Thaçi paditet për tradhti, KUVENDI NUK I BËN 80 VOTA

  • 23 February 2018 - 07:47
Thaçi paditet për tradhti, KUVENDI NUK I BËN 80 VOTA

DEMARKACIONI SHTYHET PËR TË PREMTEN 

Kelmendi: Këtë Kuvend dhe këtë Qeveri i ka në dorë Vuçiqi

"Kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit, për shkak të veprës penale 'tradhti ndaj vendit'", tha deputetja Albulena Haxhiu

Kuvendi i Kosovës e ka shtyrë për sot seancën e jashtëzakonshme, ku në rend dite është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Deri te shtyrja e seancës erdhi pasi që nuk u siguruan 80 votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes. Pas një pritjeje prej më gjatë se 2 orë e gjysmë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, doli në foltoren e Kuvendit dhe ftoi deputetët të shpërndahen. Ai tha se seanca pritet të fillojë nga ora 10:00. Veseli tha se Kuvendi duhet të marrë vendim, të ratifikojë Demarkacionin, për t'iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm, pa viza, brenda këtij viti. Ai tha se ka zhvilluar një takim të suksesshëm me partitë politike, ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ku sipas tij kishte frymë pozitive që deri të mërkurën të përmbyllet ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur këtij Projektligji edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, i cili nuk e mbështet Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi në 2015, si dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit. Aktualisht, votën kundër e ka paralajmëruar vetëm Lëvizja 'Vetëvendosje', përderisa subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të kërkojë shmangien e votimit për raportin e Komisionit shtetëror, të cilin e konsideron vetëm si një draft të papërfunduar. Para fillimit të seancës, deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja 'Vetëvendosje' tha se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës padi ndaj presidentit, Hashim Thaçi. "Vetëvendosje" e ka akuzuar Thaçin për "shkelje të rëndë" dhe "tradhti ndaj vendit" në çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ajo iu referua nenit 124 të Kodit Penal të Kosovës, i cili e vë Presidentin në përgjegjësi në rast të shkeljes së sovranitetit të shtetit."Kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit për shkak të veprës penale 'tradhti ndaj vendit'", tha Haxhiu. "Vetëvendosje" i kishte marrë në seancë dosjet me emrat e atyre që kanë nënshkruar peticionin kundër demarkacionit. Edhe Lista Serbe ka kumtuar se nuk do ta përkrahë ratifikimin e demarkacionit. "Një gjë e tillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta mbështesim demarkacionin", thuhet në deklaratën e Listës Serbe. "Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat e bashkësisë serbe që jeton në Kosovë", thuhet në deklaratë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar të gjithë deputetët ta ratifikojnë Demarkacionin, duke i adresuar një thirrje të veçantë edhe Listës Serbe.

Presion i shtuar ndërkombëtar

Në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën e rezervuar për mysafirë, ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. "Jam këtu që t'i inkurajoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi", tha Delawie. Ai tha se kjo është një "marrëveshje e denjë dhe saktë" dhe se secili deputet duhet ta dijë qëllimin e fundit të saj, që është marrja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. "Abstenimi është votë kundër, kështu që i ftojmë të gjithë deputet të votojnë për marrëveshjen", tha Delawie. Përmes disa shkrimeve në rrjetin social 'Twitter', Delawie kishte shprehur edhe habinë e tij me veprimet e disa deputetëve që janë pozicionuar kundër Demarkacionit."E çuditshme se sa shumë po punojnë disa njerëz për t'i mbajtur qytetarët e Kosovës larg udhëtimit në Evropë!", ka shkruar ambasadori amerikan, në rrjetin social, në internet. Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, përmes rrjeteve sociale, ka thënë se po i ndjek me interesim të madh zhvillimet në Kosovë për çështjen e demarkacionit."Po e ndjek me interesim të madh debatin dhe votimin për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës. Gjithë të mirat për miqtë, partnerët e qytetarët që treguan përkushtim të vërtetë për liberalizimin e vizave. Mirënjohëse edhe për Malin e Zi", ka shkruar Fajon. 

Lista e faktorizuar

Deputeti i opozitës, Ali Lajçi (VV), për "Kosova Sot" tha, pas dështimit të mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, se politika duhet të mbajë përgjegjësi për situatën aktuale."Këto qeveri e faktorizuan Listën Serbe dhe ajo po na pengon kudo", u shpreh ai. Ndërsa opozitari Arban Abrashi (LDK) tha për "Kosova Sot", edhe pas dështimit të mbledhjes demarkacioni nuk guxon që të dështon në asnjë mënyrë, sepse është një përgjegjësi e secilit nga deputetët që të marrë përgjegjësi në mënyrë që të kalojë Demarkacioni. "Jam i bindur se në mbledhjen e nesërme Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk do të dështojë", u shpreh ai. 

