Pseudopatriotizmi i Edi Ramës dëmton Kosovën

  • 23 February 2018 - 07:16
Pseudopatriotizmi i Edi Ramës dëmton Kosovën

PRAPASKENAT E TAKIMEVE DHE DEKLARIMEVE TË PAPËRGJEGJSHME TË KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË

QARRI: Qeverisja e Edi Ramës dhe pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë është vënia e shtetit në shërbim të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale

Vetëm dy-tri ditë mjaftuan, pasi e tha qartë në fjalimin e tij drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës, me rastin e përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë, se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë një president të përbashkët, kryeministri shqiptar Edi Rama u zmbraps menjëherë, duke lënë të kuptohet se ishte më tepër një "blof" i tij. Derisa në momentin e parë analistët e kritikuan atë për qasje joserioze e krejtësisht për konsum politik personal, madje edhe në dëm të proceseve integruese, tani kryeministri Rama kritikohet akoma më ashpër. Sipas analistëve politikë, blofet e Edi Ramës, edhe duke luajtur me emrin e Kosovës, vetëm sa po e dëmtojnë Kosovën, bashkë me këshilltarët e tij, agjentë të UDB-së, tani në cilësinë e udhëheqësve të medieve të mafio-oligarkëve në Kosovë, duke bërë vazhdimisht veprime dhe deklarime provokative, pa kurrfarë dobie. Sipas analistëve, e vetmja gjë e përbashkët e qeverisë së Ramës dhe kësaj klase të pushtetarëve në Kosovë, është vënia e shtetit në shërbim të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale. Ata theksojnë se modeli i qeverisjes së Edi Ramës ka edhe krah të djathtë kryesisht njerëzit e njëjtë të UDB-së, ngjashëm si Hashim Thaçi, që është model i një vendi ku Ministria e Punëve të Brendshme e "siguron" eksportin e kanabisit në Evropë. Analistët theksojnë se në vend të ndihmës, Rama po e dëmton Kosovën jo vetëm me deklarata, por duke vepruar bashkë me mafio-oligarkët e Kosovës dhe agjentët e UDB-së me marrëveshjet në prapaskenë që ai po i bën me Aleksandër Vuçiqin, siç është deklaruar edhe në medie që ai ta ketë bërë në Davos. 

Bandave u intereson pushteti, jo bashkimi

Një konstatim të tillë kritik e jep analisti Reshat Badallaj. "Edhe njëherë tjetër e kam thëne se kjo që tha Edvin Kristaq Rama, kanabisti që Shqipërinë po e bën yrnek të Kolumbisë, nuk është tjetër pos SHOU dhe ashtu doli, sepse u tërhoq. Bashkimi kombëtar, për të cilin aludonte kanabisti nga Tirana, e di mirë se nuk mund të bëhet bashkimi kombëtar me njerëz të bandave, mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale. I shkreti lehu kinse po them diçka dhe se kosovarët e hanë sapunin për djathë apo i konsideron thasë me kashtë. Banda andej Drinit dhe banda këndej Drinit nuk kanë synim as bashkimin kombë- tar dhe as synimin e bërjes së shtetit. Këta mafio-oligarkë synim kanë marrjen e pushtetit dhe kapjen e tij që të zhvillojnë dhe të lulëzojnë hajninë që dhe u bënë super-milionerë", u shpreh ai. "Edvini më herët nuk kishte ose kishte pak haber për Kosovën, por në kopenë e tyre hyri me urdhra të Serbisë, bashkëpunëtori i tyre i UDB-së me librezë zyrtare, udbashi Baton Haxhiu, dhe shihni se ku u katandisën Kosova dhe Shqipëria. Baton Haxhiu ka hyrë jo rastësisht aty, por me urdhra të shefave të tyre Aleksandër Vuçiqit, dhe bile Edvini e kishte bërë edhe këshilltar të tij", tha Badallaj për "Kosova Sot".

