Shtatë anëtarë të familjes Tahiri, në kulmin e varfërisë

  • 21 February 2018 - 18:06
Shtatë anëtarë të familjes Tahiri, në kulmin e varfërisë

MBIJETOJNË DUKE MBLEDHUR KËNAÇE E HEKURISHTE

Rrethanat e tanishme ekonomike në Prizren dhe në Kosovë kanë bërë që shumë familje, për fat të keq, të gjenden në listën e familjeve me gjendje të rëndë ekonomike. Njëra ndër familjet që është e pastrehë dhe që vazhdon të jetojë vetëm nga ndihmat sociale prej 145 euro është edhe familja shtatë -anëtarëshe Tahiri, ku kryefamiljarët Avdiu dhe bashkëshortja Zemria shpjegojnë se mezi arrijnë të mbijetojnë. Përveç kushteve të vështira për jetë , kjo familje nuk ka as strehë mbi kokë. E zonja e shtëpisë, Zemrie Tahiri, e lodhur dhe e mërzitur tregon për gazetën "Kosova Sot" se tash e disa vite janë pa kulm mbi kokë dhe jetojnë me qira e të ardhura kanë vetëm ndihmat sociale, të cilat nuk mjafton as për ta paguar qiranë. "Burri im nuk ka mundësi të punojë, sepse e ka të lënduar boshtin kurrizor, por kur ka ndonjë ditë pune ai del për të kërkuar punë. Fëmijët janë të vegjël nga mosha, 1 e gjysmë deri në 14 vjeç. Unë jam e sëmurë nga zemra, nuk kam mundësi të blej as barna", shprehet ajo për gazetën "Kosova Sot".

Image

Zemria shpreson te bamirësit 

Zemria thotë se kanë shkuar disa herë në Kuvendin Komunal të Prizrenit për të kërkuar ndihmë për strehim, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. "Por, ata na kanë thënë se nëse keni truall ne do t'u ndajmë materialin ndërtimor. Por, ne nuk kemi asgjë", është shprehur ajo me plot helm e vrerë. "Por, më së shumti kemi nevojë për një shtëpi ose tekefundit një tendë vetëm e vetëm që të mos paguajmë qira". Apeli i saj ishte që kush mund ta ndihmojë këtë familje 7 anë- tarëshe, e cila jeton me qira dhe pa asnjë kusht elementar të jetës. Familja mund të kontaktohet në këtë numër telefoni 049- 300- 518. Zemria shpreson se përmes këtij lajmi do të gjendet mundësia që kjo familje ta ndihmojë ndonjë bamirës, të cilat kanë mundësi që të ndihmojnë këtë familje me këtë gjendje të rëndë. Kjo familje shtatë anëtarëshe ende jeton në kushte të rënda me shpresë se dikush do ta ndihmojë. Jeta e rëndë e kësaj familje tashmë po bëhet gjithnjë e më rëndë. 

Image

Mbledh kënaçe për të mbijetuar

Duke folur për "Kosova Sot", Zemria shprehet se gjithë ditën kërkojnë nëpër kontejnerë duke mbledhur kënaçe dhe duke mbledhur hekurishte. Ajo shton se ato mbeturina hekurash dhe kënaçet e mbledhura janë e vetmja mundësi të mbijetohet. Tash dihet fakti se kjo familje ka edhe tre nxënës. Avdiu, edhe pse vetëm 37- vjeçar, ai duket shumë më i moshuar. Kurse, nëna e këtyre fëmijëve, Zemria falënderon edhe familjet e shokëve dhe shoqeve të fëmijëve të saj, të cilët organizohet për ta ndihmuar këtë familje.

(Kosova Sot)