SHBA, lobi i armëve u kundërvihet thirrjeve për kontroll mbi armëmbajtjen

  • 22 February 2018 - 23:26
SHBA, lobi i armëve u kundërvihet thirrjeve për kontroll mbi armëmbajtjen

Shefi ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Armëve Wayne LaPierre kritikoi ata që bëjnë thirrje për forcimin e ligjeve për kontrollin e armëve të enjten, kur tha se masa të tilla nuk do të parandalojnë masakra si ajo në shkollën e mesme në Florida, duke shtuar se duhen forcuar masat e sigurisë në shkolla.

“Shkollat duhet të jenë objektet më të fortifikuara në vend dhe ligësisë duhet t’i jepet përnjëherë përgjigje me të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur fëmijët,” tha LaPierre në komentet e para publike që pas masakrës së 14 shkurtit që la 17 të vrarë në Florida.

LaPierre kryeson një nga organizatat më të fuqishme lobiste në Shtetet e Bashkuara, e cila mbron të drejtën e armëmbajtjes për amerikanët. Ai foli në Konferencën për Veprim Politik Konservator, një aktivitet vjetor në Uashington me pjesëmarrjen e mijëra politikanëve, strategëve dhe aktivistëve konservatorë.

LaPierre kritikoi “socialistët demokratë” që flasin për forcimin e ligjeve për kontrollin e armëve dhe paralajmëroi se vendi do të ndikohej negativisht nëse elementë të tillë fitonin në zgjedhjet për organet legjislative shtetërore apo në Kongres.

“Liritë tona si amerikanë mund të zhduken dhe vendi ynë mund të ndryshojë përgjithmonë, liria e parë që zhduket është e drejta e armëmbajtjes në bazë të Amendamentit të Dytë të Kushtetutës”.

Ai nuk përmendi studentët që dëshmuan masakrën në shkollën e qytetit Parkland në Florida, që janë bërë frymëzim i protestave për reformimin e ligjeve të armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara.

Mbi këtë temë foli edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili u zotua se Presidenti Trump do ta bëjë “sigurinë e nxënësve në shkolla përparësi kryesore kombëtare” kur të takohet me guvernatorët e shteteve javën e ardhshme në Uashington.

“Presidenti dhe e gjithë administrata do të vazhdojnë të marrin masa të forta për t’i bërë shkollat të sigurta dhe për t’u dhënë forcave të rendit dhe familjeve mjetet për të ndihmuar individët me probleme dhe sëmundje mendore,” tha zoti Pence.

Po të enjten, Presidenti Trump iu rikthye pikëpamjeve të tij mbi armëmbajtjen duke thënë se do të stërvisë 20% të mësuesve që të mbajnë armë të fshehura për të parandaluar masakrat në shkolla. Presidenti theksoi gjithashtu nevojën për kontroll të përgjithshëm të së kaluarës së personave që duan të blejnë armë, rritjen nga 18 vjeç në 21 vjeç të moshës kur lejohet të blesh armë sulmi, të ngjashme me armët që përdoren në luftë nga ushtarët, si dhe ndalimin e shitjes së mekanizmit që mundëson që një pushkë e thjeshtë të qëllojë si armë automatike.

Nënpresidenti e shfrytëzoi konferencën për të theksuar përparimin e administratës gjatë vitit të fundit, përfshirë vendosmërinë e saj përballë Koresë së Veriut, një vend që ai tha se drejtohet nga “regjimi më tiran dhe shtypës në botë”.

Nënpresidenti lavdëroi gjithashtu angazhimin e administratës në fushatën kundër ISIS, duke deklaruar “ISIS ka marrë arratinë, kalifati i tyre po shembet”.

Ai shtoi se vendimi i administratës për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit ka forcuar imazhin e Amerikës në skenën globale. “Amerika është ngritur përsëri si udhëheqëse e botës së lirë, pa ofruar ndjesë”.

Presidenti Donald Trump ishte folësi kryesor i ftuar në këtë konferencë katër ditëshe. Ai do ta marrë fjalën të premten. Në konferncën e zhvilluar vjet, Donald Trumpi nuk u ftua pasi konsiderohej si një figurë tepër polemizuese.

(Kosova Sot)