"Me këso blofe Edi Rama po e dëmton seriozisht Kosovën, madje jo vetëm me deklarata, bashkë me mafio-oligarkët e Kosovës dhe agjentët e UDB-së, por edhe me marrëveshjet në prapaskenë që ai po i bën me Aleksandër Vuçiqin,", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Ndërsa, analisti Ragip Guraziu thotë se ky ishte një blof i Edi Ramës."Që në fillim është dashur të kuptohet, ndonëse u kuptua nga shumica e atyre që kanë sens politik e diplomatik, se si ishte skandal, se si mundet një kryeministër që udhëheq një shtet, i cili nderohet duke mbajtur edhe fjalim, të ushtrojë detyrën duke zhvilluar imagjinatën e shfrenuar dhe nuk i shkoi mendja se po dëmton Kosovën, bashkë me këshilltarët e tij, njerëz agjentë të UDBsë. E dimë të gjithë, e di opinioni i gjerë kosovar dhe ai shqiptar se e vetmja gjë e përbashkët e qeverisë së Edi Ramës dhe kësaj klase të pushtetarëve në Kosovë, është vënia e shtetit në shërbim të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale", theksoi ai. "Modeli i qeverisjes së Edi Ramës është model kriminal, ku krah të djathtë ka njerëzit e njëjtë të UDB-së, si Hashim Thaçi, është model i një vendi ku Ministria e Punëve të Brendshme e "siguron" eksportin e kanabisit në Evropë dhe identifikon shtetin me krimin e organizuar", tha Guraziu për "Kosova Sot"

Pushtetarët në shërbim të mafio-oligarkëve

"Në udhëheqjen e Shqipërisë nga Edi Rama, ka shkuar puna deri aty, sa vetë ai personalisht të përflitet si baron i drogës në vend, ndërsa Shqipëria, model i një shteti banane, ku Ministria e Punëve të Brendshme e 'siguron' eksportin e kanabisit në Evropë, madje vetë Rama pranon hapur të ketë diskutuar 'miqësisht e djallëzisht' me Vuçiqin edhe për territoret e Kosovës dhe ndarjen e saj, me qëllim që t'i plotësojë apetitet Serbisë me toka shqiptare, dhe t'i favorizojë miqtë e vet të inkriminuar në Kosove për t'i shpëtuar ata nga Gjykata Speciale, ndaj shqiptarët duhet të tregohen maksimalisht të kujdesshëm se çfarë presidenti të përbashkët mund t'u sjellin Hashim Thaçi dhe Edi Rama, trojeve tona", tha Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot"

Sipas analistit Gani Qarri, të pritet bashkimi kombëtar dhe sjellja e një kryetari të përbashkët për të dy shtetet shqiptare nga njerëz si Edi Rama me Hashim Thaçin, të cilët ua kanë humbur edhe kuptimin e të qenit shtet Shqipërisë dhe Kosovës, kjo është më tepër se iluzion, lojë e pistë me popullin e tejdurueshëm shqiptar dhe tërë- sisht utopi. "Sot, kanë kaluar më se 106 vjet që kur Shqipëria është shpallur shtet, dhe 10 sosh që Kosova e mban veten për vend të pavarur, por nga krejt ajo që shohim e përjetojmë në të dy anët e kufirit, asnjëra as tjetra ende nuk janë shtete të njëmendta. Kryeministrat e Shqipërisë, edhe më tepër se një shekull pas mëvetësisë, bëjnë pazare me tokat dhe ujërat e saj, dhe përderisa të varfrit e gjallë shqiptarë, i nxjerrin në rrugë dhe i lënë pa shtëpi, pa banesë, pa bukë, as kulm mbi kokë, në anën tjetër u ngrehin memorialë politikisht tejet të ngrohtë dhe të shtrenjta ushtarëve grekë, të cilët në Luftën e Dytë Botërore paskan luftuar me ushtrinë e Duçes se kush nga këta të dy do ta zotërojë Shqipërinë e Jugut. Njëjtë apo edhe më keq përjetohen sjelljet antiligjore të Hashim Thaçit dhe grupit 'PRONTO' në Kosovë, fakte trishtuese këto, që dëshmojnë hapur dhe katërçipërisht se këtu nuk mund të flitet më për patriot, të cilët mund të bëjnë bashkimin kombëtar, as liderë që kanë ndonjë plan serioz për bashkimin e kombit,por për blofe të atyre që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë, sa herë veprojnë në dëm të shtetit dhe kombit", tha analisti Qarri për "Kosova Sot". Ai shton se reagimi popullor ishte aludim i fortë jo kundër presidentit të përbashkët, por pikërisht kundër personit që e shfaqi si ide, për faktin se si ai, ashtu edhe homologu i tij në Kosovë, që nga ardhja në majat e pushtetit, janë treguar plotësisht të paaftë për ndërtimin e një shteti të një- mendtë ligjor, kanë shkatërruar perspektivën evropiane të shqiptarëve andej dhe këndej kufirit dhe kanë bërë të pamundur jetesën e tyre në Shqipëri dhe në Kosovë. "Është tejet e çuditshme, kur për president të përbashkët flet një kryeministër kontrovers si Edi Rama, i cili bashkë me Hashim Thaçin për këshilltarë të vet kanë zgjedhur të mbajnë agjentë të UDB-së, si Baton Haxhiu, dhe për të mbuluar veprimet e tyre të dyshimta, kur bëjnë pazare me vendet fqinje, në dëm të shtetit, mbijetojnë politikisht me ngacmimin e ndjenjave kombëtare, duke shpërndarë mjegull dhe shpresa të rrejshme si dhe keqpërdorur rëndë gjendjen e shqiptarëve që jetojnë në varfëri të skajshme dhe kalojnë jetën në trishtim. Krejt ajo çfarë kanë ofruar në qeverisjen e tyre të deritanishme Edi Rama dhe kasta e pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë, është vënia e shtetit në shërbim të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale, të cilët, si njëri ashtu edhe tjetri, krah të djathtë kanë njerëzit e UDB-së, përmes të cilëve bëhen aranzhmane, organizohen takime të fshehta e të hapura dhe arrihen marrëveshje të dyshimta, si përpjekjet e Ramës në Davos të Zvicrës me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e Kosovës", tha analisti Gani Qarri.

