Liderët e shantazhuar ia lehtësojnë planet djallëzore Vuçiqit

  • 22 February 2018 - 07:52
Liderët e shantazhuar ia lehtësojnë planet djallëzore Vuçiqit

KOSOVA, E RREZIKUAR NGA PROJEKTI I KAMOTSHËM I NDARJES

Analistët: "Marrëveshja historike", për të cilën flasin Rama, Thaçi e Vuçiqi, është gjëma më e madhe që i është kanosur Kosovës në historinë e saj mbi 100- vjeçare nën Serbi!

Analistët kosovarë kanë akuzuar lidershipin e Kosovës se ka rënë nën ndikimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili përmes vartësve të tij në Prishtinë po punon që ta marrë veriun e Kosovës, por edhe që përmes Asociacionit të komunave serbe, ligjërisht të bëhet pjesë vendimmarrëse e qeverisjes në të gjitha nivelet në Kosovë. Sipas analistëve, pushtetarët nga frika se mund të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale, përmes agjentëve të UDB-së në Prishtinë, po kontaktojnë në prapaskenë me Vuçiqin për t`ia lehtësuar arritjen e qëllimeve të tij, për ta kurorëzuar pastaj me "marrëveshje historike", sigurisht shumë të dëmshme vetëm për Kosovën. Analistët vlerësojnë se Vuçiqi, në lojën e tij politike, nuk i ka hapur të gjitha letrat se çka kërkon saktë si kundërshpërblim që të mos kundërshtojë ulësen e Kosovës në OKB, por burimet diplomatike vlerësojnë se Beogradi nuk do të lëvizë, nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve tashmë të arritura në interesat e tyre, para së gjithash themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë e deri te ndarja e Kosovës. Ata pyesin se a po e bëjnë pushtetarët tanë pazar edhe Asociacionin me Listën Serbe të Vuçiqit, për ratifikimin e Demarkacionit. 

Gjunjëzimi para Listës

"Vuçiqi po bën çfarë të dojë. Sepse, me një dëshirë të tij në Kosovë brenda natës rrëzohet Qeveria 'Haradinaj', me një dëshirë të tij bien të gjitha institucionet, pasi gjithçka është në duart e Vuçiqit. Ai po luan mjaft bukur për interesa të Serbisë dhe nuk po i shkarkon këto institucione, sepse këta pushtetarët tanë po mbahen të shantazhuar nga Gjykata Speciale dhe kësisoj Kosova po humb shumë politikisht dhe në terren në çdo aspekt", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot

Specialisti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi tha për gazetën "Kosova Sot " se presidenti serb po luan me liderët e institucioneve shtetërore të Kosovës. " Vuçiqi e bëri kryeministër Ramush Haradinajn dhe kryeparlamentar Kadri Veselin, sepse ata nuk i kishin votat. Është presidenti serb që i ka vënë në krye të shtetit të Kosovës njerëzit që kanë hipoteka, pra duke i shantazhuar ata me Gjykatën Speciale dhe se ai po përfiton ekstra në politikë në favor të serbëve dhe duke qenë hisedar gati në çdo vendim. Duhet të përkujtojmë se Qeveria 'Haradinaj' me ditë të tëra u desh që të priste Listën Serbe, në mënyrë që ta marrë votëbesimin në Kuvend. Ndërsa në rastin e fundit çështja e Demarkacionit, Kosova sërish i gjunjëzohet Vuçiqit për ta dërguar në Kuvend çështjen", u shpreh ai. "Duhet një vetëdijësim dhe rrëzimi nga pushteti i këtyre institucioneve dhe shkuarja në zgjedhje të reja që do të ndikonte në parandalimin apo mënjanimin e rolit të Vuçiqit në Kosovë", vijoi më tej Kelmendi.

Ndërsa, analisti Arsim Haziri tha për " Kosova Sot", se Serbia përmes strukturave paralele dhe politikave destruktive arriti që dhunshëm ta uzurpojë dhe spastrojë Mitrovicën. "Politika serbe është po e njëjta, dhe ndaj Kosovës gjithnjë e më shumë zhvillon strategji vetëm që ta reduktojë në sovranitetin e saj", theksoi ai. Sipas tij, serbët do ta mbështesin demarkimin, në mënyrë që formimin e Asociacionit ta kapitalizojnë sa më lehtë. 

