Miliardat e diasporës ushqejnë Kosovën

  • 24 February 2018 - 07:38
Miliardat e diasporës ushqejnë Kosovën

EKONOMIA NË KOLAPS DHE E KAPUR, SHPËTIMI VJEN NGA JASHTË

700 milionë euro vijnë brenda vitit nga mërgimtarët

"Shumë familje kosovare varen nga dërgimi i parave nga jashtë, duke financuar për ushqim, veshmbathje, shkollim etj. Rritja e remitencave është lajm i mirëpritur nga qytetarët, pasi pothuajse çdo familje ka një anëtar të saj jashtë vendit", theksoi eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Që nga përfundimi i luftës më 1999 dhe deri më sot remitencat e mërgimtarëve tanë realisht janë ato që po e mbajnë deri diku në " këmbë"shtetin dhe ekonominë e Kosovës. Ndërkaq, sipas analistëve, e tëra kjo po ndodh, pasi ekonomikisht ky shtet është shndërruar në një shtet të goditur dhe të kapur për vdekje nga mafio-politikanët e mafio-oligarkët e tejinkriminuar, duke marrë parasysh se nuk ka asnjë shans që të zhvillosh një biznes e as të mbetesh në treg po qe se nuk pagove haraçin partive politike në pushtet,qofshin ato në pushtetin qendror apo lokal. Analistët vlerësojnë se që nga pas lufta e deri më sot, nuk merr dot asnjë dokument dhe që janë të obliguar ta bëjnë nga administrata e shtetit, po qe se atyre ua prek interesat e mafio-oligarkëve dhe partnerëve në pushtet. Ata thonë se në Kosovën e pasluftës nuk merr dot leje ndërtimi nëpër komuna pa paguar milionat për pushtetarët e sekserët e tyre, pra vështirë është të mbeten në treg kompanitë që nuk "ua lagin fytin" gjegjësisht pa u bërë edhe vetë pjesë e krimit të organizuar , duke shkelur ligjet e këtij vendi.

Dërgesat, zbutje e krizës sociale

"Për 10 vjet mërgimtarët kanë dërguar në Kosovë 5 miliardë e 347 milionë e 800 mijë euro", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot", se falë mërgimtarëve tanë ekonomia e Republikës së Kosovës, çdo verë fiton rreth 700 milionë euro nga numri i madh i qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit. "Paratë e remitencave, që qytetarët e Kosovës i marrin nga të afërmit e tyre që gjinden jashtë vendit, paraqesin një aspekt të rëndë- sishëm në mirëqenien dhe uljen e varfërisë", u shpreh ai. "Shumë familje kosovare varen nga dërgimi i parave nga jashtë, duke financuar për ushqim, veshmbathje, shkollim etj. Rritja e remitencave është lajm i mirëpritur nga qytetarët, pasi pothuajse çdo familje ka një anëtar të saj jashtë vendit", vijoi më tutje Beqiri. "Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike, rritja e remitencave ndikon dukshëm në përmirësimin e jetesës së qytetarëve kosovarë. Remitencat janë burim i pakontestueshëm në zhvillimin ekonomik dhe se remitencat e kanë mbajtur Kosovën, duke filluar nga vitet e '80-ta, kur pushtuesi serb filloi represionin mbi qytetarët e Kosovës", theksoi ai. Sipas Beqirit, varfëria mbetet problem në Kosovë. Bazuar në raportet e UNDP?së, niveli i papunë- sisë në Kosovë është rreth 43 për qind, kur 34 për qind e njerëzve jetojnë në varfëri me më pak se 1,41 euro në ditë.

Abuzimi me pushtetin në dëm të biznesit

"Është më se e vërtetë se po deshe të hapësh një biznes në Kosovës duhesh doemos që të kesh lidhje me ndonjë parti politike ose t'i paguash dikujt haraç, përndryshe ose do të dështosh si biznes ose nuk do të të japin leje për të hapur biznesin për të cilën ke aplikuar", potencoi për "Kosova Sot" Dardan Grapci

Ekonomisti Dardan Grapci thotë për "Kosova Sot", se është më se e vërtetë se remitencat dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë deri më tani janë duke e mbajtur shtetin dhe ekonominë e Kosovës. "Veç saj, është diaspora ajo që edhe po u mundëson të rinjve gjatë sezonit veror të punë- sohen për shkak të kërkesës për fuqi punëtore nga lokalet dhe restorantet në shtetet perëndimore", u shpreh ai. " Ky shtet vështirë do ta ketë daljen nga kriza dhe kapja e shtetit nga mafio-oligarkët, nëse këta mafio-politikanë nuk arrestohen", potencoi Grapci.