"Baba" i kombit

Analisti Hidajet Ahmeti po ashtu është kritik për lojërat e pamatura që po bën kryeministri Rama."Fjalimi i Edi Ramës më shumë ishte një fjalim politik sesa substancial. Gjuha e përdorur në foltoren e Kuvendit të Kosovës në rastin e përvjetorit të dhjetë të Pavarësisë nga kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, në intencë ka ngjalljen e emocioneve të opinionit publik e posaçërisht atij kosovar. Fjalimit e pamatura dhe të paanalizuara mirë nga kushdo qofshin nuk kontribuojnë në procesin e unifikimit ekonomik, politik e kulturor të shqiptarëve të të dyja shteteve. Juridikisht, Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete sovrane e të pavarura, dhe rruga e tyre është drejtë BE-së dhe fjalimet e tilla politike ngjallin polarizime në skenën politike ndërkombëtare", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

"Me këtë, Edi Rama, bashkë me këshilltarët e tij, njerëz të UDB-së, duke bërë vazhdimisht deklarata provokative, joserioze dhe të padobishme, po i bën shumë dëm shtetit të Kosovës. Me këto deklarata, Edi Rama po paraqitet si 'baba' i kombit shqiptar dhe se vetëm ai mund ta zgjidhë problemin e Kosovës, në bisedimet e shpeshta që po i bën ai me Vuçiqin, kryetarin e Serbisë! Në deklaratat e tij, tinëzisht e ka të fshehur edhe ndarjen e Kosovës. Dhe, si mundet, vallë, një kryeministër i një shteti tjetër të flasë aq lirshëm, pa i peshuar fare mendimet e veta për shtetin e Kosovës e të mos reagojnë pushtetarët tanë! Pushtetarët tanë, nëse ia duan të mirën Kosovës, duhet rreptësisht t'i kundërvihen Edi Ramës, duke i thënë: për Kosovën flasim ne, e jo ti", u shpreh analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

"Si mundet Edi Rama të flasë përherë me armikun e Kosovës Vuçiq, për integritetin e Kosovës. Kjo është një fiasko dhe një verbëri e lartë politike, që nuk ka fare ndjesi për integritetin kombëtar dhe avancimin e shtetit të Kosovës. Këto deklarata të pista dhe pa farë logjike shtetërore, mos vallë po u konvenon edhe disa politikanëve tanë, të cilët e kanë 'mizën pas veshi' për të shpëtuar nga Gjykata Speciale", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

