Shpronësimi korruptiv, shtëpitë e Hades E SHIPITULLËS SI SHTËPITË E PARISIT

  • 23 February 2018 - 07:40
Shpronësimi korruptiv, shtëpitë e Hades E SHIPITULLËS SI SHTËPITË E PARISIT

SKEMA MAFIOZE E SHUMËFISHIMIT TË VLERËS SË PRONAVE

Akuza dhe kundërakuza për shpronësimet në Hade

S hpronësimet në Hade kanë nxitur edhe akuza për korrupsion qeveritar. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ditë më parë në mediat vendore ka adresuar akuza ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj për shpronësimet në Hade, të cilat do t'i hapin rrugë Korporatës Energjetike të Kosovës për nxjerrje të thëngjillit. Haziri, i cili udhëheq Komunën e Gjilanit, ka thënë se Qeveria e Haradinajt ka shpenzuar pesëdhjetë herë më shumë për shpronësime sesa që ka planifikuar qeveria 'Mustafa'."Kjo është shumë lehtë, nëse e blen një shtëpi 300 mijë euro, në vend të 52 mijë euro, sipas vlerësimit të parë. E keni çuar në 300 mijë euro, natyrisht që e kryeni për një javë ditë", ka thënë Lutfi Haziri. Ndërkohë ekspertët mbështesin akuzat kundër Qeverisë për shpronësimet e KEK-ut dhe dallaveret me pronat. 

Ka interesa klanore dhe politike korruptive

"Këtu është thjesht një biznes ose më mirë të themi një lloj tregtie me të ardhura të sigurta dhe afat rekord të kthimit të investimit. Ndaj vlera e shpronësimit duhet të kthehet në vlerën e parë, të cilën qeveria 'Mustafa' e kishte dhënë", tha Lulzim Beqiri

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për "Kosova Sot" se është e vërtetë deklarata e Lutfi Hazirit lidhur me shpronësimet në Hade e Shipitullë dhe kostoja e paraparë nga Qeveria 'Mustafa' ka qenë shumë më e vogël sesa kostoja që Qeveria e kryeministrit Haradinaj ka planifikuar. "Mendoj se këtu ka interesa klanore politike që është rritur vlera e shpronësimit, pavarësisht mungesës së thëngjillit dhe krizës eventuale për energji elektrike", u shpreh ai."Këtë problematikë këtu është dashur që ta planifikojë korporata dhe jo të lihet deri në momentet e fundit një gjë e tillë, ngase është partia e kryeministrit Haradinaj ajo që po udhëheq komunën dhe që janë këto shpronësime dhe sipas informatave mediatike ka ndërhyrje edhe të aktorëve të komunës edhe të qeverisë e ministrive përkatëse, sipas të dhënave nga mediat aty ka edhe politikanë të nivelit të lartë që kanë ndërtuar shtëpi edhe atë për 5 ditë një godinë që do t'i sjellë të ardhura deri në 300 mijë euro ose edhe më shumë", vijoi më tej Beqiri."Jo përse ajo qeveri ka bërë analiza dhe strategji të duhura, por mendoj se është kosto e përballueshme dhe e barasvlershme me vlerën e tregut, ngase Hadja dhe Shipitulla nuk janë Paris, thjesht ligji e përcakton qartë se sa duhet kompensuar diçka që duhet të jepet për interesa madhore nacionale", theksoi ai. 

Drejtësia duhet të hetojë skemën mafioze

"Me këto shpronësime qeveria aktuale e ka treguar hapur një moskujdes dhe keqpërdorim të parasë publike, duke i fryrë çmimet në krahasim me çmimin real të tregut", tha Mustafë Kadrijaj për "Kosova Sot" 

Analisti Mustafë Kadrijaj tha për "Kosova Sot" se shqetësimi i nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, është për ta marrë seriozisht dhe të thirret seancë plenare kryeministri aktual për ta sqaruar me shifra, sepse nuk mund të keqpërdorë paranë e qytetarit sipas tekeve."Nëse ka vend për dyshime të mëtutjeshme do të duhej që institucionet kompetente për drejtësi të merren me këto dyshime, sepse që nga marrja e mandatit të kryeministrit aktual ai i ka bërë disa veprime sipas tekeve të tija, pa u konsultuar fare me ligjet në fuqi", u shpreh ai."Duke u bazuar me veprimet e deritashme të kryeministrit aktual, ka vend për dyshime në shumë veprime të kryeministrit", tha Kadrijaj. Sipas tij, në një vend stabil dhe demokratik do të merrej policia, prokuroria dhe gjyqësia, por me këtë drejtësi të kapur kot shpresojmë për veprime. "Kryeministri aktual, përveçqë është treguar menaxher i dobët njëherësh një kryeministër që më së paku e kupton çka do të thonë ligji dhe normat juridike, pra është një kryeministër që me veprimet e tij më se shumti u ka dhënë hapësirë anarkisë dhe mosllogaridhënies. Mendoj e vetmja shpresë që të ndalen veprimet e kryeministrit aktual është të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare", theksoi ai.

