Drejtësia në kaos, Kuvendi t'u kërkojë llogari shefave

  • 23 February 2018 - 07:27
Drejtësia në kaos, Kuvendi t'u kërkojë llogari shefave

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT, BETEJË E HUMBUR

Zeqa: Shteti i së drejtës ka dështuar plotësisht shkaku i nënshtrimit ndaj politikës dhe parapolitikës, ndaj mafio-oligarkëve dhe grupeve të shumta kriminale

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe ekspertët e së drejtës vazhdojnë ta kritikojnë sistemin e sundimit të ligjit, për faktin se, sipas tyre, në shtetin e Kosovës ka dështuar plotësisht shteti i së drejtës. Sipas njohësve të këtyre rrethanave, edhe Prokuroria po dorë- zohet, e sidomos Prokuroria Speciale - kompetente me ligj për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, derisa në shumë raste vetë prokurorët po e bojkotojnë e sabotojnë qëllimshëm punën e Prokurorisë, prokurorët e dëgjueshëm e të nënshtruar ndaj politikës brenda sistemit , të cilët nuk duan të futen në konflikt me qeveritarët e zyrtarët e tjerë të pushtetit të inkriminuar, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror. Kjo është një arsye që akoma nuk po flitet me emra dhe mbiemra, se kush nga kryeprokurorët dhe prokurorët po e sabotojnë betejën detyruese "antikorrupsion" në radhët e sistemit të drejtësisë. Duke qenë kështu, askush nuk mund të japë një parashikim se deri kur Prokuroria Speciale me njërën këmbë do të jete me politikën e korruptuar dhe në krim të organizuar, e me tjetrën bën gjumin e rehatshëm mbi dosjet e krimit të organizuar, duke i bllokuar ato në zyrat e veta! Ajo që është e sigurt, sipas njohësve të kësaj fushe, rendin dhe ligjin funksional do ta vendosë në binarët normalë vetëm depolitizimi dhe pastrimi me VETTING i institucioneve të sundimit të ligjit.

Të korruptuarit po e shkatërrojnë shtetin

Sipas analistit Florim Zeqa, shteti i së drejtës në Kosovë ka dështuar plotësisht shkaku i nënshtrimit ndaj politikës dhe parapolitikës, ndaj mafio-oligarkëve dhe grupeve të shumta kriminale. "Në këtë segment ka dështuar në tërësinë e saj edhe Prokuroria Speciale - kompetente me ligj për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar! Dhe, përderisa Prokuroria Speciale vazhdon të qëndrojë me njërën këmbë me politikën e korruptuar dhe në krim të organizuar, e me tjetrën bën gjumin e rehatshëm mbi dosjet e krimit të organizuar, duke i bllokuar ato në zyrat e veta as që pritet ndryshim pozitiv në sistemin e drejtësisë kosovare", u shpreh ai. "Pa depolitizimin e Gjyqësorit dhe Prokurorisë dhe hapjen e rrugës për prokurorët me vullnet e ndershmëri, me etikë e integritet profesional, kurajozë e të guximshëm, është vështirë dhe e pamundur që të vihen me shpatulla për muri zyrtarët e lartë të korruptuar që po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës përgjatë këtyre viteve të paspavarësisë", tha Zeqa për "Kosova Sot"

"Opozita do të duhej menjëherë të kërkonte një hetim parlamentar për Prokurorinë dhe Gjykatën e Kosovës, e sidomos ndaj Prokurorisë Speciale, në mënyrë që të shpërfaqen emrat dhe mbiemrat e atyre që po e sabotojnë luftën ndaj korrupsionit, dhe pastaj të kërkonin shkarkimin e menjëhershëm të tyre dhe dhënien e përgjegjësisë për mosushtrimin e obligimeve ligjore. Kjo do të ishte një ndihmë paralele për ndërkombëtarët, pasi lufta ndaj korrupsionit do të jetë kushti i radhës për liberalizimin e vizave", tha Azem Osmani për "Kosova Sot"

