Petkoviq akuzon SNS'në e Vuçiqit për zullum mbi serbët e Kosovës

  • 22 February 2018 - 19:27
Petkoviq akuzon SNS'në e Vuçiqit për zullum mbi serbët e Kosovës

Politikani serb nga Kosova, Sllavisha Petkoviq, në një intervistë për “Tabloid” ka folur rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe ndërhyrjes së presidentit serb Aleksandar Vuciq.

“Që nga ardhja në pushtet e SNS-së, shumë serb në veri janë sulmuar. U janë gjuajtur bombat nëpër shtëpi, u janë djegur veturat, është rrahur dekani dhe profesorë tjerë. Dhe për fat të keq është dashtë të ndodhë vrasja e Oliver Ivanoviqit që serbët në Kosovë të thonë mjaft, dhe se më nuk do ta durojnë zullumin e SNS-së” thotë Petkoviq.

Sipas Petkoviqit në veri të Kosovës është instaluar një sistem kriminal, që si qëllim ka mbajtjen në frikë të serbëve.

Petkoviq ka folur edhe për njeriun më kontravers në veri të Mitrovicës, Millan Radojçiqin.

“Millan Radojiçiq udhëheq me Listën Serbe, ndërsa Zoran Milojeviq Zela është drejtor i ‘Telekom Kosova’. Kjo është fotografia e regjimit të Aleksnadar Vuçiqit dhe personelit të tij, të cilët e kanë kthyer në të zezë veriun e Kosovës. Sa e di unë Policia e Kosovës dhe EULEX-i pas vrasjes së Ivanoviqit do të merren edhe me kriminelët në Veri. Dhe janë në pyetje ditët kur të tillët do të përfundojnë në vendet që i meritojnë, në burg. Përveç nëse Vuçiqi, e që mund të pritet, nuk u siguron vendstrehim në Serbinë qendrore”, shton Petkoviq.

(Kosova Sot)