Gratë me kancer të zorrëve ndryshojnë dietën, por nuk shkojnë te mjeku

  • 21 February 2018 - 19:29
Gratë me kancer të zorrëve ndryshojnë dietën, por nuk shkojnë te mjeku

PREFEROJNË KONSUMIMIN E USHQIMEVE PROBIOTIKE

Vetëm një e treta e femrave thonë se, në një rast të tillë, do të shkonin te mjeku i tyre i përgjithshëm

Një organizatë bamirëse ka ardhur deri te përfundimi se, pasi që femrat përjetojnë simptoma të kancerit të vezoreve, ato janë më të prira që ta ndryshojnë dietën, sesa që të shkojnë te mjeku. Përkundër faktit se fryrja e barkut që zgjatë, është njëra ndër simptomat kryesore të kancerit të vezoreve, gjysma e femrave thonë se, para se të shkojnë te mjeku, do të tentonin që të konsumonin ushqime probiotike, apo pa gluten. Vetëm një e treta e femrave thonë se, në një rast të tillë, do të shkonin te mjeku i tyre i përgjithshëm. Kjo bëhet me dije pas një ankete të bërë te më shumë se 1,000 gra, nga "Target Ovarian Cancer". Shumica do të tentonin që të vetë mjekoheshin me anë të dietës, apo me anë të konsumimit të pijeve sikur që është çaji i mendrës.

Fryrja e barkut dhe urinimi i shpeshtë

Kanceri i vezoreve është i gjashti për nga shpeshtësia te femrat në Britani, me më shumë se 7,400 raste të reja çdo vit. Ai prek kryesisht femrat pas menopauzës, ku 82% të rasteve paraqiten te gratë pas moshës 50- vjeçare. Shkalla e mbijetesës është e vogël, meqë te tri të katërtat e rasteve, kanceri zbulohet vetëm pasi të jetë përhapur në pjesët e tjera të organizmit. Kjo për shkak se simptomat kryesore, fryrja e barkut dhe urinimi i shpeshtë, shpesh merren gabimisht si simptoma të sëmundjeve të tjera, sikur që është sindroma e zorrëve irritabile. Studimet e bëra më parë kishin arritur deri te përfundimi se vetëm 1 në 5 gra e dinë që fryrja e barkut është simptomë tipike e kancerit të vezoreve. 

Rreziku mesatar

Muajin e kaluar u bë me dije se me mijëra pacientë britanikë, me kancer, vdesin pa nevojë, meqë shkalla e mbijetesës nga kanceri është shumë më e vogël sesa në pjesën tjetër të botës. Studimi, i botuar në revistën"Lancet", duke përdorë të dhëna nga viti 2010 deri më 2014, e renditë Britaninë në vendin e 45-të, nga gjithsej 59 shtete, me vetëm 36.2% të mbijetesës pesë vjet pas vënies së diagnozës së kancerit. Rreziku mesatar për paraqitjen e kancerit të vezoreve është 1 në 50 gra, por faktorët e ndryshëm, sikur që janë mbipesha dhe pirja e duhanit, e rrisin këtë rrezik. 

(Kosova Sot)