Edhe LDK-ja pjesë e dështimeve në Hade

"Nëse është shkelur Ligji për shpronësim, atëherë duhet të reagohet dhe jo vetëm që të flasim, ngase shtrohet pyetja kush e ka ndalur Qeverinë e Isa Mustafës që të veprojë për shpronësimet në Hade dhe Shipitullë, edhe këtë udhëheqësit e LDK-së duhet që ta theksojnë", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot" 

Ndërsa ish-deputeti Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se udhëheqësit e Lidhjes Demokratike Kosovës më mirë është ta kritikojnë veten për punët që kanë pasur mundësi t'i kryejnë vetë dhe nuk i kanë kryer, sepse pas luftës LDK-ja ka qenë subjekti politik më së gjati në qeverisje. "Tani është praktikë në vendin tonë që subjektet politike që janë në opozitë të kritikojnë për shumë çështje në vend, ndërsa kur po vijnë në qeverisje atëherë ato nuk po tregojnë ndonjë sukses në qeverisje dhe kjo vlen edhe për LDK-në, që për një kohë të gjatë ka qenë në qeverisje në nivelin qendror dhe ka qeverisur edhe komunat më të fuqishme në vendin tonë, si Prishtinën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Ferizajn, Gjilanin etj. Por, nuk kanë qenë fort në gjendje të bëjnë ndonjë veprim që është dashtë për t'u mburrur me sukseset e tyre", u shpreh ai."Edhe në çështjen e Hades është dashur të veprojë qeverisja e udhëhequr nga LDK-ja e jo të lejojë që gati të futemi në kolaps energjetik për mosveprim dhe për teke të dikujt të futemi në një situatë të krizës energjetike", potencon Neziraj. Sipas tij, sa u përket çmimeve për shpronësim është ligji përkatës që e thotë se shpronësimi bëhet në bazë të vlerës së asaj pasurie.

Qeveri e përfitimeve

 

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" tha se janë me të drejtë shpronësimet që i ka bërë qeveria 'Haradinaj' në fshatrat Hade dhe Shipitullë."Prandaj, Lutfi Haziri duhet të mos ngutet me këto akuza ndaj kryeministrit nëse nuk e di arsyen e marrëveshjes që e ka bërë z. Haradinaj me banorët e Hades dhe Shipitullës, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, që të ketë rrjet energjetik nga ky lokacion i ri për nxjerrjen e thëngjillit", theksoi ai

"Këta po e shfrytëzojnë shansin sa të jenë në pushtet që të pasurohen. Duke filluar nga rritja e pagave për vetveten e tyre... Kjo qeveri ua ka rritur dukshëm vlerën e shpronësimeve që po bëhen në Hade dhe Shipitullë", tha deputeti Salih Salihu (VV) për "Kosova Sot"

Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu (VV), tha për "Kosova Sot" se kjo qeveri e tashme mision të vetëm të saj e ka vetveten dhe pasurimin e saj dhe po e konfirmon me punën e saj 100- ditëshe, por edhe më tutje."Këta po e shfrytëzojnë shansin sa të jenë në pushtet që të pasurohen, duke filluar nga rritja e pagave për vetveten e tyre", potencoi ai."Kjo qeveri ia ka rritur dukshëm vlerën e shpronësimeve që po bëhen në Hade dhe Shipitullë, sepse kjo akuza e Lutfi Hazirit qëndron. Pastaj tenderi i TC "Kosova e Re" është bërë tinëz dhe larg opinionit", thotë Salihu. Sipas tij, të gjitha këto dëshmojnë se kjo qeveri synim të vetëm ka përfitimet sa më të mëdha për veten. 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), tha për "Kosova Sot" se janë të kota dhe të padrejta akuzat e Lutfi Hazirit, që padrejtësisht e akuzon qeverinë 'Haradinaj' për punën që e ka bërë rreth kompensimit të banorëve të Hades."I tërë faji u përket partisë së Lutfi Hazirit dhe Qeverisë së Isa Mustafës që nuk e kanë kryer këtë punë dhe është dashur që ta kryejë urgjentisht Qeveria e z. Haradinaj", ka deklaruar ai.

 

(Kosova Sot)