Limaj falënderon të gjithë për arritjen e Marrëveshjes së re të Demarkacionit

  • 24 February 2018 - 15:56
Limaj falënderon të gjithë për arritjen e Marrëveshjes së re të Demarkacionit

Lideri i NISMA’s, Fatmir Limaj nuk ia ka lënë asnjë meritë vetes për arritjen e marrëveshjes së demarkacionit. I ka falënderuar të gjithë për të pajtim. Ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të ketë lajme të mira për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, edhe sot partitë tjera kanë tentuar t’ia lënë vetes meritat për marrëveshjen e re.
Fatmir Limaj ishte marrë më së gjati për të gjetur një zgjidhje për demarkacionin. Kishte realizuar vizita edhe në Mal të Zi larg mediave. Kishte arritur t’i bindte liderët e Kosovës se duhet të arrijnë një pajtim për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit që ishte arritur më 2015.

Megjithëkëtë, Limaj ende nuk ia ka lënë asnjë meritë vetes. As sot kur e kanë marrë aprovimin e Haradianjt për të përfillur kërkesën e LDK’së që në marrëveshjen e re të Raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm informues.

“I falënderoj të gjitha forcat politike që përmes dialogut kemi ardhur deri të vendimi i përbashkët për të votuar demarkacionin. Lë të na shërbeje kjo si shembull se vetëm përmes dialogut, transparencës dhe respektit dhe duke pasur në qendër interesin e vendit ne se bashku mund t’i tejkalojmë me sukses edhe shumë sfida që na presin. Java e ardhshme do t’i sjellë Kosovës, shumë lajme  të mira të cilat kanë munguar për vite”, ka shkruar Limaj pasi është arritur marrëveshja.

“Vendi ka pasur nevojë për lajme të mira. Po ashtu dua t’i falënderoj edhe mediet dhe opinonisët cilat gjatë kësaj kohë kanë luajtur rol të madh të arrijmë në këtë moment”, ka shtuar ai.

Edhe Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka konfirmuar se është arritur konsensusi me Ramush Haradinajn për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka konfirmuar për Gazetën Express se është arritur marrëveshje me Ramush Haradinajn për ta pranuar propozimin e LDK’së për demarkacionin. Ka thënë se kjo marrëveshje është arritur mbi parimet e mirëkuptimit për të ardhmen e Kosovës. Ka thënë se kur është arritur pajtimi i Kryeministrin Haradinaj prezentë ka qenë edhe Kadri Veseli

“Me Kryeministri sot kam pas një bisede të gjatë. Dallimi  mes LDK dhe Kryeministrit është zgjidhur. Pranohet dokumenti ashtu siç LDK ka kërkuar. Nuk ka asnjë dilemë më për të ecur përpara”, ka thënë Pacolli, për Express.

“Falënderoj Kryeministin Ramush Haradinaj për konstruktivitetin dhe mirëkuptimin që ka pasur për këtë takim që kemi pasur sot. Definitivisht mund të konsiderohet se ky problemn dhe divergjencat mes LDK’së dhe Kryeministrit janë zgjedhur. Nuk do të ketë asnjë problem”, ka shtuar ai.

“Ishte vështirë por jam shumë i lumtur që ndodhi. Pa kushtëzime, por në mënyrë pozitive dhe duke menduar për të ardhmen e të të rinjve ”.

Ndërkohë, demarkacioni dështoi dy herë, në dy seancat e fundit, pasi LDK e AAK nuk pajtoheshin lidhur me përmbajtjen e dokumentit që do të miratohej në Parlament. Partia e Isa Mustafës kërkonte që raporti i Shpejtim Bulliqit të ishte vetëm informues, ndërsa, Haradinaj kërkonte që i njëjti të ishte obligues.

Bashkë me Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015 do të ratifikohet në Parlament edhe dokumenti i nënshkruar nga Presidenti kosovar dhe ai malazez, i cili saktëson se mund të bëhen përmirësime të shënimit të vijës kufitare nëse gjenden fakte të reja.

(Kosova Sot)