Sulmi terrorist mbi Ambasadën amerikane, FBI zbarkon në Podgoricë

  • 22 February 2018 - 17:24
Sulmi terrorist mbi Ambasadën amerikane, FBI zbarkon në Podgoricë

Ndihmësdrejtori i Drejtorisë së Policisë malazeze për sektorin e policisë kriminalistike Enis Bakoviq në pres-konferencën sot pasdite konfirmoi se është vërtetuar identiteti i personit për të cilin dyshohet se e ka aktivizuar bombën M75 në oborrin e Ambasadës së SHBA-ve dhe i cili, siç tha, më pas ka kryer vetëvrasje gjithashtu duke aktivizuar një bombë dore. Bëhet fjalë për shtetasin e Malit të Zi D.J. (1976) nga Podgorica, i lindur në Kralevë të Serbisë, i cili deri tani s’ka qenë i regjistruar si kryerës i veprave penale.

Bakoviq ka njoftuar se në bashkëpunim me FBI-në amerikane po analizohen llogaritë në rrjetet sociale që i ka përdorur D.J. respektivisht Dalibor Jaukoviq, siç u identifikua nga mediat. Gjithashtu, po ndërmerren masa për t’u zbuluar nëse ai ka punuar vetë, apo ka pasur bashkëpunëtorë, si dhe cilat janë motivet e sulmit të tij.

Image

“Identifikimi i tij është bërë në bazë të analizës së DNK-së, si dhe me identifikim nga ana e familjarit të afërt”, ka thënë Bakoviqi. Siç raportojnë mediat, identifikimin e terroristit e ka bërë vëllai i tij.

Në interes të hetimeve të mëtejshme, policia nuk u përgjigj në pyetjen e gazetarëve për të dhëna konkrete për sulmuesin – nëse i ka takuar ndonjë organizate, a është bërë bastisja e banesës së tij dhe nëse ka video-regjistrime të lëvizjes së tij nga kamerat mbikëqyrëse.

U tha se Jaukoviqi e ka hedhur bombën nga një distance prej 5-6 metrash nga gardhi i Ambasadës.

Sulmi mbi Ambasadën amerikane me bombë, e cila shpërtheu në ajër dhe nuk shkaktoi viktima apo të lënduar, dhe menjëherë pas kësaj vetëvrasja e Jaukoviqit, gjithashtu me bombë, ka ndodhur mbrëmë, gjysmë ore pas mesnate.

(Kosova Sot)