Protestuesit po kërkojnë liberalizim

  • 23 February 2018 - 13:23
Protestuesit po kërkojnë liberalizim

Derisa në Kuvendin e Kosovës zhvillohej seanca e jashtëzakonshme për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, një numër i vogël i qytetarëve kanë protestuar para Kuvendit duke kërkuar që të votohet marrëveshja e demarkacionit.

Kjo protestë e thirrur nga “Fondacioni i Kosovës për Inovacione” dhe disa OJQ të tjera kanë kërkuar përmes pankartave të tyre që të zhbllokohen qytetarët e Kosovës.

Organizatori i kësaj proteste, Bashkim Fazliu ka kërkuar nga ndërkombëtarët që edhe deputetëve t’iu pamundësohet lëvizja drejtë Bashkimit Evropian.

Ai tha se udhëheqësit e Kosovës po bëjnë eksperiment me shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Fazliu po ashtu kërkoi nga politikanët që t’i lënë interesat vetjake dhe të fokusohen në obligimin e tyre, që është puna në interes të qytetarëve.

Kurse, Islam Krasniqi i ka quajtur kriminel e banditë ata që nuk po e votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërsa, i moshuari Enver Haxhiu, i cili kishte dal të protestonte para Kuvendit të Kosovës, fajtor kryesor për mos heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës i ka konsideruar krerët e shtetit.

Ai ka aluduar se nëse nuk votohet demarkacionit brenda këtyre ditëve, liberalizimi i vizave asnjëherë nuk do të ndodhë.

Gjatë kohës sa ishte duke u mbajtur protesta, derisa në  Kuvend po hynte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti një nga protestuesit e ka gjuajtur  atë me vezë.

(Kosova Sot)