Dhurata korruptive e Devollëve për Jahjagën nuk e zgjon Prokurorinë

  • 24 February 2018 - 07:28
Dhurata korruptive e Devollëve për Jahjagën nuk e zgjon Prokurorinë

ANALISTËT KOMENTOJNË DEKLARATËN E ISH-PRESIDENTES PËR DHURATËN E REFUZUAR NGA DEVOLLËT

ZEQA:Çdo institucion në Kosovë, prej nivelit komunal deri tek ai qendror, çdo ditë iu "laget fyti" pandalshëm nga vëllezërit Devolli, sikurse që ishte edhe shëtitja e Shpend Ahmetit në jahtin luksoz 

Më në fund edhe ish-presidentja Jahjaga e dëshmoi, ndonëse me shumë vonesë, mënyrën se si vëllezërit Devolli i blejnë pushtetarët dhe politikanët në Kosovë. Mirëpo, Prokuroria Speciale fle edhe pas deklaratës se Jahjagës, e cila pohoi se kishte refuzuar dhe kthyer një orë dore me vlerë prej mijëra eurove, që i ishte ofruar e dërguar në zyrën e presidencës si dhuratë nga kompania e vëllezërve Devolli, ndonëse ata e dinin se një veprim i tillë është i ndaluar me ligj. Presidentja e thotë vetë se në fillimin e mandatit të saj, që i bie në vitin 2011, në zyrën e saj ishte sjellë një dhuratë në vlerë prej disa mijëra euro. Po ashtu ajo thotë se ka qenë një orë dore me një vlerë enorme, madje duke e konfirmuar se ka qenë orë nga firma e vëllezërve Devolli. Tani del që Jahjaga është ndër të rrallat që ka refuzuar një dhuratë të tillë mijëra euro, ndërkaq që gati çdo institucion në vend është i ndikuar nga ky rrjet, prej nivelit komunal, ku Shpend Ahmeti shëtitet në jahtet e tyre, Qeveria, Kuvendi, të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, e deri te presidenti Thaçi u "laget fyti" pandalshëm nga vëllezërit Devolli, sikur që dëgjohet e dëshmohet qartë edhe në përgjimet e klanit 'Pronto'. Pyetja shtrohet megjithatë pse ish-presidentja nuk e ka lajmëruar rastin. Është analisti politik Ragip Guraziu, ai i cili ka pohuar se gjithsesi, me rastin e ishpresidentes Jahjaga, me dëshminë e saj, edhe pse me vonesë Prokuroria Speciale duhet të zgjohet nga gjumi dhe të veprojë 'ex officio' në hetimin e këtij rasti.

Lagia e fytit' të politikanëve

Sipas Guraziut, pasi më në fund edhe ish-presidentja Jahjaga e dëshmoi, ndonëse me shumë vonesë mënyrën se si vëllezërit Devolli i blejnë pushtetarët dhe politikanët në Kosovë, tani Prokuroria Speciale nuk duhet të flejë."Pas deklaratës se Jahjagës, e cila deklaroi se kishte refuzuar e kthyer një orë dore me vlerë prej shumë mijëra euro, që i ishte ofruar e dërguar në zyrën e Presidencës si dhuratë nga kompania e vëllezërve Devolli, duhet ta marrë seriozisht për ta hetuar këtë rast, ndonëse ata e dinin se një veprim i tillë është i ndaluar me ligj. Siç thotë edhe vetë ish-presidentja e ''zarfit'', siç u tha në atë kohë, "dhurata" i është në fillimin e mandatit të saj, që i bie në vitin 2011, ku në zyrën e saj i ishte sjellë një dhuratë në vlerë prej disa mijëra euro. Derisa vetë ish-presidentja e ka thënë se ka qenë një dhuratë, e cila ka qenë me vlerë mijëra euro, sipas saj dikur në javën e parë apo të dytë të mandatit të saj që ka qenë një orë dore me një vlerë enorme, e për të cilën e ka konfirmuar se ishte nga firma e vëllezërve Devolli, prokuroria ka mjaft elemente faktike të deklarimit publik që ta nisë një proces serioz hetimor", u shpreh ai. "Kjo është vetëm një dëshmi shtesë ndaj firmës të vëllezërve Devolli, shumë me vonesë për korruptimin e politikanëve, ndonëse ishpresidentja Jahjaga është ndër të rrallat raste që ka refuzuar një dhuratë të tillë në vlerë mijëra euro, ndërkaq çdo institucion në Kosovë prej nivelit komunal ku Shpend Ahmeti shëtitet në jahtet e tyre, Qeveria, Kuvendi, të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, e deri te presidenti Thaçi u "laget fyti" pandalshëm nga vëllezërit Devolli, sikur që dëgjohet e dëshmohet qartë edhe në përgjimet e klanit 'Pronto'", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Kapja e rrezikshme e shtetit

