i kufirit me Malin e Zi është vetëm një dhe ai është versioni i z. Meha, andaj çdo përpjekje tjetër ishte sa për të humbur kohë dhe për të kthyer poenë politikë për opozitën e asaj kohe. Aneksi i kësaj marrëveshje, i arritur ditëve të fundit, është në përputhje të plotë me versionin e z. Meha, por ky aneks u bë për të arritur votat pro të AAK-së në Kuvend, por edhe të Nismës", thotë analisti Emini."Presidenti i vendit e ka analizuar situatën dhe i ka koordinuar veprimet me pozitën në mënyrë që të zhbllokohet kjo temë njëherë e përgjithmonë. Për gjatë këtyre viteve ne vetëm kemi humbur kohë dhe energji, duke u marrë me këtë temë, e cila në esencë ishte e kotë, sepse versioni i pranuar edhe nga Departamenti i Shtetit amerikan ishte dhe mbetet versioni i vetëm sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, madje version ky i cili as nuk i shton e as nuk i heq territor vendit tonë ", ka deklaruar ai. 

"Nuk do të ketë marrëveshje të re me Malin e Zi, por vetëm ka një retorikë politike për të kryer punë disi Kuvendi. Andaj, më së miri do të ishte që sa më parë të mblidhet Kuvendi i Kosovës dhe të votojnë Demarkacionin", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

 Ndërsa eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për "Kosova Sot" tha se marrëveshja nuk është e re, por është një marrëveshje politike. "Kosova vazhdon që të ballafaqohet me një ngërç të vazhdueshëm, ngase ende temat që kanë qenë në ish-qeverinë dhe në ish-koalicionin PDK-LDK janë të njëjta, veç se është ndërruar kryeministri dhe ka ardhur një njeri i dobët në të gjitha aspektet dhe nuk ofron zgjidhje", theksoi ai.

Të enjten vuloset fati i marrëveshjes

Marrëveshja e re mes dy presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi do të mund ta korrigjojë marrëveshjen teknike që ishte arritur tri vite më parë, por sipas ministrit malazez, Srxhan Darmanoviq, nuk do të ketë ndryshime të veçanta. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, i pyetur nëse në bazë të asaj marrëveshjeje mund të ndodhë ndryshimi i kufirit, Darmanoviq është përgjigjur se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviqit konfirmon atë që tashmë ekziston në Marrëveshje, në nenin 7

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Përmes një postimi në 'Twitter', Delawie ka shkruar: "Kalimi i marrëveshjes për Demarkacionin është thelbësor për të siguruar mundësinë e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë - unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë pro" 

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin, siç është thënë, të ndryshuar dhe plotësuar, për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Këtij projektligji i është shtuar edhe deklarata e dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq. Pas miratimit të projektligjit nga ekzekutivi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se në emër të Qeverisë së vendit do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për të votuar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

"Ekziston një vullnet i madh që kjo të ndodhë sa më shpejt. Ka pasur kërkesa që kjo të ndodhë nesër. Për shkak të konsultimeve, që janë ende në vazhdim, në mes të grupeve parlamentare, të deputetëve, propozoj që kjo të ndodhë pasnesër, në orën 10:00. Edhe për këtë kemi bërë konsultime ndërinstitucionale që ta shtyjmë mbajtjen e seancës, jo nesër, por pasnesër. Shpresoj që pasnesër do të jemi unikë dhe do ta kemi një përkrahje, po e quaj maksimale për këtë vendim kaq të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës", tha Haradinaj. Për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të deputetëve të Kuvendit, pra, 80 nga 120 sosh. Vullnetin për ratifikim të kësaj marrëveshjeje e kanë shprehur partitë shqiptare në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Lista Serbe, si partner i koalicionit qeverisës, ende nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur qëndrimin e saj. Kryeministri Haradinaj, më herët ka theksuar se në mbledhjen e Qeverisë kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarët nga Lista Serbe, por ai nuk ka sqaruar nëse ky partner i koalicionit është pajtuar të votojë pozitivisht për Marrëveshjen për demarkacionin. "Kjo ishte shumë shenjë e mirë që ishin në takimin e Qeverisë. Zakonisht, për disa tema të ndjeshme, e keni vërejtur se kanë munguar. Ta shohim. Kemi kohë dhe nuk mund ta precizoj", tha Haradinaj.

(Kosova Sot)