 Sipas Azem Osmanit, kur janë në pyetje njerëzit e korruptuar, që kanë ndikim politik dhe klanor, tani për tani as që vjen në konsideratë hetimi dhe gjykimi i tyre. "Kjo po ndodh për faktin se truri drejtues i institucioneve të drejtësisë udhëhiqet nga njerëzit e dërguar pikërisht prej kastës aktuale politike. E njëjta gjendje është edhe në Prokurorinë Speciale, kompetente me ligj për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këto çështje do të duhej të merrej sidomos tani opozita aktuale, meqë është një opozitë e madhe me numra, por edhe me fuqi të madhe ndikuese politike. Gjendemi në një kohë kur pas ratifikimit të mundshëm të demarkacionit, ndërkombëtarët do ta rrisin presionin për hetimin dhe gjykimin e 'peshqve të mëdhenj'", u shpreh Osmani për "Kosova Sot"

Mafia politike kontrollon pushtetin

"Drejtësinë në Shqipëri po e shpëton SHBA-ja, prandaj them se duhet e njëjta gjë edhe në Kosovë, si nevojë dhe si domosdoshmëri, pasi ashtu sikurse SHBA-ja e shpëtoi Kosovën nga barbaria dhe nga gjenocidi serb dhe e fitoi shtetin e vet, ashtu po SHBA-ja është ajo që do ta çlirojë drejtësinë nga prangat e padrejtësisë, të krimit dhe të korrupsionit", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

Skënder Kapiti thotë se drejtësinë në Kosovë e shpëtojnë vetëm SHBA-ja dhe VETTING-u."Në Kosovë nuk flitet as me emra dhe as me mbiemra se kush janë prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët e sabotojnë betejën dhe luftën kundër krimit dhe të korrupsionit, sepse janë pothuajse të gjithë të kriminalizuar dhe të korruptuar. Sabotimin për funksionimin e ligjit dhe të drejtë- sisë e bëjnë pikërisht ata, të cilët duhet ta zbatojnë dhe ta japin drejtësinë, ata të cilët duhet ta japin drejtësinë ligjore dhe ta zbatojnë Kushtetutën në emër të Republikës, dhe këta janë gjykatësit dhe prokurorët, pra drejtësia, e cila është në aleancë, në konsensus dhe në simbiozë jetike e korruptive me politikën, pushtetin qendror e lokal, me qeverisjet e korruptuara dhe të kriminalizuara", u shpreh ai. "Drejtësia në Kosovë është e dorëzuar te politika, sepse ajo është drejtësi politike, e cila i shërben vetëgjyqësisë politike, dhe për këtë shërbim që drejtësia i bën politikës, ajo si shpërblim merr të drejtën dhe guximin për të bërë batërdinë me ligjin, me korrupsionin dhe me padrejtësinë, sepse drejtësia ka mbrojtje të sigurt politikën dhe Qeverinë. Kur mafia politike, e pushtetit dhe e drejtësisë identifikohen si të njëjta, atëherë sistemi është dhe funksionon si një sistem i korruptuar dhe i kriminalizuar, çmontimin e të cilit e ka shumë të vështirë për ta bërë shoqëria shqiptare. Këtë e ka vërtetuar realiteti në Shqipëri, ku u desh ndërhyrja vendimtare e SHBA-së për miratimin si të Ligjit për dekriminalizimin e politikës, ashtu edhe për miratimin e Ligjit të VETTING-ut", vijoi më tutje Kapiti për "Kosova Sot"

Drejtësia në duar të klaneve

"Sistemi është i kapur, i shantazhuar dhe i korruptuar deri në palcë. Është vetëm një rrugëdalje, deputetët e Komisionit Ligjor apo ndonjë komision tjetër funksional t'i ftojnë kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin në raportim. Jam shumë i bindur se situata në këta sektorë është edhe më e keqe se ajo që doli të jetë në Polici dhe në IPK. Tani është një qetësi, sepse po heshtin të gjithë", u shpreh ishdrejtori i AKK-së, Hasan Preteni, për "Kosova Sot"