"Kush ka mend në kokë kjo lë mjaftueshëm të kuptojmë se kur kjo bandë kriminele mafioze tenton ta blejë edhe kryetaren e shtetit, po sa i paska blerë banditët e kryebanditët e tjerë, sa e paska blerë sistemin gjyqësor të Kosovës dhe langonjtë e prokurorisë, që nuk i kanë burgosur kriminelët dhe banditët e bandës mafioze Devolli dhe arkitektin e kësaj kolere, spiunin me librezë zyrtare, Baton Haxhiun", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot

Analisti Reshat Badallaj thotë se do të dëshironte shumë që të dalë i demantuar nga ato që ka thënë deri më tani në raport me kriminalitetin që e zhvillojnë Devollët nëpërmes kapjes së shtetit, por realiteti është ky që është e po shpërfaqet dita ditës."Më besoni se shpeshherë mundohem të ik nga ajo që kam thënë, kam thënë, po ja që po vërtetohet dhe po forcohet më shumë dita-ditës me fakte se banda më e rrezikshme serbiane DEVOLLI është e mbushur me banditë, kriminelë, hajna", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot". Ai shton se është për t'u dyshuar edhe vetë ish- presidentja, pse nuk e ka paraqitur këtë tentativë të korruptimit të saj nga Devollët? "Merreni me mend, tani e bënë publike, ish "nusja" e parë e Kosovës, Atifete Jahjaga, se kjo bandë serbiane mafioze Devolli i ka dhënë orë dore që kushton mijëra euro, emrin e orës nuk e ka përmendur… ndoshta "rolex"!, mirëpo kjo nuse nuk e di përse paska heshtur dhe përse nuk e ka lajmëruar prokurorinë që këta banditë të rrezikshëm që blejnë njerëz me para të pista kanë provuar ta blejnë edhe atë?", u shpreh ai."Kjo ish-nuse e parë do të duhej t'í dinte rregullat se deri dje ka qenë polici me "pendrek". Edhe kjo police që Amerika e solli si zonjë të parë do të duhej të përgjigjet përse nuk ka dhënë leje për burgosjen e hajnave, sepse kështu do ta shpëtonte edhe Kosovën", tha Badallaj.

"Edhe gjykatat janë si mos më keq. Kudo kemi ish-shërbëtorë të regjimit që janë gjyqtarë. Ata si të tillë shumë lehtë janë të shantazhuar dhe natyrisht detyrohen t'i dëgjojnë oligarkinë ekonomike dhe atë politike. I theksova këto fakte pse nuk kemi ndjekje të Devollit si kompani, të pushtetit lokal, sikundër është ai i Prishtinës, i cili është takuar edhe në Budva me kompetentët e Devollit, duke bërë sigurisht kompromise, sepse në jaht nuk pranohen për sy të verdhë apo të gjelbër që i ka Shpendi. Këtu ka bazë pse nuk akuzohen", potencoi profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Ndërsa profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në analizën dhe komentimin e këtij rasti, niset nga parimet shkencore sipas të cilave thuhet se është pikërisht baza ekonomike ajo që e përcakton edhe superstrukturën shoqërore."Në këtë anë pushteti shtetëror, sikundër është Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, i takojnë pushtetit. Kur baza e përcakton politikën e pushtetit, ky duhet të nxjerrë ligje, të krijojë organet e sistemit juridik, të policisë dhe të prokurorisë, që e bëjnë politikën e pushtetit ekonomik. Kjo tregon se Devollët kanë arritur të futin nën kontroll tërë pushtetin shtetëror, ndërsa me Klan Kosovën edhe sistemin informativ, gjë që ka bërë që shteti të udhëhiqet nga një pushtet i varur dhe i dirigjuar nga pushteti oligarko-ekonomik dhe i njëjti të udhëheqë shtetin, prandaj në Kosovë kemi pushtet të kapur", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas gjykimit të tij, kjo kapje e rrezikshme ka shtrirë rrjetin kudo, e sidomos në organet e sundimit të ligjit, të cilat tani janë paralizuar dhe nuk veprojnë edhe kur ka fakte të tilla, akuza publike sikur ishte së fundi denoncimi i Jahjagës. "Policia si organ kryesor i luftimit të krimit dhe të korrupsionit është në shërbim të pushtetit shtetëror, të presidentit, të qeverisë edhe të pushtetit legjislativ. Prokurori i shtetit është i caktuar nga presidenti, që iu takon njerëzve më të përfolur për krim ekonomik, për vepra kriminale të karakterit politik dhe deri në tradhti kombëtare. Kemi një qeveri me një përbërje të jashtëzakonshme dhe shumë të paaftë e joproduktive. Kjo qeveri u krijua nga subjektet e ndryshme, e me pikëpamje të ndryshme, ku kryeministri e ka shumë vështirë t'i menaxhojë në punë dhe të udhëheqë ata", u shpreh ai.

