Kelmendi: Gjykatat janë si mos më keq!

  • 24 February 2018 - 15:41
Kelmendi: Gjykatat janë si mos më keq!

"Edhe gjykatat janë si mos më keq. Kudo kemi ish-shërbëtorë të regjimit që janë gjyqtarë. Ata si të tillë shumë lehtë janë të shantazhuar dhe natyrisht detyrohen t'i dëgjojnë oligarkinë ekonomike dhe atë politike. I theksova këto fakte pse nuk kemi ndjekje të Devollit si kompani, të pushtetit lokal, sikundër është ai i Prishtinës, i cili është takuar edhe në Budva me kompetentët e Devollit, duke bërë sigurisht kompromise, sepse në jaht nuk pranohen për sy të verdhë apo të gjelbër që i ka Shpendi. Këtu ka bazë pse nuk akuzohen", potencoi profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

 Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në analizën dhe komentimin e këtij rasti, niset nga parimet shkencore sipas të cilave thuhet se është pikërisht baza ekonomike ajo që e përcakton edhe superstrukturën shoqërore."Në këtë anë pushteti shtetëror, sikundër është Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, i takojnë pushtetit. Kur baza e përcakton politikën e pushtetit, ky duhet të nxjerrë ligje, të krijojë organet e sistemit juridik, të policisë dhe të prokurorisë, që e bëjnë politikën e pushtetit ekonomik. Kjo tregon se Devollët kanë arritur të futin nën kontroll tërë pushtetin shtetëror, ndërsa me Klan Kosovën edhe sistemin informativ, gjë që ka bërë që shteti të udhëhiqet nga një pushtet i varur dhe i dirigjuar nga pushteti oligarko-ekonomik dhe i njëjti të udhëheqë shtetin, prandaj në Kosovë kemi pushtet të kapur", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Sipas gjykimit të tij, kjo kapje e rrezikshme ka shtrirë rrjetin kudo, e sidomos në organet e sundimit të ligjit, të cilat tani janë paralizuar dhe nuk veprojnë edhe kur ka fakte të tilla, akuza publike sikur ishte së fundi denoncimi i Jahjagës. "Policia si organ kryesor i luftimit të krimit dhe të korrupsionit është në shërbim të pushtetit shtetëror, të presidentit, të qeverisë edhe të pushtetit legjislativ. Prokurori i shtetit është i caktuar nga presidenti, që iu takon njerëzve më të përfolur për krim ekonomik, për vepra kriminale të karakterit politik dhe deri në tradhti kombëtare. Kemi një qeveri me një përbërje të jashtëzakonshme dhe shumë të paaftë e joproduktive. Kjo qeveri u krijua nga subjektet e ndryshme, e me pikëpamje të ndryshme, ku kryeministri e ka shumë vështirë t'i menaxhojë në punë dhe të udhëheqë ata", u shpreh ai.

(Kosova Sot)