 Analisti politik Bislim Aliu vlerëson se është fakt që në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, para deputetëve të Kuvendit, Edi Rama u shpreh lirshëm, se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë një president të përbashkët, prandaj ai tani duhet të japë llogari dhe ta shpjegojë me përgjegjësi, se si ka mundur që nga pozita e një kryeministri të shtetit amë të shqiptarëve, me gjithë respektin dhe nderimin që pati duke mbajtur fjalim, të shprehet aq lirshëm para deputetëve të Kuvendit, duke shprehur imagjinatën e tij, të pakonceptuar, pa ndjenja dhe tejet i shfrenuar dhe më pas të tërhiqet nga ajo. Aliu thotë se jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera Rama i ka bërë dëm shtetit të Kosovës me deklarime të pamatura. "Me këtë, Edi Rama, bashkë me këshilltarët e tij, njerëz të UDB-së, duke bërë vazhdimisht deklarata provokative, joserioze dhe të padobishme, po i bën shumë dëm shtetit të Kosovës. Me këto deklarata, Edi Rama po paraqitet si 'baba' i kombit shqiptar dhe se vetëm ai mund ta zgjidhë problemin e Kosovës, në bisedimet e shpeshta që po i bën ai me Vuçiqin, kryetarin e Serbisë! Në deklaratat e tij, tinëzisht e ka të fshehur edhe ndarjen e Kosovës. Dhe, si mundet, vallë, një kryeministër i një shteti tjetër të flasë aq lirshëm, pa i peshuar fare mendimet e veta, për shtetin e Kosovës, e të mos reagojnë fare pushtetarët tanë! Pushtetarët tanë, nëse ia duan të mirën Kosovës, duhet rreptësisht t'i kundërvihen Edi Ramës duke i thënë: për Kosovën flasim ne, e jo ti", u shpreh ai.

Përveç retorikës, asnjë hap drejt bashkimit

"Sa i përket blofit të RAMËS është diçka pa koncept politik dhe një blof i tillë mund të ndodhë nga imagjinata e çdo lideri për teke të tij dhe pseudopatriotizmin e lirshëm politik për të arritur poenë politikë", tha Ali Hertica për "Kosova Sot"

Analisti Ali Hertica thotë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtetet realisht dhe formalisht të ndara në të gjitha zhvillimet, dhe punën administrative, por janë si pjesë e një rrëfimi të hidhur e të përbashkët historik në të kaluarën e shtetndërtimit, prandaj jo rrallë kanë një ndjenjë të unifikuar shtetërore dhe kombëtare dhe të një interesi të pandashëm politik, ekonomik dhe kulturor, që këto raporte të përafrohen dhe forcohen gjithnjë e më shumë. Sidoqoftë, Hertica thekson se veç deklaratave patriotike bombastike asgjë nuk po funksionon si duhet në platformën e përafrimit dhe të heqjes së barrierave ndërshtetërore, duke i bërë kufijtë dhe administratën de fakto vetëm procedura formale. Në këtë funksion, sipas tij, është edhe angazhimi joserioz i Edi Ramës. "E, nëse sot mundësitë institucionale të dy shteteve janë më të funksionalizuara, Kosova dhe Shqipëria duhet të mendojnë për njëra- tjetrën dhe perspektivën e përbashkët të të dy shteteve, ku në dekadat e fundit është mundësi për të rimenduar të ardhmen e dy shteteve si shtete demokratike, por të njohura reciprokisht pa u thelluar në inskenimet e elektrizuara politike, siç ishe blofi i EDI RAMËS në 10- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku kërkoi të ketë një kryetar për dy shtete. Ky ishte dhe është një lloj sporti kombëtar për të dy shtete shqiptare, Kosovë -Shqipëri, por edhe për atë ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti i pamenduar mirë dhe pastaj kalon një histori, e cila mund të ketë edhe urrejtje të figurave politike", potencoi Hertica për "Kosova Sot".

Ndërsa, sipas veprimtarit Ibrahim Kelmendi, dëshira që ka shprehur në Kuvendin e Republikës së Kosovës kryeministri Rama duhet të ketë qenë frymëzim emocional rastë- sor, e nxitur nga atmosfera festive. "Ndërsa, reagimi histerik i Serbisë, BEsë, Amerikës, Rusisë dhe ca mbetjeve të mendësisë moniste, titiste në Kosovë, është një përvijim i kamotshëm antishqiptar. Nën këtë presion histerik, kryeministri Rama u detyrua të bënte korrigjim. Përndryshe, ishte një dëshirë naive, meqë nuk ka ndodhur diku në botë që dy shtete të pavarura të zgjedhin president të përbashkët, pa bërë paraprakisht bashkimin e tyre në një shtet. Prandaj, nuk më duket e arsyeshme të bëhem pjesë e një orkestrimi, që e çmon për blasfemi nëse shprehet dëshirë që përmban bashkimin shqiptar",tha Kelmendi për "Kosova Sot". Me gjithë pyetjet e dërguara, Baton Haxhiu nuk ka kthyer përgjigje për të dhënë versionin e tij për akuzat e bëra.

(Kosova Sot)