Presidentja duhej ta denonconte rastin

Analisti politik Ali Hertica thotë se derisa tani ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pretendon se kishte refuzuar një orë dore që i ishte ofruar si dhuratë nga njëra prej kompanive të familjes Devolli, ajo nuk mund t'i lajë aq lehtë duart nga përgjegjësia që nuk ka ndërmarrë masa veprimi, për denoncim me kohë të rastit, por e ka lënë në heshtje deri më sot."Çfarë kuptimi ka ky deklarim i saj i tanishëm i vonuar, kur vetëm tani kjo "zonjë" e bekuar thotë diçka të tillë, e kjo që e thotë është gjithçka shumë e vonuar në këtë drejtim, derisa vetë aso kohe na kujtohet kur thoshte se do t'i luftojmë dukuritë më negative të shtetit, krimin e korrupsionin, lidhjet e klaneve të ndryshme që po i sjellin kob Kosovës. Kjo ish -presidente nuk ka ndërmarr aso kohe as edhe një hap drejt mbështetjes praktike të forcimit të sistemit të sundimit të ligjit dhe të ndjekjes së shkelësve të ligjeve të shtetit", u shpreh ai. "Ajo ishte dhe mbeti vetëm si një kukull dhe asgjë më tepër se kjo. Sidoqoftë për shtetin serioz të së drejtës kurrë nuk është vonë, prokuroria edhe tani mund dhe do të duhej të vepronte, sepse një lloj stili i tillë i kapjes së institucioneve të shtetit nga devollizmi, për t'i përvetësuar ato, duke filluar nga qeveritarët dhe institucionet e shtetit të të gjitha niveleve. Edhe pse duket vonë ata duhet dhe mund të nxirren që tani para shtetit të së drejtës në përgjegjësi për shkelje të ligjit që po e vazhdojnë, së bashku me ata siç është Shpend Ahmeti, i cili tani po del se është në të dy gjunjët i gjunjëzuar para Devollëve, për t'u bërë një shërbëtor besnik i tyre", tha Hertica për "Kosova Sot". 

"Nëse do të kishe pasur Prokurori dhe shtet sadopak normal, qysh mbrëmë do të ishin arrestuar vëllezërit Devolli, për tentimkorruptim të zyrtarëve shtetërorë, i cili edhe sanksionohet me ligj. Por, kjo nuk ndodh, pasi ligji vlen vetëm për të varfrit dhe qytetarët e rëndomtë, por jo për Devollët, të cilët janë maja e krimit dhe korrupsionit në vend. Prokurorët dhe gjyqtarët janë të korruptuar nga Devollët, të cilët nuk i heton askush, pavarësisht se kanë bërë shumë herë shkelje të ligjit", theksoi Faton Mehmeti për "Kosova Sot"

 Analisti Faton Mehmeti thotë se deklarata e ishpresidentes Jahjaga për Devollët vetëm sa e legjitimon edhe më shumë të gjithë atë që të gjithë e dinë se Devollët i kanë kapur të gjitha partitë politike në vend dhe në këtë logjike edhe kanë vazhduar duke i joshur politikanët me dhurata të shtrenjta dhe tenderë të majmë, për të pasur pastaj të lirë rrugën për të vepruar."Nëse do të kishe pasur prokurori dhe shtet sado pak normal, qysh mbrëmë do të ishin arrestuar vëllezërit Devolli, për tentim korruptimi të zyrtarëve shtetërorë, e cila edhe sanksionohet me ligj. Por, kjo nuk ndodh, pasi ligji vlen vetëm për të varfrit dhe qytetarët e rëndomtë, por jo për Devollët, të cilët janë maja e krimit dhe korrupsionit në vend. Prokurorët dhe gjyqtarët janë të korruptuar nga Devollët, të cilët nuk i heton askush, pavarësisht se kanë bërë shumë herë shkelje të ligjit", theksoi Faton Mehmeti për "Kosova Sot". 

Dhuratat korruptive

"Në këtë rast, përgjegjësia në radhë të parë bie mbi Prokurorinë Speciale, e cila i mbylli sytë përmbi 10 vjet para krimit të organizuar në vend, jo vetëm të vëllezërve Devolli, por edhe të dhjetëra kompanive dhe korporatave të tjera kriminale të lidhura me pushtetarët dhe nëntokën e tyre kriminale", tha Zeqa për "Kosova Sot"

Sipas analistit Florim Zeqa, ky fakt i zbuluar nga ish-presidentja do të thotë se e vërteta vonon, por nuk harron! "Edhe pse Jahjaga është ndër të rrallat raste që ka refuzuar një dhurate të tillë mijëra euro, çdo institucion tjetër në Kosovë, prej nivelit komunal deri tek ai qendror, gjegjë- sisht Qeveria, Kuvendi, të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, e deri te presidenti Thaçi çdo ditë iu "laget fyti" pandalshëm nga vëllezërit Devolli, sikurse që ishte edhe shëtitja e Shpend Ahmetit në jahtin luksoz të tyre në detin e Malit të Zi. Janë edhe me qindra raste të dhuratave korruptive të vëllezërve Devolli që kanë blerë të gjitha institucionet gjoja të pavarura, e deri tek prokurorët dhe gjyqtarët , prokurorinë, policinë, përfshirë edhe mediet, të cilat nuk denjojnë të raportojnë asgjë për krimin e përditshëm që e bënë vëllezërit Devolli me nëntokën kriminale të klanit "Pronto" dhe pushtetarët e kriminalizuar të të gjitha llojeve e ngjyrave partiake në të dyja nivelet e pushtetit", potencoi ai.

Analisti Gani Qarri thotë se për fat të keq në krejt historinë e kësaj prokurorie dhe drejtësisë vendore, që nga paslufta e këtej, nuk mbahet mend ndonjë rast i rrallë apo edhe i vetëm, si nga Prokuroria Speciale ashtu edhe ato themelore, se njëra nga to, ishin në gjendje t'u kundërvihen me efikasitet veprimeve të kundërligjshme të mafio-oligarkëve më të mëdhenj dhe politikanëve të inkriminuar në vend."Për aq më keq edhe kur viktima paraqet autorin e veprës antiligjore, me emër dhe mbiemër siç veproi ish-presidentja Jahjaga dhe shpjegoi mënyrën se si udhëheqësit e korporatës së inkriminuar të mafio-oligarkëve "Devolli" i blejnë pushtetarët dhe politikanët në Kosovë, megjithëse ajo e kreu obligimin e saj qytetar, duke sqaruar publikisht se kishte refuzuar e kthyer një orë dore me vlerë prej shumë mijëra euro, që i ishte dërguar ne zyrën e Presidencës si dhuratë nga kompania e vëllezërve Devolli, ndonëse ata ishin në dijeni se një veprim i tille është i dënueshëm dhe i ndaluar me ligj, prokuroria, gjyqësia dhe policia e vendit jo vetëm se flenë, por asnjëra nga to nuk guxon të prononcohet, as të lëshojë deklaratë fare për rastin në fjalë", tha Qarri për Kosova Sot. Sipas tij, ka shumë raste të tilla, por ka frikë që të deklarohen publikisht nga ata që kanë fakte.

Gazeta i ka dërguar pyetje rreth këtij rasti edhe Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Speciale, si dhe vëllezërve Blerim dhe Shkëlqim Devolli, por nuk ka marrë përgjigje.

(Kosova Sot)