Veseli beson se demarkacioni do të kalojë edhe pa Listën Srpska

  • 21 February 2018 - 17:49
Veseli beson se demarkacioni do të kalojë edhe pa Listën Srpska

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që seanca për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi të mbahet të enjten për ora 11:00. Pas përfundimit të mbledhjes kreu i Kuvendit, Kadri Veseli është shprehur i bindur se demarkacioni nesër do të kalojë. Pyetur se nëse janë siguruar votat e Listës Serbe, Veseli thotë se beson që demarkacioni do të kalojë me apo pa Listën Serbe.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendosë që seanca për Ratifikimin e pikës kufitare me Malin e Zi. Ai ka thënë se beson që kjo çështje do të zgjidhet nesër nga ana e të zgjedhurve të popullit. Thotë se beson që janë grumbulluar votat për këtë çështje.

“Nesër politika e Kosovës ka rastin që të bashkohet pa asnjë dallim. Kemi para vetës një ngjarje e cila është shumë e rëndësishme. Ndërlidhet me qëllimin tonë dhe lajmin e shumëpritur për qytetarët tanë”, ka thënë Veseli.

Tutje ai i ka sugjeruar deputetëve që të veprojnë mbi inatet personale.

“Deputetët të veprojnë mbi inatin, debatet e së shkuarës apo kalkulimeve që mund të jenë të thjeshta. Shënjimi i Kufirit jam shumë i sigurt që do të kalojë në seancën e nesërme. Të kemi vetëm besim dhe shpresë të përbashkët dhe në të njëjtën kohë përkrahje që kjo çështje të kalojë”, ka thënë tutje kreu i Kuvendit.

“Nesër gjërat janë të qarta.  Nuk është mirë me kriju probleme në gjërat e paqena.  Unë besoj dhe thërras pjekurinë e deputetëve pavarësisht dallimeve, jam i sigurt dhe optimist se do të kryhet ratifikimi i marrëveshjes", ka përfunduar kreu i legjislativit kosovar.

(Kosova Sot)