Rusia kundërshton projekt-rezolutën për Sirinë

  • 23 February 2018 - 18:57
Rusia kundërshton projekt-rezolutën për Sirinë

I dërguari i posaçëm i OKB'së për Sirinë, Staffan de Mistura bëri thirrje sot për një armëpushim të menjëhershëm për të ndalur “bombardimet e tmerrshme” në rajonin Guta lindore si dhe sulmet e artilerisë mbi Damask.

Këshilli i Sigurimit po analizon një projekt-rezolutë për një armëpushim 30-ditësh që synon të mundësojë transportin e ndihmave dhe evakuimin e të plagosurve dhe të sëmurëve nga Guta. Rusia e ka kundërshtuar projekt-rezolutën duke thënë se nuk ofron zgjidhje realiste:

Ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzia tha dje se Këshilli i Sigurimit duhet të arrijë marrëveshje për vendime realiste, jo propozime populiste të shkëputura nga realiteti:

“Ata që e propozuan rezolutën janë plotësisht të vetëdijshëm se palët nuk bien dakord për armëpushim. Na është propozuar një zgjidhje e thjeshtë, për të miratuar një armëpushim në të gjithë Sirinë për një periudhë 30 ditëshe. Jam shumë kureshtar të di se çfarë garancish po ofrohen për të bërë të mundur armëpushimin, por për fat të keq nuk kemi marrë një përgjigje të qartë ende. Me sa duket elementët më të rëndësishëm të marrëveshjes do të shtjellohen më vonë,” tha ambasadori rus.

Ambasadorja amerikane në OKB tha se megjithëse Rusia e kërkoi këtë takim për të gjetur një rrugëdalje nga situata në Siri, sjellja e saj tregon se është e vendosur të “bllokojë çdo përpjekje të mirëfilltë për ta arritur këtë”.

Luftimet në Siri janë acaruar; duket se ushtria siriane dhe forcat e saj aleate kanë ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë për të marrë rajonin lindor të Gutas, një ndër zonat më të mëdha pranë Damaskut që ende ndodhet nën kontrollin e opozitës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB'së Antonio Guterres i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të miratojë armëpushimin, kryesisht për të ndihmuar mbi 400 mijë banorë të bllokuar në Gutan lindore, qindra prej të cilëve kanë nevoja për kujdes shëndetësor.

(Kosova Sot)