Policia jep detaje për gjuajtjen me armë në Vranjevc

  • 21 February 2018 - 21:16
Policia jep detaje për gjuajtjen me armë në Vranjevc

Një incident me armë zjarri ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë. Policia e Kosovës ka treguar se nga ky rast është plagosur një person. Po ashtu bëhet e ditur se është arrestuar një qytetar, që dyshohet se ka bërë këtë vepër.

“Rreth orës 19:30 policia ka marre informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën "Vëllezërit Fazliu" në Prishtinë. Menjëherë te gjitha njësite policore kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe kanë filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e operative”, ka thënë Agron Borovci zëdhënës në Policinë e Kosovës. 

 Ai ka treguar se nga rezultatet e para të veprimeve hetimore policore dyshohet për një person të plagosur nga arma e zjarrit.

“Ne te njëjtën kohë policia ka arrestuar një person të dyshuar si dhe ka konfiskuar një arme e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast. Viktima është transferuar ne QKUK për trajtim mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë".

Ndërkaq policia është duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit. 

(Kosova Sot)