Kelmendi: Përzgjedhje skandaloze

  • 21 February 2018 - 19:51
Kelmendi: Përzgjedhje skandaloze

Veprim skandaloz e ka cilësuar mënyrën dhe përzgjedhjen e personaliteteve për dekorim nga ana e presidentit në dekadën e parë të pavarësisë, edhe prof. Muhamet Kelmendi. "Unë mendoj se jo vetëm personat fizikë, që e kanë refuzuar në shumë rast ndarjen e dekoratës nga ana e presidentit Thaçi, por edhe personat juridikë, që në këtë rast është gazeta shumë e vlerësuar dhe e çmuar për kontributin e saj në luftë dhe në paqe 'Kosova Sot', kanë bërë një veprim të qëlluar, një veprim që të bën me kuptuar se ky president ka bërë gabime të njëpasnjëshme të shumta deri më sot", u shpreh ai. "Nuk dua të nisem këtu nga parimi i inatit, pse unë apo ndonjë shok imi i ngushtë nuk është përzgjedhur në këtë rast për t'u dekoruar, por dua të them se ka shumë burra dhe shumë figura me nam, e që kanë dhënë kontribut edhe në ilegalitet, e fare nuk janë përmendur, por janë anashkaluar dhe lënë krejtësisht në harresë nga ana e presidentit Thaçi. Në veçanti kemi shumë persona fizikë, të cilët gjatë luftës kanë qenë kontribuues të mëdhenj, madje edhe themelues të UÇK-së, kemi shumë gazetarë, kemi shumë politikanë të strukturave të ndryshme politike të paraluftës që kanë kontribuar dhe janë anashkaluar dhe janë injoruar. Presidenti ka zgjedhur mënyrën më të keqe të përzgjedhjes, duke u përcaktuar kryesisht për njerëzit që i ka në shërbesë afër vetes apo që i ka të afërta interesat e tij me interesat e tyre", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)