Ahmeti: Lojëra të ndyra politike

  • 21 February 2018 - 22:03
Ahmeti: Lojëra të ndyra politike

Kritik në këtë rrafsh është shprehur edhe analisti Hidajet Ahmeti. "Thaçi, përmes këtyre lojërave të ndyta politike, po mundohet të mbulojë dështimet e tij të njëpasnjëshme, duke u mundur të shpërqendrojë opinionin nga dështimet e iniciativave të pasinqerta dhe joserioze. Pozita e tij prej një presidenti po i kushton Kosovës në aspektin e politikës së jashtme, por edhe në politikën e brendshme. Një manipulim i tillë është vazhdimësi e traditës dhe logjikës së tij të mbrapsht për ta drejtuar vendin, duke mos zgjedhur mjete për të qëndruar në kolltukun e tij, jo për një pagë, por për t'i bërë favore klienteles së PDK-së dhe ta shkruajë historinë re të Kosovës për të keq", u shpreh ai. "Injorimi i institucionit të Presidentit nuk është shumë e hijshme, por në kontekstin e rastit, injorimi ka ndodhur shkaku i personalitetit, i cili përfaqëson institucionin. Injorimi ka simbolikën shumë të madhe në kontekstin politik e social. Në njërën anë personalitetin e një presidenti përçarës e jo unifikues, personalitetin e një njeriu, i cili nuk përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë,por përfaqëson një komunitet të vogël njerëzish me interesa reciproke", vijoi më tutje Ahmeti. "Gazeta 'Kosova Sot' ka mbajtur konsistencë në qëndrime e parime, duke përfaqësuar frymën qytetare,por edhe duke përfaqësuar vlera të larta shoqërore. Objektiviteti i gazetës 'Kosova Sot' karshi proceseve sociopolitike-ekonomike është përkthyer në cak të sulmeve nga pushtetet e pasluftës, pasi zbulimi i të vërtetave për keqpërdorimet e pushteteve të pasluftës ka krijuar hendekun në mes gazetës 'Kosova Sot' dhe pushteteve të korruptuara dhe të kriminalizuara. Realisht, të jesh institucion i pavarur e të veprosh brenda frymës qytetare dhe misionit si gazetë e pavarur nuk mund të pranohet një dekoratë nga njeriu, i cili ka prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike, por njëkohësisht ka luftuar me të gjitha mjetet e mundshme gazetën 'Kosova Sot'", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)