Kapiti: Drejtësia ka frikë nga krimi, krimi nga drejtësia dhe krimi kap drejtësinë

  • 22 February 2018 - 18:00
Kapiti: Drejtësia ka frikë nga krimi, krimi nga drejtësia dhe krimi kap drejtësinë

Analisti Skënder Kapiti thotë se kur drejtësia ka frikë nga krimi, kur krimi e kap drejtësinë dhe kur krimi e kap edhe politikën, atëherë kemi të bëjmë me degradim të sistemit demokratikligjor dhe realitetin mund ta quajmë vetëm krimokraci. "Drejtësia është moraliteti më i lartë për njeriun dhe për shoqërinë në një shtet dhe shteti është institucioni që i shërben shoqërisë me ligjet, të cilët nuk janë pronë dhe as e drejtë personale e askujt për të bërë çfarë dëshiron pushteti, paraja, krimi dhe korrupsioni, madje drejtësia dhe ligjet e saj e ruajnë amoralitetin njerëzor që të mos rrëshqasë në krim, korrupsion dhe në atë që është thënë nga të tjerë: për të mos sunduar ligji i xhunglës së egër, ku ligjin ta bëjë më i forti", vijoi më tutje ai. "Kur drejtësia është e frikësuar, e dobët dhe e korruptuar, ajo vendimmarrjen dhe vetë gjyqësinë ia lejon antiligjit dhe krimit, ose bëhet vetë palë dhe instrument i tyre. Kjo përbën falimentim të shtetit dhe të shoqërisë, prej së cilës burojnë pastaj të gjitha të këqijat sociale, ekonomike: pasiguria, frika, eksodi, papunësia, varfëria, moszhvillimi dhe mosintegrimi", tha Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)