Qytetet evropiane rrezikohen nga moti ekstrem

  • 23 February 2018 - 00:07
Qytetet evropiane rrezikohen nga moti ekstrem

Ndryshimet klimatike do të sjellin kaos në Europë nga viti 2051, sipas një studimi që analizon impaktin e dukurive ekstreme në kontinent.

Ekspertët morën në shqyrtim ndryshime të mundshme në përmbytje, thatësira, e valët e të nxehtit për të gjitha qytetet europiane, duke përdorur të gjitha modelet klimatike në dispozicion.

Në të gjitha qytetet e analizuara parashikohen përkeqësime të valëve të të nxehtit, ashtu si dhe rritje të thatësirës, veçanërisht në Jug të Europës.

Në simulime u prashikua gjithashtu rritja e nivelit të lumenjve, veçanërisht në qytetet veriperëndimore të tilla si Londra.

Duke përdorur projeksione nga të gjitha modelet klimatike, ekipi i shkencëtarëve të Universitetit të Newcastle tregoi rezultatet për 3 skenare të ardhshme të mundshme, që i cilësojnë si skenarët e impaktit të ulët, të mesëm e të lartë.

Studimi arrin në përfudnimin se, edhe në skenarin më optimist, atë të impaktit të ulët, si numri i ditëve të nxehta, ashtu edhe temperaturat maksimale do të rriten për të gjitha qytetet europiane.

Qytetet e Europës Jugore do të jenë ato që do të përjetojnë rritjen më të madhe të ditëve të nxehta, ndërsa Europa Qendrore do të preket nga rritja e theksuar e temperaturave gjatë valëve të të nxehtit.

Në skenarin më optimist, temperaturat do të rriten me 2 deri në 7 gradë, ndërsa në skenarin më të keq, nga 8 deri në 14 gradë Celsius. Gjithashtu thatësira parashikohet të jetë dyfish më e lartë sesa nga viti 1951 deri në 2000-shin, e sipas skenarit më të keq, nga dukuria do të preken 98 për qind e qyteteve europiane.

(Kosova Sot)