Asociacioni, prologu i ndarjes

Analisti Ridvan Emini tha se retorika e burrështetasve serbë në Beograd vazhdon avazin e njëjtë thuajse sikurse edhe gjatë viteve të '90-ta. "Asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, është obligim shtetëror që ka marrë Kosova, andaj kjo edhe do të bëhet. Politika serbe do të përpiqet që në emër të Asociacionit të ketë njëfarë dore të zgjatur në Kosovë, por kjo varet shumë nga politikëbërësit në Kosovë. Ne jemi mësuar 2-3 vjetët e fundit të shohim një opozitë, e cila ishte mjaft aktive me organizimin e protestave të pareshtura dhe refuzimit të çdo gjëje që ishte bërë nga pozita e atëhershme, por tani nuk po e shohim një opozitë të tillë", potencoi ai. "Për ratifikimin e Demarkacionit natyrisht se duhen edhe votat e Listës Serbe, por nga e kaluara ne mund të shohim se kërkesat e tyre për votë gjithmonë kanë qenë më shumë kërkesa për përfitime materiale sesa kërkesa politike, andaj nuk e shoh të pamundur votën pro të Listës Serbe për Demarkacionin", u shpreh ai.

"Asociacioni i komunave serbe është një nga të arriturat më të mëdha të Serbisë në relacion me Kosovën apo është hapi i parë drejt qëllimeve të Serbisë në Kosovës që ata gjithmonë e duan, ndarjen e Kosovës", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

Ndërkohë, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Blerim Burjani, tha për "Kosova Sot", se Vuçiqi e kontrollon plotësisht Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës. "Ende nuk dihet se cili është qëllimi përfundimtar. Ka disa spekulime se mund të jetë karrigia e Kosovës në OKB si kundërshpërblim për Veriun dhe ndarjen e Kosovës, ky opsion ekstrem nuk pranohet nga askush dhe mendoj më shumë se do të mbetet edhe për një kohë të gjatë " status quo- politike", edhe në normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve", potencoi ai.

BYTYÇI:PUSHTETARËT, TË FRIKËSUAR SE MUND TË JENË TË AKUZUAR NGA GJYKATA SPECIALE, PËRMES AGJENTËVE TË UDB-SË NË PRISHTINË, PO KONTAKTOJNË ME VUÇIQIN

"Vuçiqi në lojën e tij politike nuk i ka hapur të gjitha letrat se çka kërkon saktë si kundërshpërblim që të mos kundërshtojë ulësen e Kosovës në OKB, por burimet diplomatike vlerësojnë se Beogradi nuk do të lëvizë, nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve tashmë të arritura në interesat e tyre, para së gjithash themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë e deri te ndarja e Kosovës", theksoi analisti Enver Bytyçi për "Kosova Sot

Sipas analistit Enver Bytyçi, Beogradi në Kosovë kërkon të sigurojë dy objektiva. "Nga njëra anë, ta ndajë veriun dhe ta aneksojë me "marrëveshje historike". Nga ana tjetër, të ruajë popullsinë serbe në enklava dhe ta përdorë atë për të qenë i pranishëm politikisht në Kosovë, madje për të bërë diversion të pandërprerë kundër saj", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas Bytyçit, opozita kosovare së cilës i ka humbur tërësisht busulla, po fle, ndërkaq pushtetarët në frikën se do të mund të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale, përmes agjentëve të UDB-së në Prishtinë, po kontaktojnë në prapaskenë me Vuçiqin për t`ia lehtësuar arritjen e qëllimeve të tij, për ta kurorëzuar pastaj me "marrëveshje historike", sigurisht shumë të dëmshme vetëm për Kosovën. "Ajo "marrëveshja historike", për të cilën flasin Rama, Thaçi e Vuçiqi, është gjëma më e madhe që i është kanosur Kosovës në historinë e saj mbi 100- vjeçare nën Serbi. Nëse këta burra e quajnë "historike" një marrëveshje që ndan territoret, që cenon integritetin territorial dhe që krijon një "Serbi të vogël" brenda Kosovës, atëherë ajo do të ishte marrëveshja më e turpshme në historinë e kombit shqiptar", potencoi më tutje ai. Sipas tij, në bisedimet e Kosovës ka vend që të ridimensionohen disa kërkesa për të revizionuar disa të drejta të çuditshme për serbët, të drejta që shkojnë në favor të diskriminimit të shumicës. "Vuçiqi, në lojën e tij politike, nuk i ka hapur të gjitha letrat se çka kërkon saktë si kundërshpërblim që të mos kundërshtojë ulësen e Kosovës në OKB, por burimet diplomatike vlerësojnë se Beogradi nuk do të lëvizë, nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve tashmë të arritura në interesat e tyre, para së gjithash themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë e deri te ndarja e Kosovës", theksoi analisti Enver Bytyçi. "Kosova rrezikon seriozisht ndarjen e saj dhe grabitjen e territorit më të pasur të saj, pasuritë e së cilës llogariten në trilionë dollarë amerikanë. Rrezikon gjithashtu krijimin e një lloj Asociacioni që bëhet shtet brenda shtetit dhe do të bllokonte veprimtarinë e institucioneve shtetërore për të shkuar më pas te kërkesa ultimative për vetëqeverisje të plotë ose qeverisje të drejtpërdrejtë apo të dyfishtë nga Beogradi e Prishtina", ka vlerësuar ai.

(Kosova Sot)