 Ndërsa deputeti i koalicionit në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha (Nisma), tha për "Kosova Sot" se këtu ka përgjegjësi që nga koha kur është përpiluar kjo marrëveshje me Malin e Zi nga ana e komisionit të mëhershëm. "Këtu ka një përgjegjësi dhe ajo tashmë dihet është e presidentit të shtetit që asokohe si ministër i Jashtëm që e nënshkroi këtë marrëveshje, por edhe tash si president e ka mjegulluar çështjen rreth kësaj marrëveshje", theksoi ai."Përgjegjësia për këtë situatë ka adresë ajo është e Hashim Thaçit. Ngase me Listën Sërpska pas bisedimeve në Bruksel lindi ky subjekt politik që është si zëdhënës i Qeverisë së Serbisë në institucionet e shtetit të Kosovës dhe dihet botërisht që Beogradi vendos për veprimet e Listës Sërpska", ka thënë Berisha.

Tentativa mashtruese

Analisti Jeton Kelmendi tha se seanca ishte një tentativë për ta mashtruar opinionin nga trinomi, Thaçi-HaradinajVeseli. "Këtë Kuvend dhe këtë Qeveri i ka në dorë Vuçiqi. Prandaj, miqtë tanë, SHBA dhe BE, duhet t'i bëjnë presion Vuçiqit që ta detyrojnë Listën Sërpska që ta votojë Demarkacionin. Ndaj për çdo variant të çështjeve kryesore tashmë po dihet se Beogradi është kryesori bashkë me Vuçiqin dhe kjo është tragjikja më e madhe që ky trinom e ka bërë mandatarë Vuçiqin dhe vetëm ky fakt e dëshmon për nivelin politik në të cilin ndodhet kasta politike dhe këtu pa e përjashtuar as pozitën e as opozitën dhe madje edhe mediat", theksoi ai."Dikush duhet që të japë llogari dhe faji kryesor është i Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt, të cilët në kushte normale do të duhej dënuar me burg, ku duhet të jetë edhe Limaj", vijoi më tutje Kelmendi. Sipas tij, marrëveshja duhet të votohet. 

"Vitet po kalojnë e këto qeveri veç po prodhojnë kriza politike dhe kriza institucionale, të cilat po bien ndesh me plotësimin e kërkesave të qytetarëve. Moti në Kosovë ka humbur përgjegjësia dhe morali politike si i partive politike ashtu edhe i pushteteve", ka theksuar Skënder Mulliqi për "Kosova Sot"

Ndërsa analisti Skënder Mulliqi për "Kosova Sot" tha se edhe në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës u dëshmua se jemi të varur nga Lista Sërpska e ndikuar nga politika e Beogradit zyrtar. "U shty seanca e 22 shkurtit dedikuar ratifikimit të Demarkacionit se kështu deshi Lista Sërpska, e cila ka gjetur terren të përshtatshëm për opstrukcione dhe kushtëzime politike, siç e kanë theksuar edhe vetë ata lidhur me Asociacionin e Komunave si temë me prioritet për ta", vlerësoi ai. "Serbët zaten edhe e kanë për qëllim që t'i realizojnë objektivat e tyre politike që me "Zajednicën" ta faktojnë ngadalë edhe ndarjen e Kosovës. Është bërë tashmë e patolerueshme kjo gjendje politike, e cila po ashpërsohet edhe më shumë", theksoi Mulliqi.

Krizat mbajnë në skenë PDK-në

Sipas Mulliqit, krizat politike i hyjnë në funksion më së shumti PDK-së, e cila ka pësuar rënie drastike në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore. "Prandaj, mbijetesën politike po e kërkojnë përmes krizave .Kjo po u kushton me izolim dhe moszhvillim ekonomik Kosovës dhe qytetarëve te saj, të cilëve po i u ngushtohet laku në fyt", tha ai. "Interesat e qytetarëve po cenohen gjithnjë e më shumë me këtë gjendje të pashpresë, e cila është krijuar që shumë vite, nga keqpërdorimet dhe abuzimet karshi pronës shoqërore", vijoi më tej Mulliqi.

"Kalimi i Demarkacionit nuk do të thotë edhe liberalizim i vizave, ngase Kosova ka edhe një kusht shumë të rëndë, luftën kundër korrupsionit", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot

Ndërsa juristi Blerim Burjani tha për "Kosova Sot" se do të ishte katastrofale nëse dështon ratifikimi. "Menjëherë pas votimit të Demarkacionit që shpresojmë se do të bëhet të premten më së miri do të ishte të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se duhet të ketë një alternativë dhe zgjidhje tjetër që duhet të vjen me votën e qytetarit, ngase kjo klasë politike nuk e meriton fare më qëndrimin në Kuvend", u shpreh ai. Sipas Burjanit vendi po dëmtohet tej mase.

Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës 

(Kosova Sot)