E Enjeta në Kosovë, kryefjala: Demarkacioni

  • 22 February 2018 - 00:06
E Enjeta në Kosovë, kryefjala: Demarkacioni

Çfarë do të ndodhë më 22 shkurt në Kosovë?

Çështja e Demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi pritet që ta dominojë të enjten në vend, teksa të gjithë sytë do të jenë nga Kuvendi i Kosovës.

Deputetët do të votojnë pro ose kundër marrëveshjes për shënimin e kufirit, ratifikimi i së cilës po mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian.

Në mëngjes, në orën 9, në Prishtinë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të presë në takim anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, për të shënuar Ditën Evropiane të Viktimave të Krimit.

Në orën 10, Kuvendi Komunal i Gjilanit do të mbajë seancën e tij të radhës.

Në të njëjtën kohë, në kryeqytet, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) do të publikojë “Indeksin e perceptimit të korrupsionit 2017”.

Gjysmë ore më vonë, në Vushtrri do të mbahet ceremonia e përfundimit të renovimit gjithëpërfshirës të shkollës së mesme “Bahri Haxha”. Do të marrë pjesë edhe zëvendës-shefja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Colleen Hyland.

Një orë para mesditës, Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e jashtëzakonshme, me rend dite: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Në orën 12:30, zëvendëskomandanti suprem i NATO’s për Evropë, James Everard, dhe komandanti i Komandës së NATO’s në Napoli, James Foggo III, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, në Prishtinë.

Pasdite, nga ora 14, në Bibliotekën Kombëtare, në Prishtinë, në kuadër të 10-vjetorit të Pavarësisë, do të përurohen 5 vepra, botime të Kolegjit “Biznesi”.

Në mbrëmje, në orën 18, në Gjilan, do të hapet ekspozita personale e Uta Ibrahimit, femra e parë shqiptare që u ngjit në Majën e Everestit, në Himalaje, Nepal. (Galeria e Qytetit, Gjilan)

Një orë më vonë, në Prishtinë, në Galerinë Qahili, do të hapet ekspozita ndërkombëtare e fotografisë “Fokus 2017”, ku do të paraqiten 55 artistë të fotografisë nga 20 shtete.

Ndërkaq, në orën 19:30, në kryeqytet do të mbahet nata ceremoniale e edicionit “Superbrands Kosovo’s Choice 2017”.

(Kosova Sot)