Ndërsa, analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se jemi të varur nga remitencat, ngase ekonomikisht Kosova është shndërruar në një shtet të goditur dhe të kapur për vdekje nga mafio-politikanët e mafio-oligarkët e tejinkriminuar, duke marrë parasysh se nuk ka asnjë shans që të zhvillosh një biznes e as të mbetesh në treg po qe se nuk pagove haraçin partive politike në pushtet,qofshin ato në pushtetin qendror apo lokal komunal. "Te ne ka marrë hov një fenomen që nga pas lufta e deri më sot, kur nuk merr dot asnjë dokument, edhe pse janë të obliguar ta bëjnë nga administrata e shtetit,po qe se atyre ua prek interesat mafio-oligarkëve dhe partnerëve të tyre në pushtet", ka thënë ai. "Në Kosovën e pasluftës nuk merr dot leje ndërtimi nëpër komuna, nëse nuk paguan milionat për pushtetarët e sekserët e tyre,pra vështirë është të mbeten në treg kompanitë që nuk "ua lagin fytin" ,gjegjësisht pa u bërë edhe vetë pjesë e krimit të organizuar, duke shkelur ligjet e këtij vendi për hatër e detyrim ndaj krimit që ka kapur shtetin dhe po sundon vendin , duke zëvendësuar ligjet e këtij vendi", ka potencuar Rudhani.

Ambienti i pafavorshëm biznesor

"Ditë më parë, Komisioni Evropian prapë e përsëritën se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shumë prova pozitive në luftimin e korrupsionit, andaj investitorët e huaj, por edhe mërgata jonë, nuk do të kenë më besim që kursimet e tyre t'i investojnë në Kosovë", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot" 

Analisti Mustafë Kadriaj, për 'Kosova Sot", tha se remitencat gjithnjë kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të qenies shqiptare në Kosovë që nga ish- Jugosllavia, vitet e 90 - ta luftën e fundit dhe që nga pas lufta e mbajnë gjallë ekonominë e Kosovës. "Remitencat një kohë kanë luajtur rolin e mbajtjes gjallë të ekonomive familjare, kurse tani e tutje duhet që të luajnë rolin e zhvillimit ekonomik, duke i kthyer ato kursime të mërgatës në investime, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe njëherësh ndikimin në rritjen ekonomike", u shpreh ai. "Që nga mbas lufta shumë mërgimtarë kanë tentuar që t'i kthejnë kursimet në investime në Kosovë, por kushtet e pafavorshme ekonomike ligjore dhe korrupsioni në kulm kanë bërë që edhe ato investime t'i tërheqin ose të tkurret që të mos investojnë ende, sepse për fat jo të mirë biznesi në Kosovë, përkundër vështirësive të hyrjes në treg, për shkak të konkurrencës njëherësh është i pambrojtur nga njerëzit e pushtetit", vlerësoi Kadriaj. Sipas tij, si rezultat i keqqeverisjes që nga pas lufta po lihet anash një mundësi që remitencat e bashkatdhetarëve tanë të deponuara në bankat tona komerciale, duke mos pasur guxim, nuk po investohen, ndërsa ato sillen afërsisht në 500 milionë euro në vit. 

Investimet e huaja kanë rënë ndjeshëm

"Duke pasur parasysh potencialet lokale, unë besoj se Qeveria duhet të punojë në ndërtimin e reputacionit të tyre si një partner serioz në lidhje me investimet. Kjo do të tërheqë investitorë të rinj dhe do ta mbajë ekonominë në lëvizje", tha Fadil Berjani për "Kosova Sot"

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot", tha se nuk ka asnjë dyshim se remitencat e bashkatdhetarëve tanë po e mbajnë në këmbë shtetin dhe ekonominë e Kosovës. "Falë mërgimtarëve tanë, ekonomia jonë çdo vit përfiton rreth 700 milionë euro nga diaspora që futen në Kosovë", theksoi ai. "Kjo nuk është e mjaftueshme se pa rritjen e investimeve të huaja direkte që viteve të fundit kanë shënuar një rënie të dukshme nuk ka zhvillim të vendit. Sepse vetëm investimet e huaja direkte janë mjeti më efektiv për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë", vlerësoi ai. "Përfitimet e investimeve të huaja janë ulja e papunësisë, e cila lidhet me një zvogëlim të varfërisë, zhvillimin e zonave rurale dhe zëvendësimin e importit. Investimi i drejtpërdrejtë i huaj do të ulte deficitin midis importeve dhe eksporteve që për momentin është i madh. Sidoqoftë, vitet e fundit numri i investimeve të huaja direkte ka rënë", potencon Berjani. "Arsyeja kryesore për këtë është mungesa e besimit. Tregjet e huaja nuk kanë ndërtuar atë besim të nevojshëm për një bashkëpunim të suksesshëm. Boshllëqet politike, një sistem i dobët legjislativ dhe kryesisht korrupsioni i madh në nivelin qendror dhe lokal, ku Qeveria e re duhet ta lufton korrupsionin, kanë çuar në këtë situatë të brishtë me ekonomin vendore që po mbahet në këmbë nga remitencat", ka thënë më tutje ai.

(Kosova Sot)