Qarri: "Është tejet e çuditshme, kur për president të përbashkët flet një kryeministër kontrovers si Edi Rama"

  • 23 February 2018 - 18:36
Qarri:

Sipas analistit Gani Qarri, të pritet bashkimi kombëtar dhe sjellja e një kryetari të përbashkët për të dy shtetet shqiptare nga njerëz si Edi Rama me Hashim Thaçin, të cilët ua kanë humbur edhe kuptimin e të qenit shtet Shqipërisë dhe Kosovës, kjo është më tepër se iluzion, lojë e pistë me popullin e tejdurueshëm shqiptar dhe tërë- sisht utopi. "Sot, kanë kaluar më se 106 vjet që kur Shqipëria është shpallur shtet, dhe 10 sosh që Kosova e mban veten për vend të pavarur, por nga krejt ajo që shohim e përjetojmë në të dy anët e kufirit, asnjëra as tjetra ende nuk janë shtete të njëmendta. Kryeministrat e Shqipërisë, edhe më tepër se një shekull pas mëvetësisë, bëjnë pazare me tokat dhe ujërat e saj, dhe përderisa të varfrit e gjallë shqiptarë, i nxjerrin në rrugë dhe i lënë pa shtëpi, pa banesë, pa bukë, as kulm mbi kokë, në anën tjetër u ngrehin memorialë politikisht tejet të ngrohtë dhe të shtrenjta ushtarëve grekë, të cilët në Luftën e Dytë Botërore paskan luftuar me ushtrinë e Duçes se kush nga këta të dy do ta zotërojë Shqipërinë e Jugut. Njëjtë apo edhe më keq përjetohen sjelljet antiligjore të Hashim Thaçit dhe grupit 'PRONTO' në Kosovë, fakte trishtuese këto, që dëshmojnë hapur dhe katërçipërisht se këtu nuk mund të flitet më për patriot, të cilët mund të bëjnë bashkimin kombëtar, as liderë që kanë ndonjë plan serioz për bashkimin e kombit,por për blofe të atyre që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë, sa herë veprojnë në dëm të shtetit dhe kombit", tha analisti Qarri për "Kosova Sot". Ai shton se reagimi popullor ishte aludim i fortë jo kundër presidentit të përbashkët, por pikërisht kundër personit që e shfaqi si ide, për faktin se si ai, ashtu edhe homologu i tij në Kosovë, që nga ardhja në majat e pushtetit, janë treguar plotësisht të paaftë për ndërtimin e një shteti të një- mendtë ligjor, kanë shkatërruar perspektivën evropiane të shqiptarëve andej dhe këndej kufirit dhe kanë bërë të pamundur jetesën e tyre në Shqipëri dhe në Kosovë. "Është tejet e çuditshme, kur për president të përbashkët flet një kryeministër kontrovers si Edi Rama, i cili bashkë me Hashim Thaçin për këshilltarë të vet kanë zgjedhur të mbajnë agjentë të UDB-së, si Baton Haxhiu, dhe për të mbuluar veprimet e tyre të dyshimta, kur bëjnë pazare me vendet fqinje, në dëm të shtetit, mbijetojnë politikisht me ngacmimin e ndjenjave kombëtare, duke shpërndarë mjegull dhe shpresa të rrejshme si dhe keqpërdorur rëndë gjendjen e shqiptarëve që jetojnë në varfëri të skajshme dhe kalojnë jetën në trishtim. Krejt ajo çfarë kanë ofruar në qeverisjen e tyre të deritanishme Edi Rama dhe kasta e pushtetarëve të inkriminuar në Kosovë, është vënia e shtetit në shërbim të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale, të cilët, si njëri ashtu edhe tjetri, krah të djathtë kanë njerëzit e UDB-së, përmes të cilëve bëhen aranzhmane, organizohen takime të fshehta e të hapura dhe arrihen marrëveshje të dyshimta, si përpjekjet e Ramës në Davos të Zvicrës me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e Kosovës", tha analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot)