Abdixhiku: Vendi po mbetet peng i inateve të një njeriu - Ramush Haradinajt

  • 23 February 2018 - 12:34
Abdixhiku: Vendi po mbetet peng i inateve të një njeriu - Ramush Haradinajt

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar kryeministrin Ramush Haradinaj se vendi po mbetet i izoluar vetëm për shkak të inateve dhe kryeneçësisë së tij

Abdixhiku thekson se edhe pse ofruan zgjidhje dhe e njëjta u pranua nga shumica e partive shqiptare, një gjë e tillë, sipas tij, u refuzua nga kryeministri.

"Një vend i tanë vazhdon të mbetet peng i inateve të një njeriu - siç mbeti peng për 3 vjet rresht. Pavarësisht se ofruam një zgjidhje, pavarësisht se kjo zgjjidhje u pranua nga shumica e partive shqiptare, pavarësisht se të gjitha raportet - po e përsëris - TË GJITHA raportet e të gjitha komisioneve ishin në ligj, Kryeministri vendosi me kryeneçësi. Vendosi të mos lëvizë nga pozicioni i tij fillestarë që sipas secilit interpretim ligjor prodhonte kontraditë. Nuk donte zgjidhje ani pse shumica ishin pajtuar për një gjë të tillë", ka shkruar Abdixhiku.

Zyrtari i LDK-së flet edhe për konfrontimin e tyre me Haradinajn në Kuvend. Ai thotë se sa për gjuhën ofenduese të tij, ajo nuk i shantazhon. 

"S’mund të na shantazhojë. Ta harrojnë. Ajo veçse tregon nivelin qeverisës në vend. LDK do të votojë marrëveshjen, siç ka deklaruar gjithherë. Unanimisht, me 27 vota për - sapo të shmangen kontradiktat ligjore", ka shtuar ai.

(Kosova Sot)