Krimi qindra-milionësh me naftën MBUSH KONTOT E MAFIO-POLITIKËS

  • 22 February 2018 - 07:41
Krimi qindra-milionësh me naftën MBUSH KONTOT E MAFIO-POLITIKËS

PAS KOMPANIVE TË MËDHA, KOKAT E PUSHTETIT TË  KOMPROMENTUAR 

Grapci: Politikanët e nivelit të lartë janë të infiltruar në kompanitë e mëdha të naftës në Kosovë

Që nga viti 1999, kur ishte fundi i luftës, e deri më sot në Kosovë, tregu i kompanive të mëdha të derivateve të naftës po vazhdon që të funksionojë me kontrabandë dhe evazion të madh fiskal. Sipas njohësve të kësaj fushe, në Kosovë të gjitha kompanitë e mëdha të derivateve të naftës dyshohet se i kanë bashkë-aksionarë, gjegjësisht pronare të vërtetë nën hije dhe shefa politikanët e nivelit më të lartë. Analistët thonë se e tëra kjo po ndodh, ngase edhe pse 18 vjet pas luftës, ata vazhdojnë të udhëheqin këto kompani nën hije dhe të fitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro duke e kontrolluar dhe duke mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e superkontrolluar. Analistët pyesin se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, qëndrojnë prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë, të cilët për çdo vit ndaras sjellin secila me nga 5,000 cisterna - autobote ose nga 150 milionë litra naftë e benzinë me nga një qarkullim prej rreth mbi 200 milionë euro. Ndonëse u janë dërguar pyetjet në adresë të tyre, se çka mendojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës që guxojnë të flasin hapur, gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje. 

Shoqata kundër ligjit që monopolizon tregun

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot', tha se në Kosovë po bëhet kontrabandë me derivate. "Ne si Shoqatë kemi kërkuar që në këtë sektor të vendoset rregulli, por si duket dikujt nuk po i konvenon të ketë rregull, sepse ujqit po duan mjegull dhe është për keqardhje situata në të cilën ndodhet ky sektor", u shpreh ai. Berjani ka falënderuar të gjitha partitë që nuk lejuan të miratohet një ligj i centralizuar dhe i korruptuar, të cilin e pati proceduar ish-ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami. "Nuk duhet të përkrahet një ligj i tillë, se ishte një ligj i centralizuar dhe i korruptuar dhe me favore të bizneseve të mëdha e të dyshimta", ka thënë ai. Sipas Berjanit, duhet të përkrahet propozimi i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës dhe propozimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Tregti dhe Industri. "Ne si vend i vogël kemi nevojë për një ligj me standarde të BE-së, që është i përshtatshëm për të gjitha bizneset që merren me derivate të naftës dhe jo për një ligj që i largon prej lojës mbi 40 importues derivatesh", potencoi ai. 

Mungon transparenca e kompanive

"Duhet një kontroll më i madh i institucioneve vendore, si ato të rendit, të ligjit dhe aktorët që kanë për detyrë të mbikëqyrin këtë sektor, sepse varet edhe jeta e qytetarëve", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" 

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot' se në Republikën e Kosovës pothuajse nuk është asgjë në vendin e duhur, edhe kompanitë që tregtojnë produkte të derivateve janë në atë rrugë, kanë mjaft probleme qoftë me cilësi, qoftë me fiskalizim, siç dihet deri vonë kompanitë e naftës nuk janë fiskalizuar duke refuzuar të zbatojnë ligjin. "Gjithashtu, ka probleme serioze në cilësinë e naftës, ky shqetësim është përcjellë edhe nga qytetarët e shumtë që kanë probleme me makinat e tyre, ndërkohë që ditëve të fundit Ministria e Tregtisë ka marrë kompetencat për kontroll të cilësisë së derivateve të naftës. Këtë kompetencë e kishte Dogana e Kosovës, mirëpo pas shumë ankesave publike edhe nga deputetët e Kuvendit, ministria kishte marrë një vendim që për mendimin tim është i domosdoshëm", u shpreh ai. "Duhet një transparencë më e madhe e kompanive të naftës dhe një kujdes më i madh i Ministrisë së Tregtisë, gjithashtu edhe Doganës, ngase tregu i arit të zi është mjaft i madh në Kosovë dhe nga raportimi i medieve vërejmë se këtu kanë gisht edhe politikanë kosovarë që menaxhojnë me shumicën e kompanive dhe për pasojë kemi edhe këtë nivel të ajrit dhe problemet e vozitësve me makina", ka theksuar Beqiri. 