Ish- kreu i Agjencisë Antikorrupsion të Kosovës, Hasan Preteni, situatën alarmante në fushën e sundimit të ligjit, më së miri e ilustron duke iu referuar raportimit të një dite më parë në komisionin parlamentar, të ministrit të Brendshëm të Kosovës. "Kjo situatë nuk është vetëm percepcion, ky është realiteti. Dje ishim dëshmitarë të një 'Raportimi' në Kuvend. Ministri i Punëve te Brendshme për problemet në IPK, ku, edhe pse takimi ishte i mbyllur për publikun, disa informata dolën. Prokurores iu morën provat, ajo hesht, hesht edhe KPK-ja pas publikimit të kësaj informate. Ish-kreu i Gjykatës Supreme para disa javësh doli me një informacion tronditës 'Policia i prish 80% të provave'. Prapë heshtje. Sistem është i kapur, i shantazhuar dhe i korruptuar deri në palcë. Është vetëm një rrugëdalje, deputetët e Komisionit Ligjor apo ndonjë komision tjetër funksional t'i ftojë kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin në raportim. Jam shumë i bindur se situata në këta sektorë është edhe më e keqe se ajo që doli të jetë në Polici dhe në IPK. Tani, është një qetësi, sepse po heshtin të gjithë", u shpreh ai."Në momentin e parë kur të dalë vetëm një informatë- ankesë brenda sistemit, gjithçka shpërthen. Po mos të ishte konkursi famëkeq i pranimit të inspektorëve në IPK, mos të prisheshin interesat klanore, kjo situatë do të vazhdonte në pafundësi, por ndodhi çka ndodhi dhe marrëzia dhe krimi dolën në sipërfaqe. Kështu do të ndodhë edhe në Prokurori dhe në Gjyqësi, vetëm një shkëndijë dhe do të shpërthejë baroti. Kjo do të ndodhë edhe nëse (rastësisht) Prokuroria të hapë ndonjë rast, t'i prishë interesat e ndonjë klani dhe vullkani do të shpërthejë . Kjo situatë e depresive dhe e pashpresë mund të ndryshojë vetëm me një 'tërmet të fuqishëm'", tha Preteni për "Kosova Sot".

"Vetëm një Vetting serioz, i përkrahur nga SHBA-ja dhe një ligj antimafia, ku konfiskohen pasuritë e paligjshme të kujtdo qoftë, e vendos sistemin e drejtësisë në themelet e shëndosha, e pastron edhe drejtësinë, edhe politikën", tha Naim Miftari për "Kosova Sot

Eksperti i kësaj fushe, Naim Miftari tha se drejtësia në Kosovë, de-fakto e de-jure, e ka humbur betejën për sundimin e ligjit dhe aq më keq janë bërë vetë instrument i krimit të organizuar i politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve të mafisë."Edhe emërimi apo ndryshimi i prokurorëve jo i lartë, jo prokuror special, janë vetëm manovra për ta mbuluar dështimin e drejtësisë, pasi si do ta quash Prokurorin Special apo jo, ai prapë do jetë prokuror i korruptuar dhe prapë do të jetë prokuror servil i dikujt . Dhe, pa një pastrim total, dezinfektim të organeve të drejtësisë dhe policisë me gjithë inteligjencë, nuk do të ketë progres apo përmirësim të gjendjes kaotike në drejtësi, prandaj një Vetting serioz, i mbështetur fuqishëm nga Ambasada amerikane, është i domosdoshëm dhe i vetmi shpëtim", theksoi ai."Organet e drejtësisë sot ngjajnë në bursa aksionesh, ku shiten dosjet kriminale dhe shumica as që vijnë në gjykatë të shqyrtohen, edhe pse sot për sot nuk ka as kush i gjykon, pasi vetë organet shtetërore të ligjit manipulohen rregullisht nga politikanët e korruptuar nga oligarkët e mafisë dhe nga vetë krimi i organizuar që fuqinë e vet e ka të fshehur thellë në politikë", potencoi Miftari për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)