Inkriminimi i pasluftës

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se në kompanitë e mëdha të naftës në Kosovë, pas luftës kanë filluar të infiltrohen politikanët e nivelit të lartë. "Këto kompani tani janë duke fituar, por në mënyre ilegale, ku nafta që hyn në Kosovë për kompanitë e mafio-oligarkëve nuk kontrollohet e as nuk hetohet nga Prokuroria e Kosovës. Mendoj që ka ardhur koha që hyrjet e cisternave që sjellin naftën në Kosovë duhet rreptë- sisht të kontrollohen, nëse kualiteti i naftës është i mirë apo jo, sepse sa e dimë shumë herë qytetarët kanë paguar për naftë cilësore, por në fakt janë shërbyer me naftë jocilësore, e cili është e përzier me ujë", ka vlerësuar ai.

"Të gjithë janë të lidhur me njëri- tjetrin në kurriz të qytetarëve, vetëm e vetëm për t'i mbushur kontot e tyre me para të pista", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot" 

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se nuk duhet që të çuditemi se edhe kompanitë e derivateve të naftës janë në zinxhirin e korrelacionit me politikën, dhe të cilët iu sigurojnë mbijetesë dhe mospengim të veprimtarisë së tyre. "Kjo, ngase ata përfitojnë shumë nga moskontrolli i cilësisë dhe mungesa e kuponit fiskal. Kjo sigurisht bëhet me qëllim që përfitimi të jetë më i madh, pa u merakosur se janë qytetarët ata që po vuajnë. Shteti i Kosovës humb miliona nga mungesa e kuponëve fiskalë, andaj edhe buxheti i vendit është kaq i varfër", u shpreh ai. "Mungesa e hapjes së hetimeve nga ana e Prokurorisë për keqpërdorime në këtë fushë ka të bëjë me faktin se drejtësia është e kapur nga politika, ndërsa politika është e kapur nga bosët e naftës dhe drogës", theksoi Mehmeti. 

Zyrtarët në shërbim të paligjshmërisë

"Një shtet si i yni nuk mund të jetë aq i dështuar, sikur t'i kishte organet më bazike pa ndikim politik dhe të bazuara në Kushtetutë e ligje", tha për "Kosova Sot" Florim Rudhani

Analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se te kriminaliteti i organizuar, pagjykuar dhe i padënuar, natyrisht se mundësi për jetësimin e këtyre dukurive negative janë përfaqësuesit e institucioneve publike, të cilët përmes strukturës gjithkund të instaluar, arrijnë të zhvillojnë këto veprimtari të paligjshme. "Si mund të operojë diçka institucionale mbi bazë të normave juridike, kur prokurorët e gjykatësit e çka tjetër jo, vendosen nëpër këto funksione kyçe me telefona, pra, përmes orientimeve politike", u shpreh ai. "As z.Haradinaj, as askush tjetër prej kësaj klase politike s'mund të funksionojë duke respektuar rendin kushtetues, askush prej tyre as nuk mundohet që rrjeti i Doganave ( aty ku merr zanafillë buxheti shtetëror) të funksionojë e të zbatojë veprime të paanshme, tamam ashtu siç përcaktojnë rregullat shtetërore", vijoi më tej ai. Sipas Rudhanit, jo rastësisht nëpër këto funksione (doganë) vendoset struktura e politikës, jo rastësisht dinë të jenë aq shumë të dhënë pas këtyre pozitave kyçe, të cilat ndikojnë ta ekonomizojnë edhe më tej pasuritë e tyre private. "Buxhetin shtetëror e zotërojnë fatkeqësisht disa persona, ata kryesisht janë prodhim i politikës. Dhe, Kosova jo rastësisht karakterizohet me këtë sistem të koordinuar klanor, ku asnjë prej institucioneve publike nuk ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë ligjore, këtë po e flet më se miri gjendja e rëndë e ekonomisë, sistemi i dobët ligjore, si dhe përfundimisht papërgjegjshmëria e lartë politike ndaj rregullave", vlerësoi Rrudhani.  

Ndërkohë përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') për "Kosova Sot" tha se as Prokuroria Speciale, por asnjëra prokurori nuk mund të hapë rast si e vetme, sepse fytyra e vërtetë e tyre u pa se inspektorati i tregut bashkë me MTI-në ditën ta manipulojnë kontrollin e " paparalajmëruar " të pikave të karburanteve. Sipas tij, këto pushtetet paralele " po ia djegin" Kosovës rreth 66 për qind të potencialit socio-ekonomik për buxhet, jo vetëm nga tregtia me naftë e me kancer, por edhe në të gjitha fushat, degët, sektorët socio-ekonomikë".

Gazeta nuk ka marrë përgjigje as për atë se çka thotë Prokuroria Speciale, se kush janë "padronët" ose pronarët e vërtetë që po sundojnë "arin e zi" në Kosovë, ku qarkullon më shumë se 1 miliard euro brenda vitit, dhe nga ku përfitojnë mbi 200 milionë euro në vit.

(Kosova Sot)